Friday, January 22, 2016

Historia e "Zajednicës", apo "kunxhit të Nasradinit" në Republikën e Kosovës




Shkruan: Nehat Hyseni

Kosova u zgjua tepër vonë kundër formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe (AKS), siç thuhet në popull, "mbas pazarit të Mulla Shaqirit"!

Kjo vonesë ka një histori të gjatë, mbase sa edhe vet historia e Kosovës së çliruar nga Serbia, që realisht do të thotë: që nga koha e përzënies së ushtrisë, paramilitarëve dhe policisë serbe nga pjesa më e madhe e Kosovës. 

Pra, Serbia u shporrë vetëm nga një pjesë, e jo edhe nga i tërë territorii i Kosovës, me bombardimet e NATO-s nga qielli dhe me veprimet tek-tuk të grupeve guerile shqiptare, që me kohë një pjesë e tyre u (vet) quajt Ushtri Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Sepse, siç e dijmë, Serbia mbeti këmbëkryq në Kosovë edhe pas vitit 1999 në pjesën veriore të Kosovës, si "kunxhi i Nasradinit", madje 17 vjet nga "çlirimi" i saj.

Fillimisht, ky "kunxh" i befasoi shqiptarët dhe banorët joserbë të Mitrovicës, të cilët hasën në "kufirin" e ri, mbi Urën e lumit Ibër, të cilin e ruante KFOR-i Francez me vendosmëri të pakuptueshme, që i gjasonte një armiqësie antishqiptare.

Kështu, shqiptarët e shpërngulur gjithandej nëpër Kosovë dhe jashtë saj, me të përfunduar lufta, ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre të djegura e të plaçkitura nga ushtria dhe bandat çetnike serbe, hasën në barrierën mbi Urën e Ibrit dhe nuk lejoheshin të kthehen në banesat dhe shtëpitë e tyre në pjesën veriore të qytetit.

Fillimisht ata menduan se ky është një "keqkuptim i përkohshëm", i cili së shpejti do të zgjidhet dhe ata do i rreken punës në meremetimin e shtëpive dhe banesave dhe aftësimin e tyre për banim. 

Por, jo! Kjo nuk ndodhëte dhe Ura e Ibrit, sa më shumë që kalonte koha, në vend që të lirohej kalimi, ndodhëte e kundërta, mbyllej edhe më tepër dhe KFOR-i frances egërsohej edhe më tepër, duke u sjellur edhe më egërsisht ndaj shqiptarve, dhe duke shkaktuar mllef e zemërim të pafund tek ata.
Kështu, në atë hallakamë që e kishte kapluar Kosovën "e çliruar" atëherë, për banorët e Mitrovicës u pa se jo vetëm që nuk ishte çliruar vendlindja e tyre, por ishte robëruar edhe më zi! Sepse, tani kishin mbetur pa vatan, dmth pa kulm mbi krye, jashtë në rrugë, nën qiellin e hapur, "pa shtëpi e katandi" dhe nuk kishte mbetur forcë mbi tokë që t'i ndihmonte ata!

Disa provuan të kërkojnë ndihmë tek UÇK, por u tmerruan kur këtë emër e gjenin vetëm në mbishkrimet: "UÇK, mos prek"!, që do të thoshte se ata ishin të "zënë" me uzurpimin e pronave dhe pasurive të huaja!  Por, kurrësesi nuk e gjenin UÇK-në "çlirimtare", që do t'i ndihmonte të ktheheshin në shtëpitë e veta?! Sepse, sa duket, ajo ishte e zënë në misionin "patriotik" duke  zaptuar e vjedhur pasuri e prona për vete, meqë sa duket, ata ishin të bindur se "Kosova u çlirua dhe tani është koha për t'u pasuruar". 
Prandaj , ishin duke e mbuluar gjithandej Kosovën me mbishkrimet e përmendura, që realisht ishin kërcnim real për popullatën joshqiptare dhe atë shqiptare, për qytetarët e lirë,  se "Kosova do bëhej e UÇK-së", e cila pas luftës u shumëfishua dhe u "rrit" aq tepër, sa që e ngulfati tërësisht lirinë e qytetarëve të saj dhe e vrau shpresën e popullit se kishte ardhur liria, meqë frika dhe tmerri e ripllakosën atë që në ditët e para, duke e shuar shumë shpejtë entuziazmin dhe gëzimin e popullit "për ardhjen e lirisë".

I gjithë ky maskarallëk dhe kjo paturpësi e ky krim, vëzhgohej me shumë kujdes nga agjencitë ndërkombëtare të informimit, dhe këtë gjendje ia transmetonin me shumë vullnet opinionit ndërkombëtar, duke e komprometuar tmerrësisht moralin dhe karakterin e shqiptarve dhe kosovarëve, e veçanërisht të "luftëtarve të lirisë", të cilët u ndihmuan nga bota demokratike, në krye me SHBA-në për tu çliruar, si të mjerë dhe të paaftë që ishin,  që kurrë nuk arritën të çlirohen nga dhuna dhe terrori serb, kurse tani ata vet kryenin krime, plaçkitje, vjedhje e hajni të pafund!
Pra, miqtë tanë ndërkombëtarë, që na ndihmuan të çlirohemi nga Serbia, e humbën besimin tek ne se do ndërtonim shtet demokratik dhe me standarde europiane për mbrojtjen e lirive qytetare dhe sundimin e rendit dhe ligjit. 

