Monday, January 25, 2016

Shqipëria dhe Kosova, kampione europiane për korrupsion!



Shkruan: Nehat Hyseni

Këto ditë u publikuan të dhënat për nivelin e korrupsionit në reth 175 shtete në botë. Kosova ishte radhitur në vendin e 110-të, kurse Shqipëria edhe më zi, në vendin e 111-të!

Ky rekord i nivelit të lartë të korrupsionit këndej e andej kufirit i radhitë shqiptarët me vendet afrikane e aziatike, por kurrësesi me vendet europiane. 

Pa dyshim se kjo statistikë dëshpruese nuk i bënë nderë shqiptarve kudo që janë dhe tregon nivelin e ulët të karakterit e moralit të munguar të tyre shtetformues, demokratik e njerëzor.

Mburrjet tona folklorike me Skënderbeun e Ismail Qemalin, Isa Boletini e AzemBejtën e Shote Galicën, zor se na ndihmojnë për t'u arsyetuar e aq më pak për t'u shfajësuar para botës së përparuar demokratike dhe miqëve tanë strategjikë ndërkombëtarë për moralin tonë të munguar politik, mungesën e atdhedashurisë dhe korrupsionit alarmant.
Sepse, korrupsioni është emërtim "modern" për hajninë, si fenomen i turpshëm, i pamoralshëm, joburrërorë e jonjerëzorë, që është i ndëshkueshëm në të gjitha vendet dhe shoqëritë e civilizuara në botë.

Pra, shqiptarët janë vetëpërjashtuar nga Europa, meqë kanë nivel tepër të lartë të korrupsionit (lexo: hajnisë), që aktualisht i (vetë) përjashton nga familja e shteteve dhe popujve të civilizuar e përparuar të Europës dhe botës.

Derisa historinë tonë të shumëvuajtur kombëtare e karakterizonte terrori dhe padrejtësitë e shkaktuara nga agresorët dhe okupatorët e sunduesit e ndryshëm dhe frika nga fqinjët armiq dhe të pabesë, të cilët kurdoherë i bashkonte emruesi i pêrbashkët i tyre, urrejtja antishqiptare dhe uria dhe etja e tyre për tokat dhe gjakun shqiptarë.

Historia e fundshekullit XX dhe fillimshekullit XXI shënoi një kapitull të ri për shqiptarët, meqë Shqipëria u çlirua nga regjimi komunist, kurse Kosova u çlirua nga Serbia pas 87 vitesh robërie. Perspektiva për shqiptarët u hap dhe dukej se atyre i buzëqeshi fati i ardhmërisë së lumtur dhe se shekulli XXI do ishte me fat dhe mbarësi për ata. Kjo aq më parë, meqë Kosova nga 17 shkurti 2008 u shpall shtet i pavarur, duke realizuar kështu ëndrrat më sublime të gjeneratave të panumërta për liri e pavarësi, për të cilin ideal u sakrifikuan breza të tërë dhe flijuan jetën bijat dhe bijtë më të mirë të Shqiptarisë.

Kurse sot, nga personat e veshur me pushtet e përgjegjësi, abuzohet  për qëllime të pasurimit personal të tyre. Sektorë të rëndësishëm të shoqërisë dhe shtetit janë cilësuar si vatra të korrupsionit, si psh. shëndetësia, gjyqësia, administrata, etj. që paraqet rrezik për të tanishmen dhe për ardhmërinë e këtij vendi, meqë dëmton rëndë investimet e huaja dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës.

Zhgënjimi i thellë i popullit, sidomos pas ngërçit politik gjashtëmujor manifestohet me ekzodin e sidomos të të rinjëve, që ka marrë përmasa alarmante. 

Mbase është koha e fundit që të këndellemi dhe të reflektojmë si shoqëri, konformë kauzës sonë kombëtare, që kërkon eliminimin urgjent të kësaj dukurie negative dhe të kontribuojmë për kthimin e shpresës dhe besimin në vetveten, se edhe këtu mund të jetohet mirë dhe t'i vejmë vetes obligimin patriotik për ndërtimin e së ardhmes sonë më të lumtur.


No comments:

Post a Comment