Thursday, January 21, 2016

Antirugovistët dhe "Viti Zero" i historisë së Kosovës



Shkruan: Nehat Hyseni

Partitë politike që nuk i bëjnë nderime Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma, ato nuk e respektojnë si duhet as Republikën e Kosovës, Pavarësinë, Sovranitetin, Kushtetutën, Parlamentin dhe Flamurin e saj.
Ata këtë e bëjnë në emër të "Republikës së Tretë" të Albin Kurtit dhe vetëm atëherë kur ata ta marrin pushtetin, "ja me hatër, ja me luftë!", realisht, sipas tyre, do të filloj "historia e vërtetë e Kosovës"!
Vetëm atëherë kur të vendosen ata në pushtet, do të filloj "Viti Zero" i historisë, që do emërtohej si "Republikë e Tretë", apo "Kosovë e re", ashtu si u formua dikur nga komunitët "Shqipëria e re", apo "Jugosllavia e re", deri te e cila do të duhej arritur me çdo kusht, qoftë edhe duke mbajtur zgjedhje të pafund, deri sa populli i Kosovës ta votoj partitë "e duhura", dmth Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit dhe Nismën e Fatmir Limajt.
 Sepse, sipas bindjes së tyre, votuesit e Kosovës "po gabojnë gjatë votimit", meqë po e hedhin votën e tyre për partitë e "gabuara", "tradhëtare" dhe të "dështuara"! 
Së paku kështu deklarohet Albin Kurti për emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut, në TV Klan, si dhe në shumë media tjera.
Pra, me Albin Kurtin kryeministêr apo President, do fillojë "historia e vërtetë e Kosovës", prandaj ata nuk e pranojnë e as respektojnë Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugovën, e as Republikën e Kosovës, të cilën madje e gjuajnë me gurë, me gaz lotësjellës, me koktejë "molotovi", si me qenë në luftë, duke menduar dhe propaganduar se "sa më keq për Republikën", aq më mirë do jetë për popullin e Kosovës dhe për partitë "patriotike", si puna e VV dhe Nismës.
E gjithë kjo tymnajë e tyre mbështetet në filozofinë politike të një shekulli më parë të bolshevikëve leninist në Rusinë Cariste të asaj kohe, që e shpërndau komunizmin, si "kolerë" gjithandej në Europën e atëherëshme, duke shkaktuar terror, vuajtje dhe fatkeqësi të pafund të miliona njerëzve, si dhe të shqiptarve në Ballkan.
Pallavrat komuniste të Albin Kurtit & company, karakterizohen fillimisht me "ideale të mëdha", që janë joshëse dhe të parefuzueshme për masat popullore, meqë luajnë me "idetë e mêdha" dhe premtimet e tyre për "barazi" sociale dhe "parajsë" mbi këtë tokë e për popullin, kurse përfunduan në tragjedi dhe totalitarizëm e diktatura të tmerrëshme që sollën fatkeqësi të mëdha për popujt që i sunduan, ku mjerisht, bëjmë pjesë edhe ne shqiptarët në ish Jugosllavi, dhe në Shqipëri edhe më zi.

Prandaj, Albin Kurti dhe Fatmir Limaj veprojnë ashtu siç vepruan edhe komunistët e dikurshëm në krye me Partinë Komuniste, duke e dëmkosur dhe hedhur poshtë të kaluarën dhe duke deklaruar se fillonte një histori e re, nga zeroja.

Andaj, kuptohet se ata nuk e pranojnë as Presidentin Historik, Dr Ibrahim Rugovën, i cili është Babai i Kosovës së lirë, të Pavarur dhe Demokratike, si faktor stabiliteti, paqe dhe mirëqenieje edhe për rajonin dhe më gjërë, duke e afruar Kosovën me familjen e vendeve dhe kombeve të përparuara në Europë dhe në mbarë botën demokratike.

No comments:

Post a Comment