Saturday, January 9, 2016

Protesta e "molotovëve"!




Shkruan: Nehat Hyseni

E veçanta e protestave të 9 janarit 2016, në Prishtinë, ishte përdorimi tepër i madh i "koktejëve molotovë", sa që shumë shpejtë e morën emërtimin si "protesta të "molotovit".


Këto protesta ishin paralajmëruar gjatë kohë nga opozita e Kosovës, e cila paraqet opozitën më minore aktualisht në rajon, me vetëm 1/4 e numrit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kaloi në formë fushate parazgjedhore, në stilin: pozita është tradhëtare, po e shkelë sovranitetin e Republikës dhe është burim i të gjitha të këqiave në këtë vend, prandaj duhet rrëzuar! 
Pasi që nuk mundi ta merrë pushtetin Livizja Vetëvendosje, AAK dhe në fund Nisma, në të gjitha zgjedhjet parlamentare, që nga themelimi i këtyre partive e deri më sot, ata iu kthyen protestave, duke i shfrytëzuar ato për "kauzat" që më në fund i gjetën: Marrëveshjen e Brukselit dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Këto "kauza", ata pretendojnë se do t'i vendosin në pushtetin e "Republikës së tretë" të Albin Kurtit.
Për këtë arsye, ata me të vërtetë u dëshpruan shumë që i humbën, por tani po i shfrytëzojnë protestat "e padhunëshme" me gurë, fishekzjarre dhe vandalizma, si dhe me shishe me benzinë, apo me koktejë "molotovë", duke ia vënë flakën ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Ky ishte shkak i intervenimit të policisë për mbrojtjen e pasurisë publike dhe private nga protestuesit e tërbuar dhe militantëve të opozitës edhepse protestat ishin paralajmëruara nga kreu i opozitës, se "do të jenë të padhunëshme".
Megjithatë, në këto protesta pati aq shumë sulme të egra ndaj policisë me mjete të forta, si dhe me koktejë "molotovë", sa që u lënduan rëndë shumë policë dhe u dëmtuan aq shumë autoblinda të policisë, sa që padyshim ato mund të quhen si "protesta të molotovëve"!

Edhepse kësaj radhe numri i protestuesve ishte tejet i madh, madje opozita i cilësoi ato si "më masoviket në historinë 16 vjeçare të pasluftës", duke pretenduar se ishin mbi 100.000 protestues, megjithatë duhet konstatuar se jo të gjithë pjesëmarrësin në protestat e sotme, të 9 janarit 2016, ishin me opozitës. Sepse, në Kosovë so ka shumë arsye për të protestuar. 
Madje, jo vetëm për të protestuar!
Mjafton ta përkujtojmë ekzodin e kosovarëve vitin e kaluar, drejtë Serbisë, Hungarisë e gjithandej nëpër Europë.  Të gjithë sta ishin "protestues", madje protestues radikalë, të cilëve u kishte humbur plotësisht shpresa se Kosova do të bëhet vend i mirëqenies dhe joshës për të jetuar mirë. 

Prandaj vendosën t'ia mësyejnë rrugës plotë sfida, mundime, vuajtje, poshtrim e përbuzje, për të përfunduar në trajtim jonjerëzor e të pa dinjitet nëpër jampet e strehimit të refugjatëve në Europë. 

Meqë u ndalua rruga e emigrimit (të egër), atyre nuk u ka mbetur tjetër, por t'i shfrytëzojnë mundësitë për ta shprehur pakënaqësinë e tyre duke protestuar kundër këtij shteti, që nuk po u siguron jetë më të mirë, punësim dhe mirëqenie.
Por, të mos jesh i kënaqur me pozitën aktuale ekonomike e sociale në vend. kurrësesi nuk do të thotë se sta automatikisht janë me opozitën. 
Sigurisht se jo! 
Edhepse opozita po i "fërkon duartë", duke shpresuar se janë me te, dmth se janë votues të ardhshëm të opozitës dhe se do i ndihmojnë asaj në rrënimin e pozitës aktuale dhe për vendosjen në pushtet të opozitës aktuale.
 Kjo për faktin e thjeshtë se do të ishte çmendi që ndokush nga AAK, Nisma e bile edhe nga një pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje të mendoj se u beson populli se nuk janë kriminelë, të korruptuar e hajna, madje edhe më të këqinjë se pozita aktuale, një pjesë e të cilëve akoma janë duke u gjykuar për korrupsionin gjatë kohës sa kishin qenë në pozitë qeverisëse në të kaluarën!
Këto parti opozitare kishin kryer krime, kishin organizuar reket ndaj bizneseva dhe haraç ndaj popullatës, sa që vet Albin Kurti i kishte denoncuar publikisht, duke i emërtuar për krimet dhe të (pa) bëmat e tyre. Kurse tani këta  janë bërë "aleatë", në rrugëtimin e tyre drejtë marrjes së (pa) dhunëshme të pushtetit. 

