Tuesday, January 12, 2016

Qeveria "tradhtare" dhe Opozita "patriotike"!

 


Shkruan: Nehat Hyseni 

Partitë opozitare në Kosovë kanë shpikur një formë shtesë të "korrigjimit" të zgjedhjeve, me demek, si një formë riprovimi, se mos ndoshta populli, pra votuesit, meqë votimi bëhet gjatë vikendit, dyshohet në mundësinë se paskan qenë të dehur dhe nuk paskan ditur se çka kanë votuar?!
Madje, aq paskan qenë të dehur, sa që paskan bërë "hatanë" dhe paskan ngatërruar partitë dhe paskan lënë "të mirët" pa i votuar, duke i lënë në opozitë. 
Kurse, kjo ngatërresë paska bërë rrëmujë situatën, duke i votuar "tradhëtarët", të cilët përbëjnë 3/4 e Parlamentit, duke lënë "patriotët" , që përbëjnë çerekun e tij, në minorancë, dmth në opozitë.

Prandaj, misioni i "shenjtë" dhe "patriotik" i opozitës është që tani me protesta, dmth me trysni nga rruga ta përmirësojnë rezultatin e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, t'i heqin "tradhëtarët" nga pushteti dhe të vendosen vet, këmbëkryq në pushtet.

Pra, ta sqarojmë deri në fund muhabetin, të mos mbeten dilema, se "populli e dashka opozitën, por qenka mashtruar" (si i dehur), dhe paska votuar (gabimisht) mazhorancën aktuale, e cila përbën tre çerekë të Kuvendit të Kosovës.
Cila është kauza e opozitës?

"Kthimi i sovranitetit të Republikës", thonë ata, si dhe "zhdukja e korrupsionit dhe hajnisë"!
Kush e thotë këte?

Këte e thotë, pikërisht, koalicioni VV-AAK-Nisma, se janë "besatuar" se kundër "Zajednicës", Demarkacionit, hajnisë e korrupsionit do të luftojnë, deri në fund, që i bie, deri në rënien e Qeverisë.

Pra, këte e thotë AAK, e cila në sytë e kosovarve shikohet si parti e reketit, shantazhsve, vrasjeve dhe krimeve të pafund!
Kurse, "Nisma", lideri i të cilës, Fatmir Limaj, ishte në pushtet dhe udhëhiqte ministrinë e cila kishte buxhetin më të madh se mbi gjysma e Qeverisë dhe ishte korruptuar skajshmërisht. 
Prandaj, proçeset gjyqësore të gjykimeve për korrupsion të lidershipit të saj, akoma nuk kanë përfunduar.
Moralisht, opozita nuk është aspak më e pastër se opozita. Së paku, mendoj se kështu i percepton populli. 
Shkurt e shqip, kjo i bie, sipas thënies së vjetër: "po të shkoj Kurta, do të vij Murta", në pushtet! 
Kurse, problemet do të mbeten, madje jemi të bindur se do të përkeqësohen edhe më zi!
Por, duhet marrë parasysh faktin se opozita pretendon se ka "atu" të fortë në dorë, "Zajednicën" dhe Demarkacionin, të cilat i konsideron si "prona" për "patriotizëm deri në marrje në pushtet"! 
Kurse, e dijnë fare mirë se, në prapaskenë, si hije, plotë errësirë e kërcnim për të gjithë kriminelët, të strehuar në pozitë dhe opozitë, si "shpata e Demokleut", qëndron domosdoshmëria e formimit të Gjykatës Speciale, që do merret me gjykimin e tyre.

