Thursday, October 22, 2015

"Republika e Tretë", si ultimatum!



Shkruan: Nehat Hyseni

Në pyetjen se pse, vallë,  nuk po i dorëzohen organeve të drejtësisë së Republikës së Kosovës deputetët e opozitës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kafa-Bujupi, etj., të cilët kanë kryer vepër penale për armbajtje pa leje dhe për hedhjen e gazit lotësjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës, vështirë e kemi t'i përgjigjemi, pa i njohur rethanat politike aktuale në Kosovë, të cilat paraqesin përjashtim nga demokracitë normale në botë. 

Për më tepër, demokracia kosovare shumë pak i përngjet truallit europian, në të  cilin bënë pjesë gjeografikisht.

Sepse, demokracia këtu kuptohet më tepër sipas bindjes aziatike, madje të shekullit XIX e XX, ku demokracia paraqet liri dhe drejtësi pa kufi për akterët politik dhe pushtetmbajtësit, kurse robëri dhe vuajtje e bindje pa kufi për popullin. 

Pra, pushtetmbajtësit dhe akterët politik veprojnë pa u trazuar fare se ligjet duhet të vlejnë edhe për ata. 

Madje, sipas të kuptuarit europian të demokracisë, politikanët, si bartës të funksioneve dhe detyrave e obligimeve publike kanë obligime shtesë për respektim të ligjit. 

Kurse, "aziatikët" tanë mendojnë se kanë imunitet ndaj ligjit, për çkado që bëjnë!

Ata, po t'i ndalë policia në rrugë, psh për kundërvajtje në komunikacion, me përtedë e hapin xhamin (e errësuar) të makinës dhe ndjehen të frustruar dhe nervozuar dhe pyesin plotë fodëlluk e përbuzje: "A e din se kush jam unë?!" 

Pra, duan të thojnë se ata janë mbi ligjin dhe se ligji nuk vlen për ata, dmth për "elitën" politike, por vlen vetëm për popullin e shkretë.

Prandaj, Albin Kurti & Company janë duke vepruar pikërisht kështu, dmth se i japin vetes liri të bëjnë vepër penale, duke penguar punën e Kuvendit të Kosovës dhe duke e shkatërruar pronën publike dhe private sa e sa herë deri më tani. 

Mirëpo, drejtësia e Republikës së Kosovës, e njohur si "drejtësi selektive" e tipit më të egër aziatik, nuk arriti asnjëherë deri tek "peshqit e mëdhenjë" të politikës kosovare, e as tek Albin Kurti me shokë.

Albin Kurti tani më e ka shpallur veten Mbret të Kosovës, kurse Kosovën Monarki Absolute (joparlamentare), ku Sovrani nuk i nënshtrohet ligjeve dhe Kushtetutës të shtetit, për dallim nga monarkitë parlamentare së Europës (Belgjikë, Holandë, Norvegji, Angli, etj), ku mbreti i nënshtrohet ligjit. 

Kurse, për republikë, ku respektohet ligji dhe institucionet demokratike, as që bëhet fjalë.

Pra, Albin Kurti dhe opozita aktuale e Kosovës e kanë shpaluir veten mbretër aziatiko-afrikanë, si pronarë të shtetit dhe të së drejtës në te.

Prandaj, kuptohet se, opozita aktuale, e udhëhequr ideologjikisht nga Albin Kurti, kurse e pasuar verbërisht nga Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, kanë zbuluar se ata janë përfaqësuesit hyjnorë, si faraonët e dikurshëm,  të popullit, në rrugëtimin e tyre "patriotik" drejtë "Republikës së Tretë" të Albin Kurtit.

Prandaj, "në emër të "Republikës së tretë", të cilën do ta udhëhiqte e sundonte Albin Kurti me Ramush Haradinajn e Fatmir Limën, sipas tyre, lejohen të gjitha maskarallëqet dhe aktivitetet diverzante kundër shtetit, si dhe mosrespektimi i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Fillimisht, synohen zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare, me detyrë dhe obligim që të votohen nga populli! 

Sepse, poqese nuk i fitojnë zgjedhjet, ata sipas Albin Kurtit, nuk do t'i pranonin rezultatet e atyre zgjedhjeve, duke e vazhduar kështu, siç deklaroi Kurti në emisionin Opinion të Blendi Fevziut para pak kohësh, do e vazhdonte shkatërrimin e Kosovës "deri në fitoren definitive" të "Republikës së Tretë", ku ata do të sundonin "në emër të popullit"!

Prandaj, ata "në emër të demokracisë" e rrënojmë, përdhosin, shkelin e kompromitojnë atë, si dhe në emër të drejtësisë e shkelin ligjin dhe nuk i respektojnë institucionet demokratike, si dhe në emër të "Republikës së Tretë" të Albin Kurtit, nuk e respektojnë as shtetin e as Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

No comments:

Post a Comment