Prandaj, që me kohë ishin vendosur mbi lumin Ibër, kinse për t'i mbrojtur serbët e mbetur nga egërsia, hajnia dhe plaçkitja e shqiptarve. 
Pra, ndodhi përmbysja e vlerave të mirëfillta patriotike dhe shtetndërtuese, duke na vënë rezerva dhe barriera të mëdha bashkësia ndërkombëtare, një pjesë e së cilës gjithmonë ka qenë armiqësisht e orientuar kundër nesh.

Por, në Mitrovicë shqiptarët nuk pajtoheshin me faktin se nuk mund të jetonin në shtëpitë e tyre në Mitrovicën e veriut. 

Madje, ata protestonin dhe i ashpërsuan shumë dhe krijonin presion të madh për kthim në banesat dhe shtëpitë e tyre, duke qenë të gatshëm që të luftonin për këtë qëllim.

Në skenë gjithmonë dilte Hashim Thaçi, ish Kryeministri Bajram Rexhepi dhe funksionarë të tjerë, kryesisht nga PDK dhe e lusnin popullin të mos protestojnë, "sepse së shpejti kufiri mbi Urë do të hiqet" dhe ata të papenguar do të shkojnë në shtëpitë e veta.
Ky "premtim" përsëritej e stërpërsëritej nga ata, vite me radhë. Por, situata, siç po shihet tani, 17 vjet pas, vetëm sa është përkeqësuar edhe më tepër. 

Madje, tani është përligjur dhe legjitimuar ky "kunxh i Nasradinit" gradualisht. 
Në vitin 2006, në Konferencën, apo Takimin e Vjenës, u mor vendimi që serbët e Kosovës të trajtohen në mënyrë të veçantë, duke u siguruar atyre të drejta sipas standardeve më të larta, me të ashtuquajturin "Pako e Ahtisarit".
Hashim Thaçi atëbotë e "bojkotoi" samirin e Vjenës, me arsyetimin se "po u jepen shumë të drejta serbëve"!

Mirëpo, kur u bë Kryeministër, Hashim Thaçi nuk ngurroi që ta konsideroj Pakon e Ahtisarit si të pamjaftueshëm për serbët?!

Prandaj, ai pranoi t'i filloj bisedimet politike, që fillimisht gënjente paturpësisht se janë "biseda teknike", që zyrtarisht u emërtuan si "Pako Ahtisari Plus", që do realizohej me Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, duke e nënshkruar tradhëtinë ordinere kombëtare me Marrëveshjen e 19 prillit 2013 me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq dhe me ndërmjetësimin e Komisioneres së lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton.

Tradhëtia ndaj Shqiptarve të Mitrovicës që e bëri Thaçi duke kolaboruar me KFOR-in Francez, duke dalur vet mbi Urë për t'i "qetësuar" shqiptarët, pra u përsërit edhe në Bruksel, duke i lënë jashtë plotësisht dhe duke i tradhëtuar tmerrësisht vëllezërit tanë shqiptarë në Luginën e Preshevës, Shqiptarët e Mitrovicës dhe Republikën e Kosovës!

Pra, Hashim Thaçi,"kunxhin e Nasradinit", dmth "Zajednicën" serbe që e nënshkroi më 19 prill 2013, në Bruksel, ia futi "pykën" ose "kunxhin" Kosovës dhe ia fali Serbisë Luginën e Preshevës, duke i lënë ata shqiptarë të shkretë nën mëshirën e regjimit antishqiptarë e fashist të Serbisë, për tu shpërngulur dhe për ti boshatisur trojet e tyre stërgjyshore, që janë nga më të bukurat dhe më të rëndësishmet e Shqiptarisë.

Ky "kunxh" në kërthizën shtetformuese të Republikës së Kosovës, u rritë dhe u cementua edhe më tepër me nënshkrimin e Kryeministrit Mustafa në Marrëveshjen e 25 gushtit 2015, poashtu në Bruksel, me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe me ndërmjetësimin e Kominisionetes së Lartë të BE-së, zonjës Frederica Mogherini.

Meqë thuhet se këtë e bëri z. Mustafa pa i konsultuar partitë politike dhe Kuvendi i Kosovës, opozita ka filluar protestat dhd bllokimin e Parlamentit dhe kërkon me ngulm, me gazotësjellës, me gjuajtje të vezëve, me gurë e "molotovë, rrëzimin e Qeverisë.
Se deri kur do vazhdoj kjo çmendi dhe ky tërbim i paparë shtetrrënues e banditesk i opozitës, tani për tani askush nuk e din. 

Skeptikët druajnë dhe janë të trishtuar se, mbase opozita aktuale me Albin Kurtin si udhëheqës ideologjik të saj, ekziston rreziku real që ta izoloj edhe më tepër Kosovën, dhe në vend të realizimit të "Zajednicës Minus", mbase mund të na imponoj një "Zajednicë Plus", ashtu si ndodhi dikur me mospranimin e Pakos së Ahtisarit nga Lëvizja Vetëvendosje e Albinit, pastaj na e solli "Zajednicën" e Brukselit, si Pako "Ahtisari Plus", duke e trashur e përforcuar edhe më "kunxhin e Nasradinit" si sfidë dhe pengesë gjithënjë e më serioze në shtetndërtimin e brishtë të Pavarësisë dhe Sovranitetit të mirëfilltë të Republikës së Kosovës?!


No comments:

Post a Comment