Wednesday, January 27, 2016

Historia e "çlirimtarëve" dhe "tradhëtarëve" të Kosovës dhe formimi i Gjykatës Speciale




Shkruan: Nehat Hyseni 

Menjëherë pas çlirimit, në vitet e para të Kosovës së pasluftës, u ballafaquam me thirrjen e njohur, kur hajnat dhe kriminelët bërtasnin e çirreshin me sa që kishin: 
"Zini hajnat!",
 "Zini kriminelët!", 
"Të zhduket korrupsioni!", etj.

Pra, meqë u instaluan kriminelët dhe hajnat ordinerë në pushtet, të cilët para luftës së vitit 1999 mezi arrinin ta mbushnin barkun me bukë të thatë, që gëzoheshin kur arrinin ta "qerrasnin veten" me ndonjë burek, si dhe këmbyesit e devizave, që doemos shumica prej tyre ishin të lidhur me policinë serbe, si "informatorë", në këmbim për lejimin e "biznesit" të tyre të paligjshëm  në rrugë.

Pastaj, u instaluan edhe shumë "kapo" të krimit të paraluftës, të cilëve rrëmuja e kaosi dhe tmerri i luftës i shndërroi apo "konvertoi" në "luftëtarë të lirisë" dhe "patriotë"!
Kështu, ua siguroi "legjitimitetin" mbi qeverisjen e Kosovës së pasluftës.

Fillimisht, ata i uzurpuan pompat e benzinës anekënd Kosovës dhe arritën të fitojnë para nga shitja e depozitave ekzistuese, si dhe t'i shfrytëzojnë asetet, objektet dhe pikat shitëse të karburanteve gjithandej nëpër "Kosovën e lirë".

Pra, qysh në vitin 1999, dmth. menjëherë pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, midis Kryetarit të atëhershëm të Serbisë, kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit dhe NATO-s, u krijua "klasa e re politike", nga "brumi" i përmendur social, që u emërtua me emrin "Çlirimtarët".

Pra, tani e tutje, Kosova do ishte në duartë e "Çlirimtarve", nën mëshirën, disponimin, nevojat, vullnetin njerëzor e politikë të këtij soji të udhëheqësisë së Kosovës, të cilët u (vet) shpallën si "çliruesë të Kosovës" nga Serbia, kurse NATO-n e (vet) shpallën si "ndihmëse" të tyre.!
Madje, disa prej tyre e uzurpuan plotësisht çirimin e Kosovës nga Serbia, duke e vënë veten dhe të tjerët në siklet, për të sqaruar se pse, vallë, NATO u gjend në Kosovë, me trupat e saja ushtarake, të quajtura KFOR?!

Mbase e "kishin humbur rrugën", apo ishin trupa ushtarakë të "Çlirimtarve", në misionin "fisnik" dhe "patriotizmin" e tyre me parullën dominante, mbi pothuajse çdo pronë e pasuri shtetërore dhe private në Kosovë, "UÇK, mos prek!!!"

Kjo parullë kishte "okupuar" Kosovën sërish, akoma pa e shijuar frymëmarrjen në "Kosovën e lirë", pas çlirimit nga masakrat, dhunimet e terrori i Serbisë fashiste të Sllobodan Millosheviqit.

Tani, "në liri", maskat dhe "terri" filloi t'i "hajë" njerëzit, duke mbjellur sërish frikë e pasiguri në popull.

Edhepse votimet e para në zgjedhjet parlamentare të pasluftës, si barometër më i sigurtë i vullnetit politikë dhe disponimit dhe gjykimit politik të kosovarëve, tregoi se "çlirimtarët" kishin fare pak mbështetje në popull.
Kurse, "tradhëtarët" e cilësuar sipas tyre, në krye me Dr. Ibrahim Rugovën, fituan bindshëm, reth 70% të votave!

Menjëherë, "çlirimtarët" filluan ta qortonin "popullin jofalemnderues", që votoi për "tradhëtarët"!
Por, megjithatë, "çlirimtarët" , edhepse i humbën zgjedhjet e para parlamentare në "Kosovën e lirë" nuk u dorëzuan! 
Prandaj, atyre iu dha posti i Kryeministrit, në të kundërtën do e "destabilizonin Kosovën"! 

