Sunday, March 27, 2016

Koalicioni PDK-AAK, i (pa) mundur?



Shkruan: Nehat Hyseni

Këto ditë sërish u riaktualizua ideja mbi koalicionin e mundshëm PDK-AAK, që kësaj radhe "pretendohet" nga Naim Maloku.
 Por, gjatë vikendit, më 27 mars 2016, AAK e "demanton" idenë "se mund të jetë pjesë e Qeverisë"!
Kjo lojë fjalësh e "ideshë" , ma merr mendja se e ka burimin tek nevoja e ngutëshme për pushtet, si  dhe nga humbja e shpresës së kësaj partie në "Opozitën e bashkuar", pjesë e së cilës ishte deri tani, por sa duket, shumë vështirë mund të pritet se do të jetë akoma. 

Arsyet për këtë "mëdyshje" të AAK-së, mbase u qartësuan edhe me "dorëheqjen e parevokueshme" nga anëtarësia në AAK e deputetes dhe kryetares së grupit parlamentar, figurës emblematike dhe tejet të rëndësishme të kësaj partie, zonjës Donika Kada-Bujupi, sepse ishte "zhgënjyer dhe indinjuar me qëndrimin joparimor" të kësaj partie lidhur me idenë mbi formimin e Alternativës demokratike për rrëzimin e Qeverisë aktuale dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme parlamentare.
Kam përshtypjen se zonja e nderuar vonë e ka kuptuar se partitë politike në Kosovë, e aq më pak AAK, udhëhiqen nga parimet programore. Kauzë e vetme e tyre është marrja e pushtetit, prandaj për këtë ata/ato janë të gatshëm të thyejnë çdo parim, çdo program e çdo premtim.

 Kurse, siç u pa puna shumëherë deri më tani, AAK të vetmin parim dhe program politik e ka marrjen e postit të kryeministrit. Prandaj, rrjedhimisht, për këtë pretendim të saj, kjo parti është e gatëshme të thyej çdo parim, pa asnjë përjashtim!

Kjo u dëshmua edhe me koalicionin VLAN, i cili u shpërbë dhe dështoi pas gjashtë muajsh qëndrese, kryesisht për shkak të këmbënguljes së Ramush Haradinajt për tu bërë kryeministër, duke shkelur parimet e proklamuara dhe moton e këtij koalicioni: "pamundësimin e PDK-së për të qenë pjesë e qeverisjes së Kosovës, edhepse i kishte fituar zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014. 
Madje, kjo parti shkoi edhe më larg, duke i ofruar PDK-së koalicion, i cili u pengua në orët e fundit nga ambasadorja e SHBA-së, me arsyetimin që të "mos krijohej Qeveria vetëm nga krahu i luftës"(!), duke preferuar koalicionin aktual: LDK-PDK, me Isa Mustafën kryeministër.
Por, reagimi i mëvonshëm dhe akuza e kësaj partie ndaj LDK-së dhe z. Mustafa personalisht nuk ka pushuar asnjëherë deri më sot, duke e shpallur si "tradhëtar", e çka jo tjetër, si dhe fajtor për prishjen e kialicionit VLAN?!
Opinionit kosovar AAK i ka mbetur borxh t'i sqaroj se pse për LDK-në dhe Isa Mustafën ishte "tradhëti" koalicioni me PDK-në, kurse për AAK-në dhe Ramush Haradinajn nuk ishte tradhëti?! 
Prandaj, edhe protestat e Opozitës ishin të "kontaminuara" me "tradhëti" dhe joparimësi të tilla, që binin ndesh me parimet e deklaruara të saj, duke e bastardhuar kauzën e opozitës aktuale, ngjajshëm me atë të prishjes së ish koalicionit VLAN.
Pse e them këtë?
Sepse, siç po shihet edhe sot, Naim Maloku është person tepër i afërt me kreun e AAK-së dhe "ideja" apo propozimi i tij për koalicionin AAK-PDK zor se mund të jetë ide e rastit, pa konsultimin dhe pëlqimin, mbase edhe inicimin nga vet z.Haradinaj, për ta hedhur në opinion si "balon provues", si mathe të pulsit politik në momentin aktual.
Por, pse pikërisht tani na paraqitet ky "balin provues"?
Sepse, pas 7 prillit 2016, kur Hashim Thaçi zyrtarisht e merr ushtrimin e postit të Presidentit të Kosovës, sipas të gjitha gjasave, ky do jetë edhe fillimi i fundit të Qeverisë Mustafa.
 Sepse, PDK, pasi që arriti qëllimin e saj kryesor për ta marrë postin e Presidentit, meqë sondazhet tregojnë se ajo është parti e parë, do i bashkëngjitet kërkesës së Opozitës për shpallje të zgjedhjeve të jashtëzakonëshme parlamentare, të cilat llogaritë se do i fitoj me lehtësi dhe do e fitoj edhe postin e Kryeministrit dhe do e qeverisë vendin edhe më fuqishën se kurdoherë më parë!
Bindja e këtillë mbështetet edhe në dështimet e protestave të Opozitës, sidomos "grushtit vendimtar" që e mori më 26 shkurt 2016, kur nuk arriti ta shfrytëzoj pakënaqësinë ekstreme të popullit të Kosovës, që sipas disa sondazheve arrinte në mbi 80% kundër Thaçit, madje edhe të elektoratit të LDK-së dhe të disa deputetëve të saj!

Ky ishte dështim fatal i Opozitës dhe humbje definitive e shpresave të popullit në metodat dëshpruese e militante, madje edhe (pothuajse) terroriste të hedhjes së gazit lotësjellës në sallën e Kuvendit, që sa duket e ka irrituar deri në palcë popullin e Kosovës, duke forcuar bindjen se, megjithatë, edhe përkundrejtë të gjitha dobësive, të këqiave e mangësive, se koalicioni aktual qeverisës LDK-PDK është "e keqja më e vogël" e Kosovës, se sa Opozita anarkiste që realisht i ka shpallur luftë (pu) shtetit të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, koalicioni i (pa) mundur eventual PDK-AAK, ekziston bindja e fortë në popull, por edhe tek faktori ndërkombëtar , se do ishte varianti më i keq, më i rrezikshëm dhe më i padëshirueshëm i mundshëm!

Prandaj, një koalicion i tillë, edhe poqese do ekzistonte vullneti dhe dëshira e madhe e këtyre partive dhe liderëve të tyre, megjithatë kurrësesi nuk do të lejohej dhe realisht do ishte i pamundur.

No comments:

Post a Comment