Saturday, October 10, 2015

Kosova në rrezik nga "Filikaçistët"!




Shkruan: Nehat Hyseni 

Kosova aktualisht nuk është e kërcnuar dhe rrezikuar më shumë as nga terroristë, ISIS-i apo ndokush tjetër, por nga të ashtuquajturit "Filikaçistët"!

Këta e kanë bllokuar raportimin e kryeministrit për Dialogun e Brukselit dhe Marrëveshjen e nënshkruar të 25 gushtit 2015, në Bruksel, duke e gjuajtur ate me vezë, pastaj, në mbledhjen e 8 tetorit 2015, me zhurmën shurdhuese të filikaçave, si dhe me hedhjen e gasit lotësjellës nga Albin Kurti, duke e bërë të pamundur punën e Kuvendit të Kosovës pesë herë për një muaj.
Ata madje kërcënojnë se do të përdorin mjete edhe "më të forta", për ta penguar, siç thonë ata vet, vendosjen dhe funksionalizimin e "Zajednicës", ose Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke menduar se kanë gjetur formulën e realizimit të synimeve dhe inateve e pretendimeve personale politike për postin e kryeministrit, të cilin nuk arritën koalicioni VAN ta fitoj në Zgjedhjet e 8 qershorit 2014, meqë VV, AAK dhe Nisma së bashku mezi arritën 1/4 e numrit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Prandaj, atë që nuk e arritën me votën e popullit, tani opozita aktuale pretendon ta arrij në rrugë, me moton "ta shpëtojmë Kosovën nga Zajednica dhe nga Isa"!
Liderët e opozitës janë trimëruar edhe nga kryetari kontravers i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili vazhdimisht bërtet e çirret se "nuk do të lejoj intervenimin e Sigurimit të Kuvendit", sa duket, për arsyet dhe qëllimet politike që vetëm ai dhe tarafi i tij politik i din.

Ndërkaq, "thembra e Akilit" e ushtrimit të funksionit të "Shefit të shtetit", dmth të Presidentit, nga z. Atifete Jahjaga është pikërisht aftësia dhe kredibiliteti i saj i munguar politik, i një lidershipi të mirëfilltë për t'iu përgjigjur detyrave të saj si Presidente e Relublikës së Kosovës.

Njëra ndër detyrat dhe obligimet themelore të saj është, që me paanësinë e vet politike, të vendosë e balancin dhe stabilitetin politik në vend. 

Mirëpo, ajo, edhepse nuk ka parti politike, por është zgjedhur me propozim të Ambasadës Amerikane dhe është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës. 

Megjithatë i mungon autoriteti dhe fuqia politike e ndërmjetësimit midis palëve (partive) politike në Kosovë. 

Ashtu ishte me rastin e ngërçit pllitik gjashtëmujor të vitit të kaluar, kur pas zgjedhjeve të jashtëzakonshëme parlamentare të 8 qershorit, Presidentja Jahjaga,  pa ndihmën e Ambasadës Amerikane dhe zyrës së BE-së në Prishtinë, nuk arriti dot ta zhbllokoj situatën.

Andaj, dyshojmë se edhe tani Presidentja nuk mund t'ia dalë  e vetme, për t'i zmbrapsur apetitet politike të liderëve të opozitës aktuale për ta zënë postin e kryeministrit me çdo kusht dhe pa zgjedhur mjete. 

Madje, edhe duke hedhur gaz lotësjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës. 

E gjithë kjo po ndodhë "në emër të patriotizmit dhe demokracisë", ku opozita është duke derdhur "lotë krokodili" kinse për sovranitetin e vendit.

Mjerisht, Kosova është duke e vërtetuar, madje katërcipërisht, se jo vetëm nuk ishim të aftë që ta fitojmë luftën, por se jemi totalizht të paaftë që ta ndërtojmë edhe paqen. 

Pa ndihmën e Amerikës, jo se jo, por edhe me ndihmën e tyre, çdo ditë e më tepër jemi duke e komprometuar aftësinë tonë të shtetndërtimit dhe të demokracisë e përparimit.

Prandaj, Presidentja Jahjaga duhet urgjentisht të thërrasë një takim në Zyrën e vet të ambasadorëve të vendeve të BE-së dhe SHBA-së me partitë politike të Kosovës dhe, sa nuk është bërë tepër vonë, të vendoset rregulli e qetësia politike.

Aktualisht, Kosova gjendet para një rreziku të madh të destabilitetit politik të vendit. 

Pra, Presidentja Jahjaga nuk posedon kapacitete të mjaftueshme të menaxhimit të situatës së krizës aktuale politike në vend, meqë ajo kryesisht ushtron me sukses rolin përfaqësues dhe atë ceremonial të Republikës së Kosovës mbrenda dhe jashtë.

Por, Presidentja Jahjaga, e askush tjetër brenda Kosovës nuk ka kapacitete politike për t'i dalë përpara këtyre qëllimeve të verbuara politike, që synojnë ose ta sundojnë e zhvatin pafundësisht vet Kosovën, ose, "në emër të patriotizmit she demokracisë", do e kallin e 
shkatërrojnë nga themeli!

Disa forca politike, që i përkasin kryesisht opozitës, të ndihmuara nga liderë të caktuar edhe të pozitës aktuale, sikur dojnë të na dëshmojnë se, edhepse nuk ishin të afta për ta çliruar, ato megjithatë po i tregojnë "muskujt" se sa janë të afta për ra shkatrruar, djegur e shkatërruar atë, poqese ata nuk e sundojnë këtë vend të shkretë e të shumëvuajtur, të cilit bajrakrarizmi në të kaluarën i kishte shkaktuar vuajtje, mjerim e robëri të tmerrëshme. 

Vallë, a do të lejojmë që historia jonë e vetëshkatërrimit shekullorë, tani në shekullin XXI, në "Kosovën e lirë dhe të Pavarur", të na përsëritet?!



No comments:

Post a Comment