Monday, April 11, 2016

Atifete Jahjaga si lidere politike, shpresë dhe "dritë në fund të tunelit"?



Shkruan: Nehat Hyseni

Në lëmshin e ngatërruar të gjendjes  aktuale politike që mbase duket e pashpresë në Kosovë, është krijur bindja se është vështirë të shihet rrugëdalje dhe "dritë në fund të tunelit".
Moti kohë skena politike kosovare është reduktuar dhe ngushtuar skajshmërisht, me shuarjen e disa partive politike, si psh. të partisë ORA të Veton Surroit, pastaj partisë FER të Shpend Ahmetit dhe Ilir Dedës, etj. 

Këto parti përfaqësonin kryesisht elektoratin urban, sidomos shtresën e qytetarisë së vjetër të qendrave kosovare, me koncentrim të veçantë në Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Pejë, etj.
 Por, për shkak se Veton Surroi e personalizoi skajshmërisht, kjo parti dështoi në përpjekjen për ta kaluar pragun elektoral dhe ndikohej tepër nga ambiciet ekplicite të liderit të saj për postin e Presidentit të Kosovës. 
Situatë të ngjajshme kishim edhe me partin FER, që mbështetej haptas edhe nga Ambasada e SHBA-ve. Kurse, LDD e Nexhat Dacit u shua si parti politike e cila përfaqësonte LDK-istat "e inatosur",  meqë lideri i saj identifikohej kryekëput me këtë parti, ose më saktë: partinë e identifikonte me vetveten.
Kështu, tani kemi shtresa të shoqërisë kosovare, pra kryesisht të asaj qytetare, të papërfaqësuar politikisht. 

Prandaj, kjo shtresë shoqërore kryesisht i bojkoton zgjedhjet parlamentare dhe shumë pak merr pjesë në ato lokale. 

Ky vakuum politik është i pranishëm gjatë kohë në Kosovë dhe në zgjedhjet e fundit lokale të 5 nëntorit 2013, në Prishtinë u pêrcaktua për Lëvizjen Vetëvendosje, si revoltë ndaj LDK-së së dominuar nga llapjanët e udhëhequr nga hamitovitët.

Tani, me skadimin e mandatit të Presidencës së zonjës Jahjaga, e cila njihet si person me të kaluar të pastër, jokriminele dhe të pakorruptuar dhe me zgjedhjen e Hashim Thaçit President, nga PDK, e cila njihet si parti me mendësi dominante drenicake, që mbanë mbi supe fajësinë për krime dhe korrupcion e keqqeverisje, shpresat e kësaj shtrese të papërfaqësuar qytetare janë kthyer kah figura e zonjës Jahjaga.
Gjithashtu, miqtë strategjik ndërkombëtarë në krye me SHBA janë të orientuar kah luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe keqqeverisjes së pushtetmbajtësve aktualë, duke kërkuar një alternativë dhe një mundësi tjetër për ndryshimin e gjendjes aktuale të politikbërjes kosovare. 

Shpresë e vetme reale në këto momente dramatike të skenës së zymtë politike në Kosovë aktualisht është figura e pastër politike e ish-Presidentes Jahjaga, që të vihet në ballë të organizimit të këtyre shtresave shoqërore, si një lidership i vërtetë shpresëdhënës e shpëtimtar, duje formuar një parti të re politike që do jetë bartëse e kthesës së madhe politike të shumëpritur në Kosovë, që do e tejkaloj kaosin politik aktual dhe armiqësitë ekstreme pozitë-opozitë.
Sidomos do ishte me interes të madh formimi i kêsaj force të re politike në tejkalimin e hendekut dhe çarjes së reezikëshme politike që do e krijoj formimi i Gjykatës Speciale, klientelë e së cilës supozohet se do jenë pikërisht lidershipi politik aktual dhe komandantët e dikurshëm të luftës, që kanë bërë krime në luftë dhe në paqë, që ua kanë zënë frymën demokracisë, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit të gjithëmbarshëm të Republikës së Kosovës dhe integrimit të saj në strukturat euroatlantike dhe në BE.

No comments:

Post a Comment