Friday, December 18, 2015

Çfarë Presidenti i Republikës së Kosovës na duhet?




Shkruan: Nehat Hyseni


Gjendemi në muajtë e fundit të mandatit të Presidentes Atifete Jahjaga. Por, marrëveshja me shkrim nga ana e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës për postin e Presidentit të Kosovës, pas skadimit të mandatit të z. Atifete Jahjaga më 7 prill 2016, sipas mendimit tim, paraqet rrjedhojë  jodemokratike, dhe të papranueshme të ecurisë së  gjërave në skenën politike kosovare.

Në fakt, z. Thaçi tani gjendet në situatë që nuk  len shumë hapsirë për manovrim dhe kalkulime të politike, sipas stilit të tij, meqë synon për t'i siguruar vetes "punë" si President i Republikës së Kosovës, për mandatin pesëvjeçar 2016-2021. 

Natyrisht se ai duhet të sigurohet për postin e Presidentit. Sepse, marrëveshja e para pesë viteve midis tij, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit, për zgjedhjen e Atifete Jahjagës Presidente e përkohëshme, vetëm për një mandat njëvjeçar, na doli se e nuk u respektua, në rend të parë nga vet z. Thaçi, i cili, përkundrejt kundërshtimeve dhe insistimeve këmbëngulëse nga LDK dhe kryetari i saj Isa Mustafa që të respektohet ajo marrëveshje, megjithatë u bishtërua nga Hashim Thaçi dhe iu lejua z. Atifete Jahjaga që ta ushtroj mandatin e plotë pesëvjeçar të funksionit të Presidentit.

Andaj, duke u nisur nga ky fakt dhe nga historia e tradhëtimit të partnerëve bashkëqeverisës nga PDK dhe Hashim Thaçi, e bënë ate vet të frigohet se edhe të tjerët do të sillen në të njejtën mënyrë, si ai vet, pa e përfillur marrëveshjen gojore dhe premtimin e dhënë. Pra, skena politike kosovare na rezulton të jetë ndër më të pabesat në Europë, të cilën e karakterizon tradhëtia dhe mungesa absolute e moralit politik. 

Mendësia politike kosovare, siç tha me një rast, Akademiku kontraverz Rexhep Qosja, "politikën e kupton si "kurvë", kurse shtetin si pronë dhe pabesinë e tradhëtinë si aftësi dhe virtyt njerëzor"!

Prandaj, z. Thaçi kërkoi garanci me shkrim, të mbështetur nga Presidentja Jahjaga dhe ambasadorja amerikane Tracy Ann Jacobsson.

Por, pas fjalimit vjetor të Presidentes Jahjaga para Kuvendit të Kosovës të enjtën, më 17 dhjetor 2015, ku ajo deklaroi se  "ky është fjalimi im i fundit në këtë mandat", që çuditërisht, nga shumëkush u keqkuptua se zonja Jahjaga nuk do të kandidohet më për Presidente të Kosovës.

 Si duket, ajo u keqkuptua edhe nga deputetët e Kuvendit, të cilët, mbase për këtë arsye i dhanë duartrokitje frenetike, madje edhe u ngritën të gjithë deputetët në këmbë.
Kjo atmosferë e unitetit dhe respektit për figurën e një politikani në Kosovë, moti kohë nuk ishte parë, edhepse opozita qetësisht e kishte braktisur sallën e Kuvendit, akoma pa filluar fjalimin Presidentja. 
Kështu, patëm rastin ta vërejmë një kontrast të madh midis kryeparlamentarit Veseli dhe Presidentes Jahjaga.
Derisa Veseli krekosej me autoritetin e tij të (vet) imagjinuar dhe të mbinatyrshëm, duke u ngritur mbi Rregulloren e punës së Kuvendit dhe duke e shndërruar veten në "komandant" (e jo kryetar) të Kuvendit, urdhëronte e çirrej sa kishte fuqi: "jashtë sigurimi!!!" me sa zë kishte, për ta lënë të pambrojtur Kryeministrin Mustafa nga sulmi i opozitës me vezë. Duke e konsideruar veten tepër të fuqishëm dhe duke performuar sipas stilit "thikë pas shpine", Kadri Veseli e solli Kuvendin e Kosovës në "birë të minit", me skenat e turpëshme e maskarallëqet që e kanë komprometuar skajshmërisht aftësinë tonë për të mbajtur shtet. Kështu, e bindëm veten dhe të tjerët, falë keqmenaxhimit të Kadri Veselit se jo vetëm që nuk ishim të aftë të çlirohemi vet, por po e vërtetojmë katërcipërisht tezën e armiqëve tanë shekullor se nuk mundemi as të mbajmë shtet demokratik, e mbase edhe të pavarur.
Mos të harrojmë se Kadri Veseli është nënkryetar i PDK-së dhe manovrat e tilla dashakeqe politike rëndojnë edhe mbi Hashim Thaçin.
Sidomos na duket problematike performansa e tij në Dialogun e Brukselit, ku dyshohet për tradhëti ordinere kombëtare të nënshkrimit të Marrëveshjes së 19 prillit 2013 në Bruksel dhe formimit të "Zajednicës", si dhe duke i përjashtuar definitivisht shqiptarët e Kosovës Lindore, apo shqiptarve të Luginës së Preshevës nga kjo Marrëveshje. 

Kështu, kjo pjesë e trungut kombëtar, falë z.Thaçi, mbeti nën mëshirën e regjimit antishqiptar të Serbisë, si komuniteti më i diskriminuar në Europë.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri aktual i Punëve të Jashtëme, Hashim Thaçi dje na doli me propozimin që duhet të ngritet populli i Kosovës në protesta kundër Bashkësisë Europiane, për shkak të mosrealizimit të liberalizimit të vizave!

Ai e nxitë popullin e Kosovës kundër Europës dhe miqëve tanë strategjik ndërkombëtar?!
Çfarë fati dhe perspektive e të ardhëne do të kishte Kosova me një President të tillë? 
A i duhet Kosovës një President që na izolon edhe më tepër nga Europa dhe nga bota demokratike?
Pra, sigurisht se Kosova ka nevojë për një President-e që na afron me BE-në, e jo të na armiqësoj me te, si dhe na siguron një të ardhëme më të sigurtë, në gjirin e familjes së kombeve dhe shteteve të avancuara e demokratike të Bashkësisë Europiane.

No comments:

Post a Comment