Ky avaz është duke zgjatur deri në ditët e sotme, duke i siguruar gjatë viteve edhe "votat e popullit".
Tani më historia e "votës së lirë", pakë a shumë dihet: Hashim Thaçi do i fitoj ato që ç'ke me të! 
Mbase edhe "me duar në xhepa", por ai nuk e përdorë këtë thënie, meqë rezultatet e saj dihen. Mbase, kush nuk i din, mund ta pyes z. Mustafa.

Pse bashkësia ndërkombëtare në krye me SHBA-në, edhe përkundrejtë votës plebishitare të popullit të Kosovës për LDK-në e Ibrahim Rugovës, megjithatë, qeverisjen e Kosovës ia besian apo ia dhanë PDK-së, apo "Çlirimtarve" të Hashim Thaçit?
Mbase, për shkakun qē e përmendëm: sepse kishte rrezik se ata do e destabilizonin Kosovën!

Kurse, ndaj plaçkitjes dhe pasurimit të tyre të paligjshëm dhe të pistë, ata i "mbyllën sytë", sepse këtë e merrnin, mbase si "vetëfinancim" të tyre.
Megjithatë, ndëshkimi ndaj krimeve dhe paligjshmërive të disave nga ata, filloi në Hagë. 

Por, u pa puna se kjo nuk u mjaftoi atyre. 
Sepse, në Hagë shkuan, sa duket, kryesisht ata "çlirimtarë", të cilët nuk u përmbajtën nga sfida për glorifikimin e "heroizmave" dhe të (pa) bëmave të tyre gjatë luftës dhe pas saj, në një imdustri të tërë librash, artikujsh nëpër gazeta dhe emisionesh të ndryshme televizive, duke krijuar material kolosal të "dëshmive" dhe të "vetëspiunimit" të vetvetes, që tanimë ka zënë vend gjigant në "dokumentarët" medial dhe në librat e panumërtë mbi "heroizmat" e tyre, duke e kryer vet detyrën e Prokurorit për vetveten.
Prokurorëve të Gjykatës për krime të luftës në Hagë, por edhe Serbisë dhe prokurorëve të saj, i dhuruan material ttë pafund të vetëdenoncimit.
Prandaj, Serbia ka arritur, duke u ndihmuar nga vet ne, ta bindë politikbërjen dhe opinionin ndërkombëtarë, me dëshmi e argumente të panumërta në Raportin e senatorit zviceran, Dick Martyt, për krijimin e Tribunalit të veçantë për të akuzuarit kosovarë, që u emërtua si Dhomë e veçantë, apo Gjykatë Speciale, që do merret kryesisht me periudhën e përmendur të krimeve të kryera gjatë viteve 1999-2000, por edhe pas saj.

Sigurisht se të gjithë e dijmë se "klientë" të saj do jenë kryesisht "çlirimtarët" që janë shndërruar në milionerë dhe Kosovën e kanë shndërruar në pronë të tyre private, kuptohet, me veprimet e tyre të palugjëshme e kriminale.

Prandaj, e gjithë kjo tymnajë e krizë politike në Kosovë, për ta penguar dhe bllokuar formimin dhe veprimin sa më shumë të Gjykatës Speciale.

Paradoksi qëndron pikërisht në faktin se pjesa e pushtetarëve aktualë, apo e disa "peshqëve të mëdhenjë" është duke u mbrojtur me pushtetin dhe fuqinë politike që e kanë, kurse në opinion krijojnë ndërskamca dhe truqe politike, për ta shtyrë sa më gjatë burgosjen dhe vënien para drejtësisë, meqë pa partneritetin e tyre nuk mundet të realizohet ky projekt ndërkombëtar i themelimit të Gjykatës Speciale, që mbase përfundimisht do e ndante definivisht "shapin prej sheqerit", duke e gjykuar krimin dhe, më në fund, duke e spastruar moralisht luftën e UÇK-së, dmth Çlirimtarëve të vërtetë dhe real për liri, Sovranitet e Pavarësi, si dhe realizimin sa më të suksesshëm të ëndrrave dhe pretendimeve të popullit liridashës të Kosovës për bashkëngjitjen sa më të shpejtë dhe të sigurtë BE-së dhe familjes së madhe të kombeve të përparuara e demokratike europiane e botërore.



No comments:

Post a Comment