Thursday, January 28, 2016

Kontributi i Qenan Shaipit për Preshevën me rrethinë


Qenan Shaipi (foto 1964)

Qenan Shaipi lindi në vitin 1946, në Preshevë dhe i përket një familjeje të lashtë preshevare, me traditë të gjatë intelektuale.

Stërgjyshi i Qenanit, Osman Efendiu ishte jurist me renome në Vilajetin e Kosovës, i cili me devotshmëri i shërbeu mbrojtjes së të drejtave qytetare, pronësore e juridike, sidomos në Kazanë e Preshevës.
Ndërsa gjyshi i Qenanit, Shaip Efendia ishte poashtu jurist dhe shërbeu si Gjykatës në Kazanë e Preshevës, i cili u detyrua në minutat e fundit t'i shpëtoj denimit me vdekje nga regjimi i egër antishqiptar i Nikolla Pashiqit, në vitin 1916. 
Por, tre vjet më vonë, dora e zezë e kriminale e Pashiqit do i ekzekutoj babë e bir, atë dhe djalin e madh Osmanin 19 vjeçarë, në Anadoll të Turqisë, në qytetin Dijari Bekir.
Kurse, xhaxhai i Qenanit, Profesor Ibrahim Kelmendi, do të detyrohej të shpërngulet me shumë shokë nga kreu i NDSH, për Australi, ku vdiq në janar të vitit 1979.
Mjerisht, Qenani vdiq tragjikisht, më 12 mars 1976, në delegacion me Titon në Kankun të Meksikës.
Pra, Qenan Shaipi jetoi pak, meqë humbi jetën në lulen e rinisë, në moshēn 29 vjeçare.

Shkollën fillore e kreu në Preshevë, kurse shkollën e mesme të ndërtimtarisë e kreu në Mitrovicë. 
Qenani ishte përcjellur si fëmi 14 vjeçar, me shumë mall e lotë në sy, e pak, shumë pak para në xhep, nga nëna e tij Sheribanja dhe babai i tij Tefiku, i cili 28 vjet më parë kishte përcjellur vëllaun e tij profesor Ibrahim Kelmendin, si kaçak që ishte dhe komandant i forcave shqiptare të NDSH-së për mbrojtjen e kufirit-frontit të Luftës tek "Udha e Frengit" (hekurudha) dhe migroi në Australinë e largët, për të mos u kthyer kurrë!
Prandaj, Qenan Shaipi kishte marrë një urdhër të prerë nga prindërit: "Shko, mëso biri jonë dhe kurrë mos u merr me politikë, sepse neve nuk na shkon politika!"
Qenani e kryen shkollën e mesme në vitin 1964 dhe menjëherë punësohet në Kuvendin Komunal të Preshevës, si teknik i parë i ndërtimtarisë, pa i mbushur 18 vjet.
Qenani menjëherë iu rrekë punës në KK, me elanin dhe temperamentin e tij të bujshëm djaloshar. Qysh në mbledhjen e parë të tubimit të punëtorve të administratës komunale, Qenani ballafaqohet me një situatë të papranueshme të (vet) diskriminimit dhe të servilizmit mikroborgjez e sahanlëpirës të shqiptarve, të cilët kishin propozuar tre serbë për poste në kuvend.
Qenani, i revoltuar dhe i nervozuar me këtë situatë nënçmuese dhe të papranueshme, ngritë dorën për ta marrë fjalën. Mirëpo, sa duket, si i ri që ishte, pothuajse fëmi, Qenani siç thonë dëshmitarët, paska joshur kërshërinë dhe habinë e të gjithëve, kurse kryetarit të komunës, Stojadin Filipoviqit famëkeq, që e "dridhte" nga themeli Preshevën, me gjasë, nuk i kishte bërë shumë përshtypje dhe mezi ia kishte dhënë fjalën.
Atëherë, Qenani i kishte mahnitur të gjithē me njomësinë e tij djaloshare dhe me pjekurinë e maturinë politike të pashoq, duke ia kthyer kahjen mbledhjes në drejtim diametralisht të kundërt, në favor të shqiptarve.
Ai në fillim thekson se kishte "vërejtur se tre shqiptarë gjatë mbledhjes propozuan tre serbë dhe se këtë e përshëndet. Mirëpo, thotë Qenani "nuk vërejta asnjë serb ta propozoj ndonjë shqiptar"!
Në sallë kishte plandosur heshtja dhe të gjithë kishin kthyer kokën për ta shikuar me habi, duke mos u besuar veshëve çka kishin dëgjuar.

