Tuesday, January 19, 2016

Na ishte njëherë një Lapidar në Preshevë!




Shkruan: Nehat Hyseni

Tre vjet më parë, Lugina e Preshevës dhe mbarë Shqiptaria, ishin tronditur thellë nga heqja spektakolare e Lapidarit të UÇPMB-së, në mëngjezin e acarrtë të 20 janarit 2013, para orës 7 , nga Xhandarmeria e Serbisë, duke e bllokuar qytetin dhe banorët, nga të gjitha anët me mijëra xhandarë të armatosur deri në dhëmbë, duke i trishtuar edhe fëmijët në djep!
Në ato ditë të kulmit të acarrit dimëror, Lugina e Preshevês dhe çështja e heqjes së Lapidarit, ishin vendosur në fokus të vëmendjes së opinionit të rajonit dhe më gjërë.


Pikërisht tre vjet më parë, dmth në janarin e vitit 2013, edhe kokat dhe gjakrat e "komandantëve" të Luginës, ishin nxehur tej mase, në garën e tyre të tregimit të "muskujve" dhe "ushtrive" të tyre, në mbrojtje të Lapidarit. Disa, si puna e Jonuz Musliut & company, kërcnonin se do ta mbronin atë me "500 ushtarë", disa të tjerë me më pak, por duke e ditur se numri i "komandantëve" në Luginë është i madh, edhe "ushtria", apo më mirë me thënë "ushtritë"e tyre na dilte se ishin "tejet të mëdha", që do e dridhnin nga themeli Ballkanin, kurse për mbrojtjen e suksesshme të Lapidarit, as që bëhej fjalë!
Pra, kishte megalomani të paparë, "heroizma" dhe gara të (çmendura) pafund, që jepeshin në formë prononcimesh e deklaratash për mediat shqiptare, por (për çudi) edhe për ato serbe dhe për mediat e europiane dhe botërore, me një eufori e agresivitet të paparë!

Si filloi "çështja" e Lapidarit?
Fillimisht, kryetari i komunës së Preshevës, që është edhe kryetar i PDSH-së, me një grup veteranësh të UÇPMB-së, kishin vendosur që me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ta porosisnin punimin e Lapidarit në Vllasotincë, afër Leskovcit, dmth 120 km nga Presheva, te një gurëgdhendës serb, punimin e Lapidarit (1200 euro) dhe ishin marrë vesh që i njejti mjeshtër ta vendosë atë para ndërtesës së Kuvendit Komunal, dmth në qendër të qytetit të Preshevës.
Kuptohet se ky Lapidar nuk kishte kurrëfarë vlere artistike, por vetëm disa pllaka ku ishin shkruajtur emrat e 28 dëshmorëve dhe ëmblema e UÇPMB-së.
 Vendosja e tij ishte bërë pa themel fare?! Vetëm ishte lëshuar mbi bazamentin me katrorë, që rrezikonte të rrëzohej nga era e fortë, apo nga prekja pa dashje e fëmijve apo qytetarëve. 
Pra, Lapidari ishte vendosur si "përkohësisht", pa u përforcuar me themel, siç vendosen monumentet dhe objektet tjerë.

Kurse, për inaugurimin solemn të Lapidarit, ishin thirrur vetëm pak çaste më parë, në minutat e fundit, përfaqësuesit e partive politike dhe të institucioneve të Preshevës.
Me rastin e "zbulimit" të Lapidarit, para shumë pak njerëzve, Z. Mustafa paska deklaruar me eufori e ngazëllim të papërmbajtur: "Unë e vendosa Lapidarin, tani le të vij Serbia që ta heq!!!"

Pra, çështja e Lapidarit ishte vendosur pa njoftimin dhe konsultimin e partive dhe subjekteve politike e institucionale të Preshevës! 

Ky ishte gabim i madh, qê nuk do duhej t'ia kishte lejuar vetes kushdoqoftë në Luginë të Preshevës, aq më pak për egoizëm dhe për poena të lirë politikë, që ashiqare i pretendonte Ragmi Mustafa me këtë rast t'i realizoj me vendosjen klandestine, madje as pa siguruar lejen për vendosjen e tij nga administrata komunale, në krye të së cilës ishte ai vet?!
Pastaj, reagimi, kundërshtimet dhe tërbimi i Serbisë kundër Lapidarit erdhën menjëherë, por vetëm pas vizitës së Edi Ramës dhe Pandeli Majkos në Preshevë, pak ditë më vonë dhe i bënë nderime Lapidarit. 

Kjo ngjarje, si duket, e  "zgjoi" Serbinë, e cila filloi me "breshëri" reagimesh e kundërshtimesh, që menjëherë u shndërrua në fushatë shtetërore të egër dhe të papërmbajtur, me ultimatume, kërcnime e me publikime nga më të ndryshmet nga Serbia, por kishim edhe eufori të deklaratave zjarrëndezëse të disa "komandantëve" shqiptarë të Luginës, që gjithësesi i shkonin për së mbari  këtij tërbimi antishqiptar të Serbisë, për t'i arsyetuar më vonë masat trishtuese represive ndaj popullatës shqiptare, që ka mbetur jetime dhe e pambrojtur, për ti detyruar ata që të shpërngulen dhe t'i lënë shkretë këto troje të tyre stërgjyshore.

Gara politike midis SPS-it famëkeq të Millosheviqit, që udhëhiqej nga pasardhësi i tij Ivica Daçiq, si parti e tretë për nga numri i deputetëve në Parlamentin e Serbisë udhëhiqte Qeverinë.

