Thursday, April 14, 2016

Pushteti absolut i Hashim Thaçit, i (pa) shmangshëm?





Shkruan: Nehat Hyseni

Me zgjedhjen e Hashim Thaçit President të Republikës në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, më 26 shkurt 2016, Ministria e Punëve të Jashtme, me vendimin e Kryeministrit Mustafa, sipas propozimit të PDK-së dhe z. Thaçi personalisht, iu besua Petrit Selimit.
Pra, kjo ministri është e PDK-së, që do të thotë se, edhepse z. Thaçi formalisht e ka lëshuar këtë post, si dhe atë të Zëvendëskryeministrit, megjithatë "hija" e tij politike dhe vendimmarrëse ka mbetur aty fuqishëm. 
Prandaj, çfarëdo vendimi i Petrit Selimit duhet shikuar si vullnet politik dhe si urdhër i Hashim Thaçit.
Andaj edhe vendimi i Petrit Selimit lidhur me vizitat e zyrtarve serbë në Kosovë, i cili bien ndesh me atë të Kryeministrit Mustafa dhe të Qeverisë së Kosovës, ma merr mendja se duhet shikuar dhe kuptuar në këtë kontekst.
Sepse, me zgjedhjen e Hashim Thaçit President, që është bërë me votat e LDK-së dhe me angazhimin e vendosur dhe të përkushtuar të Isa Mustafës, Hashim Thaçi i ka arritur të gjitha objektivat politikë.
 Kjo do të thotë se LDK si parti politike dhe Isa Mustafa si kryetar i LDK-së dhe si kryeministër, praktikisht PDK-së dhe Hashim Thaçit i janë të panevojshëm. 
Mbase edhe të padobishëm dhe të dëmshëm!
Kjo i bie se, LDK dhe Isa Mustafa me zgjedhjen e Hashim Thaçit President, e "kanë kryer misionin e vet", si "limon i shtrydhur që duhet hedhur në shportën e mbeturinave". 
Tani e tutje, Hashim Thaçit dhe PDK-së i mbetet si objektiv kryesor rrëzimi i Kryeministrit Mustafa dhe prishja e koalicionit aktual PDK-LDK, që do bëhej me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Objektivisht, Hashim Thaçi si President i Kosovës do e merrte me kënaqësinë më të madhe vendimin mbi shpalljen e këtyre zgjedhjeve, poqese nuk do kishte pengesa nga Ambasada e SHBA-ve dhe nga Brukseli, meqë do pengoheshin shumë procese dhe "detyra" të pa kryera të këtij koalicioni: formimi i Gjykatës Speciale, etj.
Paradoksalisht, tani e tutje, interesat e PDK-së shkëputen plotësisht me atë të LDK-së dhe lidhen kryekëput me ato të opozitës, madje më së tepërmi me ato të Lëvizjes Vetëvendosje, së paku për çështjet kryesore: kundër formimit të Gjykatës Speciale, e cila supozohet se do e dëmtoj më së tepërmi PDK-në dhe lidershipin e saj, pastaj do plotësohej edhe kërkesa e opozitës për rrëzimin e Qeverisë Mustafa. 
Praktikisht, tani e tutje, të gjithë do të jenë kundër LDK-së, opozita, qoftë e ndarë apo e bashkuar me PDK-në dhe Hashim Thaçin në prapaskenë, i cili do jepte "mesazhin e unitetit", duke u bashkuar në mënyrë të paekspozuar, të tërthortë, implicite në krijimin e piramidës shtetërore të dominuar nga pushteti i tij absolut, duke krijuar një mazhorancë që do e ndryshonte edhe Kushtetutën e Kosovës, për ta përligjur atë pushtet me fuqizimit absolut të rolit të Presidentit, ngjashëm me atë si veproi Presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, dikur Sllobodan Millosheviqi në Serbi, Millo Gjukanoviqi në Mal të Zi, etj.
Pra, pak a shumë kjo do ishte e ardhmha politike e Kosovës, poqese nuk ndodhë diçka e paparashikueshme që do i prishte ëndrrat dhe planet politike të Hashim Thaçit dhe PDK-së.
Si hap i parë, që mund të "lexohet" e kuptohet mbase edhe si mesazh politik është vendimi i Petrit Selimit për ta kundërshtuar dhe për ta sfiduar Kryeminstrin Muatafa dhe Qeverinë e tij, me një "akt patriotik"!
Me këtë Hashim Thaçi si President i Kosovës jep mesazh të qartë, se tani e tutje, "Kosova jam unë!"
Ky "mesazh" paraqet edhe fillimin e fundit të asaj "kashore" pushteti të LDK-së dhe ngritje në piedestal i të gjithëfuqishmes PDK-së , si dhe të Presidentit Hashim Thaçi, për të cilën, paradoksalisht, punoi dhe do të punojnë aq shumë VV dhe Albin Kurti, por edhe AAK e bashkuar me Nismën.
Mjerisht, në skenën e brendëshme politike të Kosovës, aktualisht nuk shohim ndonjë forcë politike serioze dhe ndonjë sfidë reale që do i del në rrugë si pengesë reale PDK-së dhe Hashim Thaçit, në vendosjen e pushtetit të tyre absolut në Republikën e Kosovës. 
Kurse, sa i përket miqëve dhe partnerëve tanë strategjik ndërkombëtarë, kjo mbetet të shihet.


No comments:

Post a Comment