Atëherë, të shtyrë nga atmosfera e krijuar, dy serbë qenkan ngritur dhe kishin propozuar dy shqiptarë.
Pra, qysh në mbledhjen e parë, Qenan Shaipi, edhepse tepër i ri dhe i njomë në moshë, kishte mahnitur të gjithë me aftësitë e tia politike dhe ua kishte bërë të qartë se para tyre kishin një politikan të madh të së ardhmes!
Angazhimi i tij në punët e ndërtimtarisë në Komunën e Preshevës shënoi ndryshim radikal, duke e ndryshuar revolucionarisht qasjen ndaj punës dhe duke ia vënë themelet Preshevës si qytezë.

Detyra e parë që iu besua ishte Ura e Rahovicës, në qendër të këtij fshati më të madh të komunës, meqë lumi e ndante në dy pjesë të izoluara fshatin gjatë vërshimeve verës dhe u sillte probleme të mëdha banorëve, e sidomos nxënësve për të shkuar në shkollë gjatë vjeshtës me shi dhe dimrit.

Prandaj, kalimi i lumit ishte bërë problem i papërballueshëm.
Qenani, edhepse nuk ishte ing. i diplomuar, por vetëm teknik i ndërtimtarisë dhe si i ri 18 vjeç e pa kurrëfarë përvoje, megjithatë, për habinë e të gjithëve, e bëri projektin dhe mbikëqyri ndërtimin e saj.

Por, atëbotë ishte kundërshtuar fuqishëm me kryetarin e komunës S. Filipoviqin, i cili kishte pas urdhëruar që urës t'i vihej një shtyllë mbajtëse në mes të lumit, meqë kishte frikë se ura nuk do e mbante peshën e trafikut të madh mbi te.

Por, Qenani i zemëruar kthehet në zyrë, i shikon mirë e mirë elementet statike të urës, i bënë sërish të gjitha përllogaritjet dhe pasi që sigurohet edhe njëherë se ura do jetë e sigurtë, shkon në zyre te kryetari dhe i thotë me këmbëngulje se ura do jetë e sigurtë sipas projektit dhe se me përgjegjësi të plotë kategorikisht refuzon vendosjen e shtyllës së propozuar nga ai. 

Edhepse kryetari i kërcnohet, megjithatë Qenani nuk lëshon pe! Lështu, ura u ndërtua siç deshti Qenani, duke e sfiduar urdhërin e kryetarit dhe mbi gjysmë shekulli qëndron pa asnjë ndërhyrje apo meremetim dhe mbi te kalojnë pandërprerë sutomjete e kamiona me pesha maksimale, duke i shërbyer popullit si një monument me shumë vlerë dhe dobi.

Në këtë mënyrë, Qenani jo vetëm politikisht, por edhe profesionalisht e kishte forcuar Kuvendin Komunal të Preshevës.
Menjëherë pas urës, Qenani i hyri punës së projektimit dhe realizimit të Ujësjellsit të Preshevës, me aksione punuese vullnetare të rinisë dhe qytetarve dhe fotografitë e shumta dhe kujtimet e qytetarve dëshmojnë se Qenani qëndronte në krye të aksionit, kudo që e kërkonte nevoja.

Pa Ujësjellsin sot nuk mund të merret me mend jeta në këtë vend. Madje, poqese mdërprehet uji vetëm për disa orë, qytetarët e ndjejnë dhe e vuajnë thellë këtë mungesë.
Pastaj Qenani iu qasë rregullimit të disiplinës ndërtimore dhe i bëri hapat e parë nismëtarë për vendosjen rregullave urbanistike dhe zgjêrimit të rrugëve kryesore të qytetit, duke ia vënë bazën Planit të parë Urbanistik të Preshevës.
Ai u angazhua si organ mbikëqyrës gjatë ndërtimit të ndërtesës te pazari që u ndërtua në atë kohë, si dhe në të gjitha ndërtimet e objekteve shtetërore në komunën e Preshevës.
Por, puna e palodhëshme dhe kontributi profesional, si dhe ndryshimi i klimës politike në administratën komunale që e solli Qenani, i pengonte kfyetarit serb të komunës. Stojadin Filipoviqit. Prandaj, ia dërguan thirrjen për në ushtri, meqë Qenani nuk e kishte kryer akoma shërbimin ushtarak, për ta hequr qafe. 
Mirëpo, Qenani menjëherë e regjistron Fakultetin e Ndërtimtarisë në Shkup, si student i rregullt, për t'iu shmangur shkuarjes në ushtri dhe pas pak kohe u regjistrua në Prishtinë, fillimisht në Shkollën e Lartë, që më vonë u shndërrua në Fakultetin e Ndërtimtarisë.
Kështu Qenani u detyrua ta lëshoj vendlindjen e tij Preshevën në moshën 20 vjeçare dhe nuk do të kthehet më kurrë, ku kishte punuar vetëm 18 muaj.
Por, siç e pamë, edhepse punoi relativisht pak në Preshevë, megjithatë kontributi i Qenan Shaipit për vendlindjen e tij të dashur, ishte jashtëzakonisht i madh.

Nehat Hyseni

No comments:

Post a Comment