Sunday, March 20, 2016

"Laramanët politikë" të Luginës së Preshevës




Shkruan: Nehat Hyseni

Aktualisht, partitë politike në Serbi, si dhe ato në Luginë të Preshevës, janë përfshirë në psikozën dhe "ethet" e garimit për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, që janë caktuar të mbahen më 24 prill 2016.

Edhepse kjo pjesë e gjeografisë shqiptare është cilësuar si "komuniteti më i diskriminuar në Europë", me tendencë degradimi të mëtejshëm dhe rrënimi e përkeqësimi të pozitës së shqiptarve edhe më tepër, edhe më zi dhe më trishtueshëm, megjithatë partitë politike shqiptare që udhëhoqën komunën e Preshevës në mbi 11 vitet e fundit: PDSH e Ragmi Mustafës në koalicion me partitë minore të Skender Destanit dhe atë të Ramiz Latifit, si dhe Partia Demokratike e Nagip Arifit me LPD-në e Jonuz Musliut dhe me "Sveti Savën", SPS-in famëkeq të Millosheviqit dikur dhe Daçiqit sot dhe me SNS-in e Aleksandar Vuçiqit, si pasues të radikalëve të Sheshelit, kanë arritur të krijojnë një fenomen "sui generis"të politikës shqiptare në këto dy komuna të banuara me shumicë shqiptare, që mbase mund të quhen"laramanë", ose "Mark-Muharremë" politikë të shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Kush janë "laramanët"?

"Laramanë" quhen pjestarët e një feje minorene, të cilët, për nevoja të integrimit në shoqëri dhe për t'iu shmangur izolimit nga mjedisi shoqëror, deklarohen rrejshëm si pjestarë të fesë tjetër në shoqëri, kurse në shtëpi dhe familje praktikojnë fenë reale të tyre. I tillë është rasti i katolikëve të një pjese të Karadakut të Preshevës, në Mal të Zi, në pjesë të ndryshme të Kosovës, etj. 
Mua personalisht më ka rënë rasti ta vizitoj me disa kolegë të gjimnazit "Skënderbeu" të Preshevës, kishën katolike në fshatin Dunav dhe atë ditë motra e nderit që ishte nga Subotica dhe e fliste rrjedhshëm shqipen e dialektit vendor, na informoi se "kishte vdekur një person me emrin Maliq", pra me emër musliman, që kishte emrin katolik Mark, dhe se ishin të angazhuar në realizimin e shërbesave fetare të tij. 
Pra, ky person në shoqëri ishte Maliq, kurse në shtëpi, në familje dhe në kishë ishte Mark.

Kush janë "laramanët", apo "Mark-Muharremët" politikë" të Luginës?

Ndërkaq, në politikëbërjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës, "laramanët", apo "Mark-Muharremët" politikë publikisht angazhohen për programe "patriotike" radikale të shqiptarve, siç është rasti i PDSH-së së Ragmi Mustafës në Preshevë, PD-së së Nagip Arifit dhe LPD-së së J. Musliut në Bujanoc.
Derisa PDSH e R. Mustafës kishte deklaruar si "synim" ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve, që kamuflohej kinse si qëndrim radikal, "patriotik" dhe i guximshëm shqiptar, kurse më vonë u zbulua dhe u demaskua si dorë e zgjatur e Daçiqit, duke u shtruar si qëndrim zyrtar i Serbisë nga kryenegociatori serb në Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel. 
Këtij opcioni politik serb iu bashkëngjitën edhe partitë shqiptare që qeverisin komunën e Bujanocit: PD dhe LPD, të cilët madje shkuan edhe më larg, duke krijuar koalicion qeverisës me të gjitha partitë politike serbe, kundër partive politike shqiptare: PVD dhe UDSH.
Natyrisht, me qëndrimet e tyre politike "radikale", këto parti politike shqiptare, ose "laramanët" apo "Mark-Muharremët" politikë të Luginës arrinin ta mashtronin një pjesë të votuesve shqiptarë, që u mundësoi ardhje në pushtet, pasurim marramendës personal dhe skëterrën, ambisin e degradimin politik e institucional dhe ekzodin masovik të shqiptarve, duke e boshatisur tmerrësisht Luginën e Preshevës.
Faktorët që ndikuan në këtë rrokullisje, mjerisht, ishin këta "laramanë" shpirtëshitur politikë, që me politikën dyfytyrëshe e ogurzezë antishqiptare arritën që në dekadën e fundit të shpërngulin pothuajse gjysmën e shqiptarve të Luginës, të mbyllin gjykatat në Preshevë e Bujanoc dhe t'i transferojnë në Vranjë, t'i mbyllin firmat e shqiptarve dhe t'i avancojnë e përparojnë vetëm firmat e tyre private, të kusherinjve, partiakëve e tarafëve të tyre antishqiptarë, që ia kanë zënë frymën shqiptarizmit në Luginë.
Këta "laramanë politikë", ditën ankohen dhe derdhin "lotë krokodili" se Serbia po na diskriminon, kurse me rastin e vizitës së kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në vitin 2015, kryetari i PDSH-së dhe i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, jo vetëm që nuk e kritikoi dhe denoncoi Serbinë për politikën e saj antishqiptare dhe diskriminuese ndaj shqiptarve të Luginës, por, përkundrazi, për trishtimin dhe tmerrin e paimagjinueshëm, ky e dekoroi me "Mirënjohje"  ( Zahvalnica) "për meritat dhe kontributin çështjes së shqiptarve të Preshevës"!!!