Andaj, gazi lotësjellës i opozitës në Kuvendin e Kosovës ka të bëjë edhe me "shkeljen e syrit" nga kryeparlamentari Veseli, si udhëheqës apo menaxher i të gjithë kriminelëve të të gjitha partive, në diverzionin e tyre kundër punës normale të Kuvendit të Kosovës, meqë do hiqeshin pengesat dhe do pëshpejtohej procesi i formimit të Gjykatës Speciale dhe gjykimi i kriminelëve, që përfshinë deputetë e liderë nga të gjitha partitë politike shqiptare.
Megjithatë, pa marrë parasysh pretendimet e opozitës për rrëzimin e Qeverisë, me veprimet e saja kriminele, siç ishte rasti në protestën e 9 janarit 2016, ajo po e forcon edhe më Qeverinë dhe mazhorancën në Parlament.  
Rrugët e Prishtinës u shndërruan në fushëbetejë të vërtetë, ku arsenali luftarak i koktejve të "molotovit" ishte i përmasave të tmerrëshme, që na befasoi aq keq dhe na bindi se kjo opozitë ishte përgatitur për luftë më 9 janar 2016, e jo për protestë, madje "të padhunëshme", siç deklaruan kreu i opozitës. 
Nëse do cilësoheshin këto si protesta të padhunëshme, që ia vunë flakën Qeverisë, i hudhnin "molotovë" policisë, i gjuanin me gurë dhe ua rrezikonin seriozisht jetën atyre, i gjuanin me koktejë "molotovi" dhe me gurë të mëdhenjë e gjësende të tjera autoblindave të policisë, duke i dëmtuar rëndë disa prej tyre dhe duke u sjellur me vandalizma të papranueshme, etj.
Pra, nëse aktet e përmendura të dhunës së tillë barbare tē protestuesve të opozitës në protestën e 9 janarit 2016, nuk mjaftojnë për t'i trajtuar e gjykuar ato si të dhunëshme dhe të papranueshme, atëherë, vërtetë nuk e dijmë se çka nënkuptojnë ata me protesta të dhunëshme?

Sepse, atë ditë, vetëm kallashnikovët kanë munguar!

Kurse, gjithçka tjetër nuk ka munguar, për tu quajtur kryengritje, apo luftë qytetare, e shkaktuar nga opozita, për ta hrabitur pushtetin me dhunë.
Zgjedhje parlamentare në Kosovë në vitin 2016, nuk do të ket edhe për faktin se mazhoranca qeverisëse aktuale është tejet stabile dhe përbë 3/4 e Deputetëve të Parlamentit të Kosovës, pra një shumicë stabile, të mjaftueshme madje për të marrë vendime më delikate, që kërkojnë shumicë të kualifikuar, dmth që kërkojnë shumicën prej 2/3, siç është çështja e ndryshimit dhe plotësimit të Kushtetutës së Kosovës, etj.
Pastaj, dihet tashmë se në Serbi janë caktuar zgjedhjet lokale për 24 prill 2016, pa ato parlamentare, siç ishte paralajmëruar më parë. 

Ndërkaq, e dijmë se, për shkak të mosndërprerjes së dialogut të Brukselit, si dhe për shkak të obligimeve për nxjerrjen e Ligjit për formimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, sado që të ketë gaz lotësjellës, tymnajë e protesta të opozitës, megjithatë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ket.
Këtë fakt e din, madje fare mirë edhe opozita aktuale e Kosovës.
 Por, sa duket, nevoja, dëshira dhe oreksi i papërmbajtur për pushtet, lidershipit të saj, tmerrësisht  ua ka verbuar sytë dhe ua ka errësuar mendjen, me bindjen se atyre "u ka ardhur dita", se pretendojnë se e kanë bindur popullin, se pozita janë "tradhëtarët", kurse opozita janë "patriotët" dhe se rrëzimin e opozitës dhe grabitjen e pushtetit, mbase, e quajnë "punë të kryer"! 

Kështu, do të instalohej "Republika e Tretë" e Albin Kurtit, e mbështetur nga opozita dhe do të shporrej "Qeveria tradhëtare" dhe do instalohej "Opozita patriotike" në pushtet, duke i zhdukur të gjitha të këqiat dhe duke e "lulëzuar" Kosovën, si "parajsë" e kësaj bote!

No comments:

Post a Comment