Tuesday, January 26, 2016

PDK kapet për fije të kashtës!




Shkruan: Nehat Hyseni

Kalkulimet e ndryshme të PDK-së për të bërë ndonjë koalicion të mundshëm me cilëndo parti politike shqiptare, si duket janë shterrur. Sepse, janë pjekur kushtet që PDK të shkoj në opozitë.
Por, kur i rrezikuari nuk sheh shpëtim, atëherë kapet edhe për "fije të kashtës". Kështu, Hashim Thaçi dhe partia e tij duhet t'i falemnderohen Zotit që në radhët e veta kanë deputeten më të moshuar, prandaj përpiqen maksimalisht t'ia shofin hajrin kësaj rastësie. 
Madje, ata këtë e shfrytëzuan deri më tani, duke e bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës në mbledjen konstituive të 17 korrikut, për dy muaj. 
Gjithashtu janë duke e shfrytëzuar "rastësinë" tjetër, "filialën e tyre Kushtetuesen, si dhe Presidenten e Kosovës.
Tani shpresat e fundit të PDK-së janë tek kjo javë dhe tek deputetja Brovina, nëse do t'ia dalin disi ta imponojnë kryetarin e Kuvendit nga radhët e PDK-së. Sepse, realisht këtu i kanë mbretur shpresat e fundit. 
Prandaj, mendoj se do të tentojnë që ta imponojnë votimin e fshehtë, që do ishte sfida më e madhe, meqë do ta vente në pozitë tejet delikate Koalicionin LAN, sidomos lidhur me votat e minoriteteve, vota e të cilëve meqë nuk do të mund të kontrollohej, do të linte shumë dyshime dhe do ta hidhte në sipërfaqe brishtësinë e këtij koalicioni. 
Prandaj, votimin e fshehtë do të mund ta propozoj PDK, duke luajtur në kartën e "demokracisë", por Koalicioni LDK-AAK-Nisma nuk do ta pranonte kurrësesi, për arsyet e përmendura.
Ndërkaq  kishim edhe disa "lëvizje" dje, më 31 gusht, të një takimi "jozyrtar" midis krerëve të LDK-së dhe PDK-së. 
Natyrisht se në vigjilie të vazhdimit të mbledhjes konstituive të 17 korrikut të Kuvendit të Kosovës, takimet e tilla joshin vëmendjen e opinionit dhe mund të jenë indikative për "zhvillime" të caktuara, edhepse mohohet kategorikisht mundësia e një koalicioni midis këtyre dy partive më të mëdha të Kosovës. 

Por, sikur të ndodhëte ky koalicion, atëherë do të kishin shumicën absolute prej 67 deputetëve dhe do ta krijonin mazhorancën shqiptare bindëse të qeverisjes, pa pasur nevojë fare për votën e minoritetev dhe të partive tjera shqiptare. 
Gjithashtu, ky koalicion i "elefantëve" do ta linte skenën politike parlamentare pa opozitë të denjë, meqë me minoritetet do e krijonte shumicën prej 87 deputetëve, dmth mbi 2/3 dhe do ia kalonte edhe mazhorancës aktuale të koalicionit të socialistëve në Kuvendin e Shqipërisë.
Edhepse gjasat për krijimin e koalicionit të përmendur PDK-LDK aktualisht janë të vogla, megjithatë askush nuk mund të thotë se nuk mund të ndodhë absolutisht, jo vetëm se gjërat në skenën pitike shumëpartiake kërkojnë bashkëpunim dhe pesha e secilës varet edhe nga aftësia dhe mundësia reale e bashkëqeverisjes, por edhe nga shkaku i sjelljes kontraverze të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të saj Albin Kurtit.
Sjellja ultimative dhe tentativa utopiste e tyre për të qenë parti vendimtare në skenën politike kosovare, edhepse janë parti e tretë, që nuk e tejkalon 1/3 e PDK-së dhe gjysmën e LDK-së për nga numri i deputetëve të dalur nga zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare të 8 qershorit 2014. 

Paradoksi qëndron në faktin se VV ishte e para e cila doli në opinion për bojkotim të koalicionit me PDK-në.
 Por, ambiciet e tyre të tepruara, me elemente të arrogancës së padurueshme, si duket, krijojnë domosdoshmërinë për anashkalimin e tyre, meqë është krijuar bindja reale për  qasjen e tyre kategorike dhe shantazhuese në disproporcion absolut me fuqinë e tyre reale. 
Prandaj, VV gjithënjë e më tepër shikohet si partner i pasigurtë politik, si dhe për faktin se bashkësia ndërkombëtare i shikon si partnerë jo të dëshirueshëm për shkak të ngurtësisë së performansës së tyre politike dhe qëndrimeve të caktuara kategorike të tyre, që bien ndesh me agjendën e tyre politike për Kosovën.
Samiti i Berlinit i mbajtur më 28 gusht në Berlin shprehu një mbështetje domethënëse për shqiptarët, por edhe një qortim eksplicit kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera nevative tek ne, si dhe qortimin kundër zhagitjes së formimit të institucioneve të Kosovës. 
Andaj, mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet së shpejti dhe aty definitivisht do të qartësohen gjërat reth koalicioneve eventuale dhe formimit të institucioneve të Kosovës.

No comments:

Post a Comment