Wednesday, November 25, 2015

Spektakli i paralajmëruar i "republikave të Kosovës" për Ditën e Flamurit?!




Shkruan: Nehat Hyseni



Kremtimi i Festës së Flamurit, më 28 Nëntor 2015, sipas paralajmërimeve të opozitës, nuk do të jetë i zakonshëm!

Në vend të kremtimit të 103 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, do të ketë protestë të opozitës, për "arsye patriotike", që kësaj radhe i bie kundër formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ose "Zajednicës ", që opozita në krye me Albin Kurtin, faktikisht, kurse me Triumviratin: Visar Ymerin, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limën, formalisht, si dhe me "Demarkacionin" e Ramushit, si "arsye patriotike shtesë", ia kanë mësyrë demolimit dhe shkatërrimit të shtetit të Republikës së Kosovës.

Kjo kauzë e rrënimit të këtij shteti, siç paralajmëron opozita, bëhet, gjithashtu, "për arsye patriotike"! 
Sepse, sipas ideologut të opozitës, Albin Kurtit, dhe pasuesve të tij, Triumviratit të lartëpërmendur, kësaj radhe shkatërrimi i shtetit të Republikës së Kosovës, pa i mbushur akoma shtatë vjet nga lindja apo themelimi i tij, më 17 shkurt 2008, do t'ia lironte vendin formimit të "Republikës së Tretë" të Albin Kurtit. 

Pra, gjithënjë sipas paralajmërimeve pompoze të opozitës, do të ndodhë "shpëtimi i Kosovës" me Parajsën mbi këtë tokë e mbi këtë dhé, që do të na siguronte "Mesia" i Kosovës, apo pronari dhe ideologu i "Republikës së Tretë", Albin Kurti, i pasuar besnikërisht nga Triumvirati.

Prandaj, kjo ngjarje e madhe, madje madhështore, dmth ky "spektakël"do të realizohet pikërisht në Ditën më të Madhe të Shqiptarisë, në Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë!
Kështu, i bie që kësaj radhe do të kemi festë të dyfishtë: Rrënimin e shtetit të Republikës së Kosovës, si një "ndërtesë e vjetër dhe e kalbur" dhe si burim i të gjitha të këqiave dhe fatkeqësive, në një anë, si dhe vënien e themeleve të "Republikës së Tretë" të Albin Kurtit, si burimin e të gjitha "të mirave" dhe Parajsës së Demokracisë, mbi këtë tokë e mbi këtë Dhé?!

Në marshin e parakalimit solemn mbi mbeturinat e fundit dhe mbi rrënojat e Republikës së (Dytë) Kosovës, pritet të qëndroj triumfalisht Albin Kurti, krah për krah, apo i pasuar nga Triumvirati dhe turma e ekzaltuar, si dikur Ismail Qemali, me faktin se po "ndërtojnë", apo po e ndërrojnë historinë, në këtë nënqiell, si dhe shumë gjëra të tjera, që aktualisht askujt nuk i është e qartë. 

Me rëndësi është se tani e tutje, dmth kremtimi i 104 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me gjasë, do të zëvendësohet, në fillim vetëm nga kosovarët, e më vonë edhe nga të gjithë Shqiptarët, me kremtimin e Njëvjetorit të "Republikës së Tretë"!
Ndërkaq, pozita qeverisëse e Kosovës do të deklaroj, mbase,  si edhe shumë herë deri më tani, nga goja e Kryeministrit Mustafa se "nuk do të ndërroj asnjë fermë nga Marrëveshja për Zajednicën dhe Demarkacionin?!" , duke i treguar "muskujtë" e Republikës së Dytë (të Isës e Hashimit), si dhe shumë herë deri tani nëpër rrugët e Prishtinës, ndaj "Republikës së Tretë" (të Albinit dhe Triumvirati t)ë të Kosoëvës, duke krijuar atmosferë "impozante" të dhunës dhe shkatërrimit të Kosovës.
Kurse, ne që nuk do të jemi as për shkatërrimin e Republikës së Dytë të Isës e Hashimit, e as për Republikën e Tretë të Albinit, por për kremtimin, si deri më tani, të Ditës së Flamurit, ose sivjet të 103 Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, sipas të gjitha gjasave, kësaj radhe nuk do të kemi vend në sheshet e Prishtinës. 
Por, i tërë populli i Kosovës do të bëjmë sehir nga shtëpitë dhe banesat tona, duke shikuar "ndeshjen e shekullit", me demek spektaklin me plotë tym, gazësjellës, topa uji, hedhje gurë mbi Policinë e Kosovës, dëmtim e shkatërrim të pafund të pronës publike e private, thyerje xhamash të ndërtesën e Kuvendit dhe atë të Qeverisë së Kosovës, të lënduar, lotë e piskama, të pozitës e opozitë, si dhe skenat e duelit të "ndërrimit të Republikave"?!
Mbase, këto skena të "spektaklit demoktatik" në rrugët e Prishtinë dhe, mos thashtë Zoti edhe në qendrat tjera anembanë Kosovës, do ta "impresionin" botën demokratike që na ndihmoi ta krijojmë "Republikën (e Dytë) e Kosovës, kurse tani "komandantët" tanë, mbase do t'ia dalin vetëm, pa ndihmën e miqëve tanë ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, do t'ia dalin që rrënojnë nga themeli atë, dhe pa ndihmën e tyre, ta ndërtoj "Republikën e Tretë" të Albin Kurtit & Company?!

No comments:

Post a Comment