Me këtë Ragmi Mustafa e hoqi maskën e "laramanit" dhe e tregoi fytyrën e vërtetë të argatit politik të Qeverisë së Serbisë dhe të demagogut, mashtruesit dhe "matrapazit politik pa ndjenja shqiptare", siç e quajti kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kur zbuloi lojën dyfytyrëshe dhe tradhëtare të tij lidhur me Lapidarin e UÇPMB-së, premtimin e rrejshëm dhe qyqar të dorëheqjes me rastin e heqjes spektakolare nga xhandarmeria serbe, në mëngjesin e hershëm të 20 janarit 2013, duke e lënë Lapidarin plotësisht të pambrojtur. 
Madje, ata fare as që e prishën gjumin, duke qenë tërë kohën në kontakt, bashkëpunim dhe bashkëveprim me Qeverinë e Serbisë!

Organizatave ndërkombëtare: USAID (CHF) të SHB-ve, që pas luftës së UÇPMB-së të vitit 2000-2001, ka bërë investime kapitale në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, me ardhjen e PDSH-së në Preshevë dhe partive të Nagip Arifit dhe Jonuz Musliut me partitë serbe në Bujanoc, iu mbyllën dyertë dhe ata u detyruan ta mbyllin zyren e vet në Preshevë. Si koordinator i tyre që isha unë, nga viti 2001-2008, kemi realizuar projekte shumë të rëndësishme dhe ia kemi prerë rrugën korrupsionit dhe keqmenaxhimit në themel. 

Por, pushtetarët "laramanë" u kujdesën që t'i shporrin nga Lugina Amerikanët, këta miq të mëdhenjë të shqiptarve, për t'ia hapur rrugën mafiozllëkut dhe punëve të pista, duke e përdhosur e zhvatur buxhetin komunal të Preshevës dhe Bujanocit për faqe të zezë, në mënyrë kriminale e banditeske dhe duke e shtuar edhe më skamjen dhe mjerimin e shqiptarve të kësaj ane. 

Ata vepruan njësoj edhe ndaj UNDP-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, që kanë dhënë kontribut të madh ekonomik, financiar e politik për Luginën.
Me veprimin e tyre makabër "laraman"dhe thellësisht antishqiptar, këta i kontribuan mospërfshirjes së çështjes së shqiptarve të Luginës në Dialogun e Brukselit, në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, të nënshkruar nga Hashim Thaçi, si dhe në ate të 25 gushtit 2015, të nënshkruar nga kryeministri aktual i Kosovës, Isa Mustafa.

Gjithashtu, arritën që Këshillin Kombëtar të Shqiptarve ta reduktojnë, madje ta përgjysmojnë: nga 29 këshilltarë, në 15 këshilltarë, si dhe duke ia reduktuar skajshmërisht kompetencat e mëparshme.

Andaj, nuk është për tu çuditur se pse Luginën e Preshevës e ka kapluar dhe katandisur një 
sfilitje dhe zhgënjim tragjik i të gjithë shqiptarve!

Politikbërja e shqiptarve të Luginës është shndërruar në llomotitje të pakuptimtë, kurse performansa e pushtetarëve lokalë, në zhvatje të tërbuar të vlerave materiale e kombëtare dhe në vrapim kanibalist, të pangopshëm, drejtë pasurimit të shfrenuar dhe të paligjshëm, madje edhe duke e shitur e përdhosur tmerrësisht dinjitetin, të tanishmen dhe ardhmërinë e Kosovës Lindore apo Luginës së Preshevës.
Fitohet përshtypja se apatia dhe gjendja e pa pashpresë që gjatë kohë e ka mbërthyer këtë pjesë të gjeografisë shqiptare, sikur po ia ndihmon kësaj qeverisjeje makabre që e ka ngulfatur çdo lëvizje e çdo shpresë, sado të vakët për ndaljen e ekzodit dhe boshatisjen alarmante të këtyre trojeve tona stërgjyshore.

Mbase kanë filluar të ngjallen shpresat se politika "laramane" e shqiptarve shpirtëshitur do të frenohet me zgjedhjet kokale e parlamentare të 24 prillit dhe se, më në fund, komuna e Preshevës dhe ajo e Bujanocit do shpëtohen nga kthetrat e "shqiptarve me maska" ose si kanë filluar të quhen "laramanë"  politikë, shpirtshitur, mafiozë dhe të korruptuar deri në palcë, pa moral, pa kredibiltet e pa dinjitet  njerëzor dhe kombëtar!

No comments:

Post a Comment