Saturday, January 23, 2016

Vdekja enigmatike e Qenan Shaipit në delegacionin me Titon në Meksikë



Shkruan: Nehat Hyseni

Vdekja tragjike e Qenan Shaipit, më 12 mars 1976, ai gazetar raportues nga Radio Televizioni i Prishtinës me delegacionin e Titos, në Kankun të Meksikës.

Edhepse kaluan 40 vjet nga 
kjo tragjedi, akoma nuk është zgjidhur kjo enigmë dhe ky mister i vdekjes së tij, në lulen e rinisë, në moshën 29 vjeçare, duke e lënë bashkëshorten Sabaheten në moshën 26 vjeçare, bijën Zanën 5 vjeç dhe djalin Agonin në moshën dy vjeç e gjysmë.
Lidhur me rethanat e dyshimta tê përfundimit misterioz e  tragjik të jetës së tij, 
biseduam me një mikun tim, intelektual i çmuar dhe punëtor e veprimtar i palodhshëm i kauzës tonë kombëtare, lidhur me informacionet mbi rethanat e vdekjes së Qenan Shaipit.

Takimin e mbajt, në Prishtinë, më 26 janar 2016. Ai më tregoi se në vitin 2004 kishte udhëtuar zyrtarisht në Shqipëri dhe atje kishte takuar një shqiptar çam, nga Konispoli, i cili i kishte treguar se në kohën e Enver Hoxhës kishte qenë ushtarak i lartë dhe se kishte njohuri për vdekjen e Qenan Shaipit, në Kankun të Meksikës. 

Sipas tij, Qenan Shaipi qenka angazhuar si  përkthyes midis Titos dhe Mehmet Shehut, në takimin e tyre në anijen "Galeb", të Titos. 
Pas takimit, Mehmet Shehu qenka interesuar për prejardhjen ose origjinën familjare të Qenan Shaipit dhe pasi që paska marrë informatat e kërkuara prej tij në rrugë  të shërbimit sekret të tij, paska kuptuar se Qenan Shaipi i përket familjes së Ibrahim Kelmendit, si ballist dhe njëri nga udhëheqësit e NDSH-së. 

jKy informacion e paska shqetësuar fort Mehmet Shehun!
Prandaj, ai paska pasë urdhëruar që të likuidohet Qenan Shaipi?!
Pastaj, ky person thekson se për këtë takim paska shkruajtur Enver Hoxha në librin "Titistët", që e ka shkruajtur në vitet 1981/82., dmth. 5-6 vjet pas vdekjes së Qenan Shaipit.

Meqë këtë libër e kam lexuar dhe shfletuar disa herë, por nuk më kujtohej të kem lexuar për atë takim, më 17 janar 2016 e mora sërish në dorë për ta shfletuar me kujdes.
Enver Hoxha shkruan në kontekstin e tradhëtisë dhe justifikimit të "vetëvrasjes" së Mehmet Shehut, nga faqja 521 në kapitullin X -"Në luftë të hapur me Titistët", ku thuhet: 

"Në vitet 1970. Agjenturat perëndimore e ajo titiste i japin urdhër Mehmet Shehut të hidhet në veprim".
Ndërsa, në faqen 564, E. Hoxha shkruan: "Mehmet Shehu u bis për në Nju-Jork në krye të një delegacioni qeveritar për në OKB. Ai udhëtoi me transatlantikun anglez luksoz "Kuin Elizabet". Ne e dinim se me këtë anije udhëtonte edhe Titoja, por as që na shkonte mendja se Mehmet Shehu mund të takohej me Titon. Tani marrim vesh nga shoqërues që ishin bashkëpunëtorë të tij e që tani janë në burg se me këtë anije udhëtonte edhe Herri Fulci i CIA-s amerikane, edhe Randolf Çërçilli që ishte personalitet i Intelixhens Servisit e që në vapor u paraqit si gazetar. Mehmet Shehu, si agjent i tyre, bëri gjatë disa ditëve të udhëtimit takime e bisedime të fshehta me Titon, Fullcin e R. Çërçillin, u parashtroi gjendjen dhe qëndrimet e Partisë sonë, acarimet që po lindnin me Bashkimin Sovjetik dhe qëndrimin që mendonte ta mbante udhëheqja e Partisë sonë në Moskë".