Por, vallë, si u bënë aleatë, këta që aq shumë u denoncuan nga VV dhe Albin Kurti në të kaluarën?

Humbja e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, i bëri ata aleatë, që fillimisht, gjashtë muaj pas zgjedhjeve në koalicionin VLAN, kishin edhe LDK-në, duke siguruar mazhorancën e mjaftueshme parlamentare nga partitë shqiptare pa minoritetet. 

Por, në pamundësi që LDK të merr funksionin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo bëri marrëveshje koalicioni me PDK-në, duke i lënë në opozitë dhe të inatosur VV, AAK dhe Nismën.
Pra, siç po shifet, opozita VAN (VV-AAK-Nisma) nuk është një koalicion i mirëfilltë, që i bashkojnë kauzat e përbashkëta, siç pretendon ajo ta bindë popullin sot. 

Përkundrazi, programet politike të tyre dallojnë radikalisht midis vetit, si dhe performansa qeverisëse e deritanishme e disave prej tyre. 
Ajo që e bashkon opozitën e Kosovës aktualisht, është inati dhe mllefi ndaj kryeministrit Isa Mustafa, se "i tradhëtoi", duke i lënë ata në opozitë, me lëshimin e koalicionit VLAN nga LDK dhe vendodja e koalicionit qeverisës me PDK-në, e jo siç deklarojnë sot, duke derdhur "lotë krokodili" për "Zajednicën" dhe Demarkacionin.
Pra, edhepse gati askush në Kosovë sot nuk është i kënaqur me gjendjen aktuale në ekonomi dhe në shoqëri, si dhe me qeverisjen, megjithatë pak, shumë pak njerëz shpresojnë se me ardhjen e opozitës në pushtet gjendja do përmirësohej. 
Përkundrazi, unë jam i bindur se shumica e popullit të Kosovës, thellësisht është e bindur se, me ardhjen eventuale të opozitës në pushtet, gjendja edhe më zi do përkeqësohej e do bëhej edhe më "llugë" se tani.
Gjithësesi, "patriotizmi" i madh i opozitës, të cilës iu "dogj zemra" për Kosovën, është e koordinuar edhe me një pjesë të  pozitës, që është e menaxhuar nga kryeparlamentari Veseli, duke krijuar tymnajën e gazit lotësjellës dhe maskarallëqet e tjera të pengimit të punës së Kuvendit të Kosovës, është e lidhur me pengimin e formimit të Gjykatës Speciale.
Pikërisht, kjo është arsyeja reale e prapaskenave politike aktuale, që po i bënë të bashkëpunojnë mësheftas opozita dhe kundërshtarët e Gjykatës Speciale nga pozita, e jo "Zajednica", apo Demarkacioni, që u shërbejnë si arsye për protagonizmin "patriotik" të tyre për opinion.
Dëshmi për këtë është fakti se opozita nuk ka shansë që ta rrëzoj nga pushteti mazhorancën aktuale, veç tjerash edhe për faktin se duhet kryer punët dhe detyrimet ndaj BE-së për miratimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. 
Kurse, shpallja eventuale e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme parlamentare do e ndërprente përkohësisht dialogun e Brukselit, që nuk do i pëlqente miqëve tanë ndërkombëtarë. 

Pastaj, të gjithë e dijmë se zgjedhjet parlamentare në Kosovë varen nga ato në Serbi, për shkak të kontinuitetit të dialogut të Brukselit. 
Meqë e dijmë se në Serbi, gati është e sigurtë se më 24 prill, sipas të gjitha gjasave, do të mbahen vetëm zgjedhjet lokale, e jo siç pritej se do mbahen bashkë edhe ato parlamentare. 
Prandaj, sa duket, në Kosovë do të kemi akoma protesta, gaz lotësjellës, gurë, mbase edhe koktejë "molotovi", por jo dhe dorëheqje të Qeverisë Mustafa dhe zgjedhje të jashtëzakonëshme parlamentare.





No comments:

Post a Comment