Sunday, April 10, 2016

Hashim Thaçi u inaugurua si President, apo si "Mbret" i Kosovës?



Shkruan: Nehat Hyseni

Shpenzimi i padhimbshëm dhe i papërgjegjshëm i parasë publike dhe  megalomania groteske e politikanëve të shteteve të vogla dhe miniaturale, si rregull, na paraqitet si sindrom dhe si sfidë e papërballueshme, që në shumicën e rasteve arrinë efektin e kundërt. 
Duke u përpjekur që ta tregojnë "madhështinë" e tyre personale, qoftë edhe në shtetin e vockël, këta politikanë
shpeshëherë bëjnë shpenzime të tepruara dhe të paarsyeshme .
 Sepse, meqë nuk ia arrijnë që ta "rrisin" shtetin e tyre të vogël e të sfilitur nga apetitet e pangopëshme të zhvatjes së shtetit, ata përpiqen ta paraqesin "madhështinë" e tyre personale, duke bërë gjithçka për ta bindur vetveten dhe të tjerët se psh. Kosova është e vogël, por e ka Hashim Thaçin & Company, politikanë të "mëdhenjë" dhe gati sa nuk na rrjedhin lotët nga dëshprimi për këtë "padrejtësi", që e përjetojnë si "pafatësi".
Ceremonia inauguruese e 8 prillit 2016 e Presidentit Thaçi jo vetëm se tregoi papërgjegjshmëri dhe megalomani të tepruar, por ai e sfidoi edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe sistemin e demokracisë parlamentare të saksionuar në te, duke pretenduar (mbase) sistemin presidencial. 
Madje, pati të atillë që këtë ceremoni e cilësuan si "mbretërore", kurse z. Thaçi më shumë si "Mbret", e jo si President, madje të zgjedhur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, e jo nga vota e lirë dhe e drejtpërdrejtë popullore.

Në këtë përpjekje për t'u treguar sa më i madh, që si sebep (shkas) e mori inaugurimin e vet si President, megjithatë, Hashim Thaçi arriti të kundërtën.
 Pra, ai dëshmoi se, përkundrejtë shpenzimit të një milioni euro nga taksapaguesit e këtij shteti më të varfër në Europë, arriti efektin e kundërt, meqë dëshmoi sa i papranueshëm është në politikën ndërkombëtare, duke ardhur vetëm dy presidentë shtetesh: Presidentja e Kroacisë, zonja Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe Presidenti i Shqipërisë, z.Bujar Nishani. 

Derisa për Presidenten kroate nuk dihet se a erdhi për kolegen e saj z.Jahjaga, meqë këto dyja ishin të vetmet presidente në Ballkan? 
Kurse, Presidenti Nishani do vinte për çdo president kosovar. 

Prandaj, sa duket, Hashim Thaçi nuk mund të lavdërohet as për pjesëmarrjen e këtyre dy presidentëve, nga reth dyqind shtete dhe shefa shtetesh në botë.
Ky fakt i zgjedhjes së Presidentit Thaçi si person që nuk është i çmuar dhe i pranueshëm sot në botë flet mjaftë për zymtësinë dhe izolimin që e pret Kosovën në pesëvjeçarin e ardhshëm 2016-2021. 
Kurse, poqese rizgjidhet, atëherë Kosova deri në vitin 2016 do thellohet edhe më zi në izolim ndërkombëtar, si dhe zhvillimi i demokracisë dhe zhvillimit ekonomik i saj do të pësoj dëme dhe ngecje të pariparueshme.
Por, gjithësesi duhet llogaritur se Gjykata Speciale mund t'i përmbysë gjërat, pa kursyer dhe pa përjashtuar askend, madje as Presidentin e sapozgjedhur Thaçi, sado që paraqitet me aq pompozitet dhe me ceremoni megalomane të inaugurimit, meqë është deklaruar se " nuk do ketë të paprekshëm".
Përkundrazi, sfidat e performansës së tij si President, sipas të gjitha gjasave, do të jenë të mëdha dhe të shumënduarshme, si në (pa) aftësinë për ndërtimin e unitetit politik në vend, ashtu edhe në përgjigjen ndaj presionit të miqëve tanë ndërkombëtarë për dekriminalizimin e politikës, si dhe për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, që pengojnë integrimin e shtetit dhe shoqërisë kosovare në familjen e demokracisë europiane.

No comments:

Post a Comment