Nga kjo shihet qartë, nëse mund t'i besohet Enver Hoxhës, se Mehmet Shehu kishte takime me Titon, me CIA-n amerikane (Herri Fulcin) dhe me Inteligens Service Anglez (Randolf Çërçillin), pa dijen e Enver Hoxhës.
Poqese del si e vërtetë, na del se Mehmet Shehu mund të ket pasur takim me Titon edhe në Meksikë, në Kankun, para 12 marsit 1976. 
Duke i parë raportet e dyshimit midis Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, që kishin të bënin me denoncimin e MISH-it (Mehmet Shehut) për lidhje të fshehta me Titon, amerikanët dhe anglezët, është e logjikëshme që Mehmet Shehu të jetë kujdesur për humbje gjurmësh nga ato "lidhje dhe takime".
 Mbase, edhe Qenan Shaipi, poqese del si e vërtetë se ka qenë i angazhuar si përkthyes në takimet e tyre, realisht mund të jetë viktimë, mbase për të humbur gjurmët dhe për ta ruajtur si sekret këtë takim.

Sidomos, poqese Mehmet Shehu do jetë takuar me Titon, CIA-n dhe I. Service, pa dijeninë e Enver Hoxhës?!
E vërteta për këtë, mbase mund të gjendet në Arkivin Shtetëror në Tiranë.
Por, nga kjo që u tha, na lindin shumë pyetje:
1. Pse Qenan Shaipi u ftua në delegacion me Titon për të shkuar në Meksikë, në momentet e fundit? (dëshmia: Qemal Hasani-shoku i tij më i ngushtë i punës);
2. Si u bë puna që për herë të parë në delegacion me Titon, në udhëtimet jashtë shtetit të ftoheshin edhe shqiptarët e Kosovës? 
3. Pse Fadil Bujari, gazetar i "Rilindjes", që ishte bashkë me Qenanin në Meksikë, si gazetar që raportoi pas Qenanit për TVP-në dhe "Rilindjen", asnjëherë nuk e pa të udhës ta takonte familjen e Qenan Shaipit?
4. Mahmut Bakalli. që rregullisht vinte në mëngjez dhe qëndronte tërë ditën te na në shtëpinë tonë në të pame dhe kthehej në Prishtinë në mbrëmje, së bashku me 10-12 komba e kerra që udhëtonin me te, asnjëherë nuk na foli më shumë se "Qenani u mbyt në bazen (pishinë), kurse tani na del verzioni apo e vërteta se Qenani na qenka mbytur "në det të hapur", ku ishte së bashku me gazetarët dhe reporterët e Novi Sadit, Kroacisë dhe qendrave tjera informative të Jugosllavisë së atëherêshme? 
5. Pse nuk u lejua që t'i plotësohej dëshira e nënës së Qenanit që të hapej arkivoli që "ta puthë edhe ta shif çka mi bonën djalit"?!
6. Kufoma kishte një tê mavijosur në pjesën mbi syrin e majtë, që mund të jet shkaktuar nga ndonjë lëndim fizik, dhe mbeti enigmë, pa na e sqaruar askush se prej nga vinte ky lëndim?   
 Ka edhe një mori pyetjesh të tjera që kërkojnë përgjigje dhe sqarim, që së paku me rastin e 40 vjetorit të vdekjes, të sqarohen. 
Andaj, ju lusim që bashkërisht të angazhohemi për zbardhjen e këtij misteri dhe enigme të vdekjes tragjike të këtij biri të madh dhe intelektuali të ri dhe të palodhshëm për kauzën tonë kombëtare.

No comments:

Post a Comment