Friday, December 18, 2015

Mungesa e konsensusit brenda lidershipit kosovar, prodhon kriza

Mungesa e konsensusit brenda lidershipit kosovar, prodhon kriza

kuvendiii-659x494

Gazi lotsjellës, filikaqa, hedhja e ujit dhe sharjet në Kuvendin e Kosovës po e dërgojnë vendin drejtë një krize të thellë, nga e cila nuk dihet se si do të dilet. Duket se marrëdhëniet e acaruara në mes të liderëve politikë të vendit kanë mbetur që nga kriza institucionale e vitit të kaluar dhe tani vetëm sa janë thelluar.

Njohës të çështjeve politike bllokadën institucionale gjashtëmujore të vitit të kaluar dhe këtë të tanishmën e shohin edhe si rezultat të mungesës së konsensusit ndërshqiptar brenda lidershipit kosovar, pasi deri më tash liderishi kosovar është përkujdesur vetëm për konsensus me faktorin ndërkombëtar dhe me faktorin serb në Kosovë, i cili është tejmase i ndikuar dhe i manipuluar nga udhëheqja e Serbisë.

Kur mungesës së këtij konsensusi i shtohen ambiciet politike, lufta për pushtet me çdo kusht për ta mbajtur apo për ta marrë, interesat, si dhe inatet personale, atëherë nuk është e vështirë për të konkluduar se përse vendi ballafaqohet me situata të këtilla janë ato që e kanë sjellë vendin në një situatë të tillë, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në vend.

Sipas tyre, në njërën anë është koalicioni qeverisës, i cili që nga fillimi nuk e përfilli opozitën, madje edhe e injoroi, ndërsa në anën tjetër opozitën e cila që nga konstituivi i shpalli luftë kësaj qeverie.

Kërkesa e opozitës që qeveria të tërhiqet nga nënshkrimet për marrëveshjet me Serbinë, të arritura në Bruksel më 25 gusht, sidomos nga ajo për Asociacionin e komunave serbe dhe nga nënshkrimi i demarkacionit për kufirin me Malin e Zi, të nënshkruar në Vjenë, duket e parealizueshme edhe për vetë opozitën, po ajo me këtë synon ta rrëzojë qeverinë, ndonëse e ka të sigurt se nuk mund ta marrë pushtetin as me zgjedhje të jashtëzakonshme.

Po pse duhet të rrëzohet atëherë qeveria nëse nuk mund të merret pushteti, nëse jo për të dhënë sinjalin e qartë se çdo qeveri që koketon me këdo në dëm të sovranitetit dhe territorit të Kosovës do ta pret e njëjti fat, atëherë për inate të ndërsjella personale të liderëve aktual të subjekte politike në pozitë dhe opozitë.

Zgjedhja e partive opozitare për ta bllokuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe apo siç e quajnë ato “Zajednicën” dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke e bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës me mjete jodemokratike, duket se nuk e ka miratimin as të elektoratit të tyre, i cili është i vetëdijshëm se edhe te pozita ka me bollëk veprime jodemokratike në raport me qytetarët dhe me opozitën.

Sipas analistëve politikë, liderët tanë politik e kanë dëshmuar disa herë që nuk janë në gjendje që të zgjedhin një problem politik pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Por, ndërhyrja e tyre nuk po mungon as në këtë situatë, ndërsa ende nuk dihet sa do të jenë efektive tërheqja e vërejtjeve nga ta.

Nehat Hyseni, njohës i rrethanave politike në vend, ka thënë për KosovaLive se inatet personale kanë për bazë interesat politike gjë e cila e ka sjellë vendin në këtë situatë si është.

Ta kesh pushtetin politik në Kosovë do të thotë të pasurohesh pafund ‘në emër të patriotizmit’. Ne kemi mendësi aziatike të (keq)qeverisjes, të tipit të osmanlinjëve dhe sheikëve të papërgjegjshëm politik”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, meqë zgjedhjet në Serbi do ta stoponin dialogun e Brukselit, edhe Kosova do të duhej të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, duke e mbyllur kështu krizën politike aktuale me opozitën, duke prodhuar mazhorancën e re politike.

Po që se do të fitonte opozita aktuale, ‘Zajednica’ do shndërrohej në ‘Bashkësi’ dhe do të harrohej çdo gjë e thënë dhe e bërë në vandalizmin dhe tymnajën aktuale politike, duke siguruar, përveç pushtetit, ose të drejtës për zhvatjen e shtetit, edhe një mbrojtje shtesë nga gjykata speciale”, thotë Hyseni.