Prandaj, Daçiqi si kryeministër dhe si ministër i punëve të brendëshme, ishte në shënjestër të mazhorancës së SNS-it, si pasuese e Partisë Radikale të Vojisllav Sheshelit, që edhepse ishte partia më e madhe në Serbi, për shkak të rivaliteteve ekstreme me Partinë Demokratike të Tadiqit në atë kohë, i ishte nënshtruar shantazhit të SPS-it, duke u detyruar që t'ia jep postin e kryeministrit. 
Kjo gjendje politike në Serbi nuk ishte e qëndrueshme dhe manifestohej si rivalitet midis tyre ndaj Luginës dhe shqiptarve, që paraqiste garë të egërsisë ndaj shqiptarve, duke u zbërthyer nga votuesit serbë si garë e nacionalizmit dhe shovinizmit serbomadh, ashtu si ka qenë , duke  u shfryrë mbi kurrizin e shqiptarve të pafajshëm të Luginës.
Në anën tjetër, siç përmendëm, gara bënin edhe pala shqiptare, me ish komandantët e UÇPMB-së, duke ia lehtësuar paradoksalisht punën Qeverisë së Serbisë për të intervenuar dhe për ta hequr lapidarin.

Madje, pala shqiptare sillej tepër çuditshëm, duke u kërcnuar e "fryrë", por as që e bënte "lavrën e minit" për të organizuar kujdestari për ta mbrojtur.
Deklarata të "nxehëta" dha edhe Ragmi Mustafa në KTV, në emisionin e Adriatik Kelmendit, ku premtoi dorëheqjen e tij të parevokueshme nga posti i kryetarit të komunës së Preshevës dhe tërë funksionarëve e këshilltarve të kësaj partie.
Por, Serbia, në mëngjesin e hershëm të 20 janarit 2013 (e diel), me reth 2000 xhandarë me autoblinda dhe me armatim deri në dhëmbë, e hoqi Lapidarin me eskavator, para orës 7:00 të atij mëngjesi të acarrtë dimëror, pa u mbrojtur nga askush!
Heqja e papritur e Lapidarit e tmerroi dhe trishtoi deri në palcë popullatën shqiptare të Luginës. 

Jonuz Musliu me"komandantët" e vet, as që u ndi i gjallë! Kurse, Ragmi Mustafa erdhi pas orës 10:00 tek Lapidari, kinse i "befasuar"?!
Nga ai moment trishtues, që e tronditi Luginën dhe mbarë Shqiptarinë, kaluan plotë tre vjet dhe asgjë nuk u veprua në drejtim të kthimit të Lapidarit, e as që u realizuan dorëheqjet e premtuara nga Ragmi Mustafa dhe nga partia e tij, PDSH!
Dhe jo vetëm kaq! Maskarallëku me erë tradhëtie kombëtare edhe më të madhe do të ndodhë pikërisht në verën e vitit 2015, kur me rastin e vizitës Luginës së Preshevës nga Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Ragmi Mustafa do e dekoroj ate me "Mirënjohje për kontributin ndaj shqiptarve" të Luginës?!!! Sic! 
Në vend që të kritikohet dhe dëmkoset publikisht politika diskriminuese dhe gjenocidale dhe shfarosëse e Serbisë, që i ka shndërruar shqiptarët e Luginës në komunitetin aktualisht më të diskriminuar në Europë, ai dekorohet për "meritat" ndaj shqiptarve, nga Ragmi Mustafa, duke ia ngulur thikën e tradhëtisë ordinere kombëtare dhe antishqiptare përpjekjeve të subjekteve politike shqiptare, si dhe të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare në përpjekjet e tyre për përmirësimin e gjendjes së tyre të mjerueshme në arsim, punësim,në gjyqësi, ekonomi, administratë, në përdorimin e lirë dhe të papenguar të gjuhës shqipe, mediave dhe simboleve kombëtare shqiptare, etj.
Kjo tradhëti kombëtare e Ragmi Mustafës i ka dëmtuar rëndë shqiptarët s Luginës së Preshevës dhe mbarë Shqiptarinë, që nuk do t'ia falë, e aq më pak nuk do ia harroj dhe nuk do ia falë kurrën e kurrës historia! 

Kaluan tre vjet nga heqja e Lapidarit dhe as Shoqata e Veteranëve të UÇPMB-së nuk ndërmorri ndonjë veprim për kthyerjen e Lapidarit dhe as për përgatitjen e Monografisë së 28 Dëshmorve të UÇPMB-së, si dhe nismën për kthimin e Lapidarit, apo të ndërtimit dhe vendosjes së Lapidarit të ri, që do ishte artistikisht më përgatitur dhe trajtuar, në harmoni me ambientin arkitektural në qendër të Preshevës.
Kështu, Lapidari i Dëshmorëve të UÇPMB-së mbeti i "burgosur" dikund në Serbi, duke u trajtuar si një e kaluar e hidhur dhe e pakthim, si diçka e largët nga ne, duke e trajtuar si pjesë të së kaluarës së pakthim, si një "histori e hidhur" dhe si mitizim i tij fatëkeq, në stilin: "na ishte njëherë një Lapidar në Preshevë"! 
Por, për fatin e keq të 28 Dëshmorëve të UÇPMB-së, familjarëve të tyre, Luginës së Preshevës dhe mbarë Shqiptarisë, mjerisht, nuk është më!!! 





No comments:

Post a Comment