Friday, April 8, 2016

Republika apo "Mbretëria" e Kosovës?




Shkruan: Nehat Hyseni

Manifestimi pompoz, madje megaloman, në ambient të hapur në qendër të Prishtinës dhe pranë përmendores së Skënderbeut, i inaugurimit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, më 8 prill 2016, paraqet një mesazh sui generis për Republikën e Kosovës, si dhe për (ar) miqtë e saj ndërkombëtarë.
Përshtypja d është se mesazhi i parë ka të bëjë me pretendimet e z.Thaçi se: gjithçka fillon me te në Kosovë!

Këtë porosi ai e jep me (vet) organizimin e këtij evenimenti megaloman të inaugurimit të tij si President, si dhe me deklarimin se ai ishte "protagonist i të gjitha evenimenteve, ngjarjeve dhe proceseve të çlirimit dhe bërjes së Kosovës shtet sovran dhe të pavarur".
 Me demek, i bie se figura qendrore politike e kombëtare e Kosovës na del se është Hashim Thaçi! 
Kurse, Presidenti Historik, Dr.Ibrahim Rugova, Adem Jashari dhe familja e tij e martirizuar, si dhe e tërë historia e shumëvuajtur dhe e sakrificës shqiptare të Kosovës vihet me (pa) dashje, nën hijen "madhështore" të "Shkëlqesisë së Tij", Hashim Thaçit.
Jo vetëm për shkakun se për herë të parë u organizua ceremonia e inaugurimit të Presidentit të Kosovës, por edhe për herë të parë në historinë e Kosovës u përdorë atributi "Shkëlqesia e Tij", që nuk është përdorur asnjëherë më parë: as nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe nga pasuesit e Tij, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe Atifete Jahjaga, duke simbolizuar (mbase) tendencën e të kuptuarit apo të shndërruarit të funksionit të Presidentit në Mbret, kurse Republikës në "Mbretëri" të Kosovës.
Pra, asnjëherë nuk i ka rënë ndërmend askujt në Kosovë që Rugovën apo presidentët tjerë t'i quajnë "Shkëlqesi", por as presidentët e fuqishëm të shteteve më të mëdha dhe më të fuqishme botërore, madje me sistem presidencial, e jo parlamentar, siç është SHBA dhe shtetet tjera demokratike në botën bashkëkohore.
 Pra, asnjëherë nuk kemi parë e dëgjuar që, psh. Barak Obama, qoftë në lajme apo në evenimente të ndryshme (ndër) kombëtare të cilësohet "Shkëlqesia e Tij", ashtu si shumë homologë të tij në botën demokratike.
Prandaj, akti i (vet) cilësimit të Hashim Thaçit me atributin "Shkëlqesia e Tij", asocion pamëshirshëm në aktin e (vet) shpalljes së Ahmet Zogut "mbret të shqiptarve" dhe të "Mbretërisë së Shqipërisë" në vitin 1928, dmth 88 vjet më parë!
Atëbotë Shqipëria ishte vend skajshmërisht i varfër dhe i varur tmerrësisht nga Itala.
 Por, kjo nuk e pengoi Zogun të shpallet mbret, ashtu si tani, në Kosovën e varfër, të sfilitur e të përçarë skajshmërisht, që është  komprometuar e diskredituar fare në sytë e botës, me korrupsionin ekstrem, me keqqeverisje skandaloze, me skandale dhe me performansë komprometuese të lidershipit politik, madje edhe të "gardianëve" të Kushtetutës, Fatmir Sejdiut, Behgjet Pacollit dhe së fundi Hashim Thaçit me lojrat e pafund me Gjykatën Kushtetuese si "gardiane" të interesave partiake, grupore e personale me (keq) interpretimet e Kushtetutës së Kosovës, si akt më të lartë juridik të Republikës së Kosovës.
Nuk duhet harruar faktin se funksioni themelor i Presidentit, madje edhe i mbretërive parlamentare sot në botë është "sigurimi i stabilitetit dhe unitetit politik të shtetit", që ka të bëjë sidomos me bartjen e pushtetit, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në shtetet përkatëse.
Prandaj, mandati i Presidentit në demokracitë parlamentare (jo presidenciale) është më i gjatë se ai i parlamentit (4 vjet), dmth 5 vjet në Republikën e Kosovës, por në disa shtete madje ësht 6 dhe 7 vjeçar.
Në fjalimin e gjatë reth gjysmë orësh të Presidentit Thaçi, nuk dëgjuam se si do e realizoj ai funksionin themelor të tij, dmth. të "sigurimit të unitetit dhe stabilitetit politik të vendit", dhe si do të hiqet Kosova nga top-lajmet e televizioneve dhe mediave të tjera në botë me skenat makabre të kaosit, gazit lotësjellës, "koktejve të molotovit", gjuajtjes me gurë dhe dëmtimit të aseteve publike e pronës private dhe a do t'i kthehet stabiliteti e qetësia Republikës së Kosovës?
 Kjo mbetet të shihet, në mandatin e tij pesëvjeçar 2016-2021.
Por, edhepse Presidentja Atifete Jahjaga në mandatin e saj 2011-2016 kishte shumë mangësi në politikën e brendëshme, meqë nuk kishte parti politike, megjithatë ajo luajti një rol integrues, me faktin se, edhepse nuk "adhurohej" nga asnjëra parti politike, megjithatë, ajo nuk urrehej nga opozita, siç është rasti i Hashim Thaçit.
Ndërkaq, në politikën e jashtëme të Republikës së Kosovës, dmth. në arenën ndërkombëtare, Presidentja Jahjaga, sipas mendimit të shumicës absolute në Kosovë, "shkëlqeu" dhe ishte "jashtëzakonisht e suksesshme".
Prandaj, pritshmëritë për performansën e z. Thaçi si President në periudhën e ardhëshme pesëvjeçare janë kryesisht jopremtuese dhe pesimiste, meqë në politikën e brendëshme ka krijuar anomizitet dhe hendeqe politike që i atribuohen keqqeverisjes shtatëvjeçare të Qeverisë së Kosovës, krimit të orfanizuar, korrupsionit marramendës, etj. Kurse, në politikën e jashtme, dmth. në planin ndërkombëtar, z. Thaçi është edhe më i kontestuar dhe më i papranueshëm se në Kosovë që do e determinojnë suksesin e tij.
 Sidomos është problematik formimi i Gjykatës Speciale, që pritet të ndodhë së shpejti dhe paraqet sfidë të madhe për Presidentin Thaçi dhe për shokët e bashkëpartiakët e deridjeshëm të tij.

No comments:

Post a Comment