Ai thekson se “meqë do të shtyhej themelimi i gjykatës speciale, efektet e gazsjellësit në Parlament, të realizuara me ‘shkeljen e syrit’ nga kryeparlamentari Veseli dhe tarafi i tij diverzant kundër qeverisë Mustafa, do fitonin në kohë nga kjo tymnajë politike”.

Mbase ky do ishte minimumi i ambicieve dhe pretendimeve të tyre, tani për tani. Kurse, më vonë, pse jo, Veseli do e merrte tymonin e shtetit, duke u imponuar edhe formalisht si ‘violinë e parë’ që do të na e dirigjonte politikën kosovare, së paku për katër vitet e ardhshme”, thotë Hyseni për KosovaLive.

Analisti Islam Krasniqi, në një prononcim për KosovaLiveshpreson që ndërhyrja e Ambasadës amerikane të ketë efekt në tejkalimin e krizës politike në vend, edhe pse sipas tij, kjo tërheqje e vërejtjes nga ambasadori amerikan gjatë takimin me presidenten Atifete Jahjaga mund të shkojë në vesh të shurdhër.

Ai ka thënë se përgjegjës për këtë situatë në vendin tonë janë të gjithë duke filluar nga presidentja e vendit e deri të qytetari me i thjeshtë.

Kryeministri merr vendim pa u konsultua me askënd edhe pse ato vendime janë tejet të ndjeshme, madje edhe kundër interesit të vendit dhe qytetarëve të tij, përkrahet nga pozita dhe e injoron opozitën. 

Presidentja nuk ka fuqinë e të parit të shtetit që t’i mbledh partitë politike dhe të gjejnë një kompromis, por heshtë dhe vepron në bazë të udhëzimeve që ja ofrojnë partitë në pushtet. Dhe, një pjesë të fajit e kanë edhe qytetarët, të cilët çdo herë votojnë partitë e njëjta dhe nuk provojnë alternativë tjetër”, thotë Krasniqi.

Lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe daljes nga situata e krijuar në vend, Krasniqi thotë se që nga fillimi dialogu ka filluar në mënyrë të mbrapsht, duke vepruar në interesa personale. Sipas tij, Kosova do të ketë vazhdimisht probleme që burimin do ta kenë në marrëveshjet me Serbinë, respektivisht dialogun me Serbinë, të cilin Kosova e ka pranuar pa kurrfarë kushti. Madje ai mendon se Kosova nuk do të jetë dhe nuk do të mund të trajtohet si shtet normal deri në ndryshim të Kushtetutës së saj.

Nëse vazhdon bllokada në Parlament dhe nuk mund të gjendet zgjidhje për tejkalimin e kësaj krize, duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës me referendum, që populli të vendos  vetë. Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme është vetëm në dëm të Kosovës dhe buxhetit të saj. Po në qoftë se është e pa mundshme një gjë e tillë, atëherë duhet të krijohet një qeveri teknike, e cila do të jetë funksionale deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme”, mendon Krasniqi.

Analisti Naim Rashiti thotë se marrëdhëniet e acaruara në mes të pozitës dhe opozitës kanë mbetur që nga kriza institucionale e vitit të kaluar dhe sipas tij, ato do të vazhdojnë të acarohen, sepse partitë nuk i kanë eliminuar të metat, zbrazëtirat legale dhe dëmet afatgjate të krizës  institucionale.

Ka nevojë për dialog, por jo vetëm për takime e pajtim mes qeverisë e opozitës, por për procese politike që ndihmojnë në zgjerimin e konsensusit për tema të rëndësishme. Një prej tyre është ballafaqimi me konsekuencat e krizës institucionale. Dy, duhet të jetë gjetja e rrugës për pjesëmarrjen e opozitës në procesin e dialogut; kjo bëhet përmes negocimit të një platforme shtetërore në raport me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Pastaj procesi i liberalizimit të vizave, si prioritet shumë i rëndësishëm”, thotë Rashiti.

KosovaLive ka tentuar që të marrë mendime edhe nga deputetë të partive në pushtet dhe opozitë, por ata nuk kanë dashur që të flasin rreth situatës së krijuar në vend.

Publikuar: 17 October 2015, 9:55

Të ngjajshme

No comments:

Post a Comment