Monday, April 18, 2016

Mbi "ujqit" dhe gjurmët e tyre në "Kosovën e lirë dhe të pavarur"




Shkruan: Nehat Hyseni

Politikbërjen e Republikës së Kosovës, 17 vjet pas çlirimit nga Serbia, dhe tetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, e karakterizon një zmbrapsje apo zbythje permanente, e pandalëshme, e pakufizuar dhe e pafund ndaj Serbisë! 
Kjo rrokullisje dhe ky ambis është duke ndodhur pamëshirshëm me "Kosovën e lirë, Sovrane dhe të Pavarur", ku dinjiteti i saj shtetëror dhe Sovraniteti i saj nuk përfillen nga Serbia dhe nga minoriteti serb i Kosovës, në kohën kur "komandantët" udhëheqin me këtë shtet të përdhosur, të poshtruar e të degraduar në mënyrë të pashembulltë në Kontinentin e Vjetër (Europë), të cilës, sa duket, vetëm territorialisht apo gjeografikisht i përkasim. 
Kurse, në pikëpamje kulturore, ekonomike, e sidomos politike, jemi shumë, mbase tepër shumë larg saj. 
Madje, jemi të vetmit në Europë të izoluar dhe të getoizuar!
Pra, e gjithë kjo katrahurë e ky degradim dhe poshtrim është duke na ndodhur në kohën apo periudhën e pavarësisë, kur "ujqit" tanë politikë po pasurohen në mënyrë marramendëse. 
Këta "ujqë", në agun e lirisë ishin leckamanë, të uritur, të zgjebosur e të mjerë, kurse tani janë shndërruar në "bossa" dhe "sheikë", të shtetit të tyre që pamëshirshëm e leckosën, zgjebosën e poshtruan, kurse këta qyrramanë u pasuruan dhe "aristokratizuan", me villa, biznese e luks marramendës!

Kryeministri Mustafa e quan këtë si një "percepcion" të rrejshëm, që do të thotë se "po na duket" se po shofim korrupsion e keqmenaxhim, kurse, sipas tij, "çdo gjë është në rregull" dhe se partnerët tanë ndërkombëtarë dhe populli i Kosovës vetëm "po shohin ëndrra me sy çelë"! 
Prandaj, me lehtësi trishtuese e poshtruese u nëshkrua tradhëtia e Kosovës dhe shqiptarve të Luginës së Preshevës, më 19 prill 2013 nga Hashim Thaçi, si dhe ajo e 25 gushtit 2015, në Bruksel, nga Isa Mustafa, duke ia hapë dyertë qëllimeve antishqiptare, antikosovare e djallëzore dhe pretendimeve makabre të Serbisë që t’i bartë në Bruksel edhe "çështjet teknike", por dhe çështjet e brendëshme të Kosovës, duke u arsyetuar kinse po angazhohet "kundër izolimit dhe getoizimit të serbëve të Kosovës"?
Takimet e jashtëzakonshme të grupit të ekspertëve të Prishtinës dhe Beogradit, që do të mbahen nesër në Bruksel, janë caktuar me kërkesê të palës serbe, me qëllim të sfidimit dhe moszbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për mosnjohjen e letërnjoftimeve të lëshuara nga institucionet dhe strukturat paralele serbe, si dhe për ndalimin e hyrje-daljeve në Kosovë me ato legjitimacione.

Njëkohësisht, Serbia pretendon që ta ruaj praninë e vet institucionale dhe politike sa më gjatë në veri të Kosovës, duke bllokuar zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës në atë pjesë të territorit të Kosovës, duke e cenuar rënd sovranitetin dhe duke pretenduar për ta kompromituar pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Për këtë qëllim, Serbia ka instrumentalizuar egërsisht dhe në mënyrë të paskrupullt serbët e Kosovës, për qëllime të fëlliqëta dhe për nevoja politike të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe lokale, të caktuara për 24 prill 2016, që do të mbahen edhe në Kosovë.
 Ndërkaq, zgjedhjet e Kosovës nuk janë shtrirë asnjëherë tek shqiptarët në Serbi: në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe në Beograd e qytete tjera të Serbisë, ku jeton një numër i konsiderueshëm i shqiptarve.
Pra, siç po shihet për ditë e më tepër, më qartë dhe pamëshirshëm Kosova po degradohet dhe poshtrohet liria, pavarësia dhe sovraniteti dhe demokracia, si dhe standardi dhe mirëqenia e popullit.
Kurse, klasa politike, "ujqit", paradoksalisht po pasurohen e forcohen?!
Vallë, a nuk po i shohin Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Mustafa pasuritë prrallore dhe villat e luksin aristokratik si "gjurmë" të "ujqëve" që e shkaktuan këtë varfërim, shkatërrim e komprometim të paskrupullt të Kosovës së pasluftës.

No comments:

Post a Comment