Friday, November 20, 2015

Maskarallëqet shtetrrënuese në Republikën e Kosovës



Shkruan: Nehat Hyseni

Maskarallëqet shtetrrënuese në skenën politike aktuale të Kosovës, kanë marrë përmasa të paimagjinuara të rrënimit të imazhit të këtij shteti të brishtë dhe më të ri në Europë.

Gjykata Speciale, si duket, paraqet "mollë sherri" në sfondin (sekret) politik dhe në prapaskenat e politikbërjes aktuale në Kosovë.

 Kurse, "Zajednica" e Vetëvendosjes dhe Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, si "bajrak" politik i AAK-së dhe Ramushit, paraqesin demagogjinë më të madhe dhe më primitive politike që njeh Kosova që nga viti 1999.

Sepse, të dyja këto çështje do të vinin në Kuvendin e Kosovës dhe aty do të zhbëhej nënshkrimi i kryeministrit Mustafa. Madje, "Zajednicën" Presidentja Jahjaga e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetushmërisë dhe deri në janar 2015 kjo çështje është politikisht dhe administrativisht "e ngrirë". 
Ka gjasa reale që të mos "kaloj" në këtë Gjykatë dhe të mos vij fare në Kuvend për shqyrtim.

Por, të gjithë e dijmë se këto çështje, dmth Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe Demarkacioni, janë çështje institucionale, që janë duke u (keq)përdorur në mënyrën më kriminale të mundëshme nga opozita më minore në historinë e këtij shteti të brishtë.

Për të qenë paradoksi edhe më i madh, ky kaos politik po i konvenon edhe mazhorancës ose pozitës qeverisëse aktuale, e sidomos PDK-së, për "të blerë kohë", duke e shtyrë sa më shumë marrjen e vendimit mbi formimin e Gjykatës Speciale dhe funksionalizimin e saj. 

Meqë prej PDK-së do të ketë, sa duket, më së shumti "klientelë" të Gjykatës Speciale, kjo ma sqaron sjelljen enigmatike dhe çoroditëse të kryeparlamentarit të shumëpërfolur Kadri Veselit.

Prandaj, mund të konkludojmë se të gjitha maskarallëqet e opozitës dhe arroganca e patolerueshme e pozitës, kanë një emrues të përbashkët: pushtetin dhe shmangjen e formimit të Gjykatës Speciale, duke u mëshefur nën petkun e kundërshtimit të "Zajednicës" dhe Demarkacionit, të cilën e konsiderojnë si "trampolinë" të katapultimit të tyre në pushtetin aktual, apo në ushqimin e pretendimeve të tyre për fitore të poenave politikë drejtë marrjes eventuale tê pushtetit në zgjedhjet e jashtëzakonëshme apo të rregullta parlamentare. 

Sepse, të gjitha partitë politike të Kosovës e kanë shumë të vështirë mbijetesën politike jashtë pushtetit, dmth në opozitë, si "peshku në zall". Prandaj, mezi presin të gjejnë "arsye patriotike" për ta rrënuar pozitën nga pushteti, zakonisht duke derdhur në mënyrë dhe forma primitive e demagogjike"lotë krokodili" për fatin e Kosovës, për t'u instaluar ata vet në pushtet si "shpëtimtarë" të saj.
Në fakt, kjo klasë politike e ka shtyrë përtej çdo parashikimi afatin e caktuar nga BE dhe vendet e Quintit për formimin e Gjykatës Speciale dhe akoma përpiqen që ta shtyjnë formimin e saj, duke e komprometuar skajshmërisht aftësinë tonë shtetformuese dhe perspektivën e gjithëmbarshme të Kosovës në proceset demokratike e integruese europiane e botërore.

No comments:

Post a Comment