Thursday, April 21, 2016

Dyshohet se edhe verën e vitit 2017 do e presim pa viza!


Bota Sot | 21.04.2016 15:55 • Diana Bunjaku
Dyshohet se edhe verën e vitit 2017 do e presim pa viza!

Nehat Hyseni analist politik tha se liberalizimi i vizave për Kosovën, sipas të gjitha gjasave, nuk pritet që të ndodhë së shpejti. Ai ka thënë se lëvizja e qytetarëve të Republikës së Kosovës drejtë vendeve të BE-së, nuk pritet të ndodhë në vitin 2016, madje sipas tij, dyshohet se edhe verën e vitit 2017 do e presim pa viza.

“ Bashkimi Evropian, Kosovën e ka radhitur pas Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Turqisë. Kështu, pritja e stërzgjatur e liberalizimit të vizave, që praktikisht ka filluar të "numëroj së prapthi" nga viti 2010, mbase i ngjet pritjes së kotë, utopike, si pritje "beketiane", duke pritur Godonë, i cili assesi të arrij”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, është i trishtueshëm fakti se vendet e BE-së, sidomos ato pesë vende që nuk e kanë njohur akoma Kosovën, numërojnë shkaqe dhe arsyetime të ndryshme për këtë refuzim të liberalizimit të vizave për Kosovën, madje edhe me "klauzolë" apo kushte shtesë, që ka të bëjë me riaktivizimin e vënies së vizave, po qesë paraqitet një numër i madh i refugjatëve azilkërkuese ekonomikë nga Kosova për vendet e BE-së.

“ Duhet theksuar se pritshmëritë e Kosovës për liberalizimin e vizave gjatë viteve, kanë pasur kryesisht karakter fushate të subjekteve politike kosovare, që kanë abenë të papërgjegjshme dhe kanë dhënë premtime të rrejshme dhe kanë nxitur shpresa të rrejshme tek qytetarët e Kosovës, me qëllime përfitimesh politike”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se është mbivlerësuar, madje se është fetishizuar rëndësia e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, që realisht paraqet rrezik të madh që, me rastin e liberalizimit eventual të vizave për Kosovën, ta përjetojmë euforinë popullore për udhëtim drejtë BE-së dhe azilkërkimit ekonomik, që e përjetuan viset e Serbisë dhe të Maqedonisë të banuara me shqiptarë.

“ Atëbotë u përjetua një eksod i paparë, marramendës, kryesisht i shqiptarëve, drejt Gjermanisë, Zvicrës, Anglisë dhe vendeve tjera të BE-së, duke rrezikuar që t'u rivendosen sërish vizat. Prandaj edhe është paraparë klauzola për rikthimin e regjimit të vizave të gjitha vendeve që synojnë liberalizimin e vizave. Por, mendoj se përfitimet e Kosovës dhe qytetarëve të saj do të jenë shumë më të vogla dhe të papërfillshme krahasuar me pritshmëritë dhe shpresat euforike që janë të pranishme gjatë kohë në Kosovë, që kanë krijuar bindjen artificiale se me liberalizimin e vizave do të zgjidhen si me "shkop magjik" të gjitha hallet, problemet e brengat e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Hyseni.

No comments:

Post a Comment