Friday, January 8, 2016

Protestat e opozitës, si "kauzë" apo si "trampolinë" për pushtet?!



Shkruan: Nehat Hyseni

Fundviti 2015 dhe ndërrimi i motmoteve në Kosovë kaloi relativisht qetë. Kryesisht, aktiviteti i opozitës përqëndrohej në paralajmërimin e "popullit të Kosovës", pra, jo vetëm të votuesve dhe simpatizantëve të vet, për protestën e 9 janarit, për të cilën ata pretendojnë që "ose do ta rrëzojnë", ose "do ta detyrojnë të dorëhiqet Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Mustafa"!

Pra, pretendimet e opozitës janë megalomane dhe utopiste!

Sepse, bëjnë "llogarinë pa hanxhiun", dmth pa atë se sa realisht do t'i përkrahë populli i Kosovës, me pjesëmarrjen e tyre në protestën e 9 janarit, për të cilën kreu i opozitës deklaron, gjykuar sipas deklaratave të Albin Kurtit, se do të jetë "e qetë dhe e padhunëshme".
Megjithatë, mbetet enigmatike të deshifrohet domethënia reale e këtyre fjalëve të liderit shpirtëror të opozitës, z. Kurti, meqë në fjalorin e tij politik, fjalët shpeshëherë nuk e kanë kuptimin real, por shpeshë dijnë ta ndryshojnë kuptimin deri në atë masë, sa që e ndryshojnë plotësisht kuptimin e tyre të mirëfilltë. Madje edhe marrin kuptim krejtësisht të kundërt. 

Protestat e "padhunëshme", shumë lehtë mund ta kenë kuptimin e dhunshëm, meqë turma e protestuesve mund t'i jep të drejtë vetes të depërtoj "padhunshëm" aty ku nuk e ka vendin, duke pretenduar të hyjë në zyrat e Qeverisë, apo në ato të Kuvendit të Kosovës, ashtu si bëri në protestat 24 janarit 2014, kur e sulmoi policinë dhe pastaj e akuzoi atë për dhunë! 
Madje, kësaj radhe, sipas disa paralajmërimeve, turma e protestuesve mund të ngujohet brenda ndërtesës së Kuvendit, apo të Qeverisë, duke kontrolluar e bllokuar e paralizuar plotësisht punën e Kuvendit dhe Qeverisë, deri në "dorëzimin" apo "kapitullinin" e tyre, që do të thotë, deri në rënien e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare.

Prandaj, nuk mund t'i besohet fjalëve të opozitës se nuk do të ket dhunë nëpër rrugët e Prishtinës, ngjajshëm me ngjarjet e para një viti.
Mirëpo, sipas të gjitha gjasave, problemi nuk përfundon me shpalljen eventuale të zgjedhjeve të jashtëzakonëshme parlamentare.
 Sepse, në ato zgjedhje, poqese nuk fiton "Republika e tretë" e Albin Kurtit, siç deklaroi ai vet para do kohe për emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut, beteja e tyre me protesta në rrugë dhe me rrëmujë në Parlament, do të vazhdoj me mospranimin edhe të atyre zgjedhjeve, deri në fitoren e tyre "definitive".
Opozita e udhëhequr nga prijësi i saj shpirtëror, Albin Kurti, si dhe nga pasuesit e tij, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn i ka hyrë rrugës maratonike drejtë marrjes së pushtetit "ja me hatër, ja me dhunë (luftë)"! 
Metodat e protestave, gjatë këtij "yryshi" të tyre të gjatë, varësisht nga rethanat, pritet që të ndryshojnë gjatë kohës.
 Por, sa duket, nuk do të pushojnë, meqë synojnë që me kauzat e tyre "patriotike" të anulimit të Marrëveshjes së Brukselit të 25 gushtit 2014, si dhe atë të Demarjacionit të kufirit me Malin e Zi, të nënshkruara nga kryeministri Mustafa në verën e kaluar, ta marrin pushtetin.

Pra, kemi të bëjmë me një "salto mortale", dmth të shndërrimit të kauzës, me të cilën, dorën në zemër, pajtohet shumica absolute e popullit të Kosovës se ato janë të dëmshme dhe se do ishim fatlum pa ato.
Mirëpo, problemi qëndron tek fakti se opozita, këto dy kauza kombëtare po i (keq)përdorë si "trampolina" dhe si shansë për ta grabitur pushtetin. Pra, këtu qëndron problemi real.
Sepse, po të mos ishte ky pretendim i opozitês, e cila derdhë "lotë krokodili" kundër "Zajednicës" dhe Demarkacionit, që janë brengë reale e popullit të Kosovës dhe e të gjithë shqiptarve, kudo që janë, opozitës do i bashkëngjitej në protesta i tërë populli dhe rënia e Qeverisë Mustafa do ishte "punë e kryer", madje para protestave të 9 janarit! 
Pra, edhepse shumica e kosovarëve janë kundër "Zajednicës" dhe Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që opozita synon t'i kapitalizojë si "kauzë patriotike" të veten, deklarativisht, kurse realisht e konsideron si mundësi e ardhjes së saj në pushtet, gjasat e saja, megjithatë, konsideroj se, realisht janë të vogla. Kjo për faktin se shumica e votuesve të Kosovës nuk i beson opozitës aktuale dhe nuk e don ate në pushtet. 
Sepse, Lëvizja Vetëvendosje me Albin Kurtin perceptohen si lëvizje komuniste dhe diktatoriale, e cila do na e përsëriste të kaluarën tonë të hidhur të fjalëve dhe ideve të mira e joshëse "për liri", "vëllazëri", "barazi" e patriotizëm, por që përfundimi tragjik i atyre "ideve të mëdha", na ka kushtuar shumë! Madje jo vetëm neve!

Kurse, AAK dhe Nisma, dorën në zemër, nuk është se "ia mbushin syrin" dikujt për fjalët dhe premtimet që i deklarojnë, për zhdukjen e korrupsionit, etj.

Prandaj, protestat e opozitës që do të fillojnë më 9 janar 2016, edhepse ka shumë pakënaqësi dhe arsye të pafund për të protestuar, megjithatë, realisht kanë shumë pak shansë që ta bindin popullin ose votuesit e Kosovës për rrëzimin e pushtetit aktual.

1 comment: