Tuesday, January 26, 2016

TË LAJTHITURIT E LUGINËS





Shkruan: Nehat Hyseni

Këto ditë u (ri)paraqit ideja për "shkëmbim territoresh" nga
 shefi i  zyrës së Rusisë në Kosovë, Andrej Shugurov, midis Kosovës dhe Serbisë, dmth. të Luginës së Preshevës me veriun e Kosovës.
Kjo ide e Shugurovit për ndarje të Kosovës ishte paraqitur para disa vitesh edhe nga kreu i Partisë Socialiste të Serbisë, pasuesit të Sllobodan Millosheviqit, ish kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq. 

Madje, siç pohonte ai vet, këtë ide dhe propozim ai e kishte paraqitur edhe në Dialogun e Brukselit për normalizimin e marëdhënieve Kosovë-Serbi, si shef i palës negociuese të Serbisë. 

Mirëpo, kjo ide e Daçiqit nuk ishte mbështetur nga përfaqësuesja e lartë e Këshillit të BE-së, Baronesha Catherine Ashton.

Natyrisht se ideja e tillë ishte kundërshtuar kategorikisht nga pala negociuese kosovare si dhe nga mbarë opinioni shqiptarë, meqë bënë fjalë për copëtimin territorial dhe ndarjen e Kosovës, si dhe për pezullimin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

 Si e tillë, kjo ide makabre është kundërshtuar dhe kundërshtohet fuqishëm edhe nga të gjitha partitë politike shqiptare të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë she të Luginës së Preshevës. 

Por, megjithatë, sado e pabesueshme të duket, megjithatë kishte një përjashtim. Nga kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare nga Lugina e Preshevës  z. Ragmi Mustafa, kjo ide e Shefit të zyres Ruse në Beograd, Shugurovit dhe Ivica Daçiqit, për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, mbështetej fuqishëm! 

Madje ai ishte shumë i zëshëm dhe agresiv në paraqitjen e kësaj ideje serbo-ruse, duke pretenduar që t'i del zot si "autor" i saj.
Paradoksalisht, kjo ide në disa media cilësohej si "radikalizëm" ose "ekstremizëm shqiptarë", kurse nga disa shqiptarë të Luginës, kryesisht të proviniensës politike të PDSH-së së Ragmi Mustafês, përjetohej dhe pretendohej të plasohej si "patriotizëm" i shqiptarve të Luginës dhe si "shansë për t'iu bashkangjitur Kosovës"!

Kjo "lajthitje" e z. Mustafa, për përfitime dhe beneficione të ndryshme nga Serbia për ate personalisht dhe për kompanitë private që janë "sponzoruese" të partisë së tij, PDSH-së, do të vazhdonte akoma edhe sot të na shitej si "patriotizëm shqiptar", po të mos dekonspirohej nga vet autoritarët serbo-rusë, të cilët  do të deklaroheshin publikisht reth kësaj "ideje", duke e zbuluar botërisht autorësinë e pakontestueshme  serbo-ruse të saj.

Pra, duhet falemnderuar Shugurovin dhe Daçiqin për këtë vetëzbulim dhe vetëdekonspirim, sepse në të kundërtën, dëmi nga 
"patriotët shqiptarë" që mbështesin politikat serbo-ruse në Luginë, do të ishte edhe më i madh!


No comments:

Post a Comment