Tuesday, September 1, 2015

U PENSIONUA DREJTORI I GJIMNAZIT "SKËNDERBEU" NË PRESHEVË, PROFESORI ABDURRAHMAN ZYLFIU




Shkruan: Nehat Hyseni

Pas 41 vjetësh pune të palodhëshme dhe të suksesshme në arsim, më 31 gusht 2015, u pensionua  profesori Abdurrahman Zylfiu, Drejtor shumëvjeçar i Gjimnazit "Skënderbeu" në Preshevë.

Lajmi mbi pensionimin e pritur dhe të merituar të profesorit të historisë  dhe drejtorit shumëvjeçar të Gjimnazit "Skënderbeu" në Preshevë, më krijoi emocione të dyfishta:

1) Emocionin e dhëmbjes pikëlluese, se përfundoi një karrierë e shkëlqyeshme pedagogjike e mësimdhënësit dhe udhëheqësit të këtij tempulli të dijes, dhe

2) Ndjenjën e krenarisë për kontributin e pakontestueshëm që ia dha arsimit shqip të Preshevës, Luginës dhe arsimit kombëtar, sidomos në lëndën e historisë.

Profesori Abdurrahman Zylfiu karrierën e mësimdhënësit e filloi pikërisht me gjeneratën time, në vitin shkollor 1973/74, duke zëvendëduar shumë orë mësimi edhe me ne, që atëherë ishim nxënës të Prof. Fehmi Kelmendit.

Qysh atëherë, si fillestar dhe i moshës rinore, profesor Abdurramoni tregonte seriozitet dhe pjekuri të pashoq prej pedagogu të mirëfilltë, që premtonte shumë.

Kontributi i profesorit Abdurrahman Zylfiu është i madh edhe në kontributin e tij të madh, madje kolosal, në lëmin e arsimit shqip dhe në atë kombëtar. 
Ai, që në ditët e para të karrierës së tij si drejtor i Gjimnazit, filloi aktivitetin e tij këmbëngulës, si kuadër i çmuar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe aktivist me nam i çështjes kombëtare, në rikthimin e emrit të shkollës "Skënderbeu", nga "25 Maji", që i ishte vënë në vitet e stuhishme antishqiptare, nga koha e tmerrëshme e Millosheviqit, kur u përjashtuan nga procesi mësimor ajka dhe elita e profesorëve dhe kuadrit mësimor të kësaj "çerdhe" të dijes dhe edukimit patriotik të brezave të reja dhe rinisë së Preshevës dhe Luginës.

Këmbëngulësia dhe vendosmëria e devotshmëria kombëtare e Gjimnazit, me ndihmën dhe mbështetjen e pafund të shokëve të tij partiak, u kurorëzua me sukses dhe Gjimnazit iu kthye emri i dikurshëm "Skënderbeu".

Por, drejtori Abdurrahmon Zylfiu nuk u ndal me kaq!

 Ai vazhdoi punën e tij me vendosjen e bustës së Skënderbeut, duke u këshilluar e mbështetur pafundësisht nga drejtori i dikurshëm i Qendrës Arsimore "Skënderbeu", që përfshinte edhe SHM Teknike,  Riza Halimi, i cili kishte përvojë dhe dituri të konsiderueshme në lën politik e administrativ.

Kështu, u arrit fitorja historike, jo vetëm e Gjimnazit, por edhe e të gjithë shqiptarve të Preshevës, Luginës dhe mbarë Shqiptarisë, duke u vendosur busti madhështor i Skënderbeut, në oborrin e Gjimnazit.

Vendosja e këtij busti bëri jehonë dhe bujë të madhe atëherë në opinionin mbarëshqiptar dhe për këtë jemi krenarë të gjithë.

Qytetarët dhe kalimtarët e rastit që kalojnë pranë Gjimnazit, në rrugën më të frekuentuar të Preshevës, me krenari dhe mburrje e shijojnë praninë e bustit të "Skënderbeut", që njëkohësisht vepër me vlera kulmore artistike, e punuar nga artisti i madh, i niveleve më të larta kombëtare e europiane, nga ish nxënësi i kësaj shkolle, Skulptori me nam botërore dhe profesori universitar i Akademisë së Arteve në Universitetin "Hasan Prishtina", Ismet Jonuzi.

Meritat dhe vlerat pedagogjike e kombëtare të profesor Abdurrahman Zylfiut, janë të mëdha dhe është shumë vështirë të përmblidhen në një shkrim, sado që të përpiqemi të përfshijmë sa më shumë nga kontributi i tij i madh.

Profesori Abdurrahman Zylfiu tërë karrierën e tij e filloi dhe mbaroi në Gjimnazin "Skënderbeu", në Preshevë.
Gjatë 11 vjetëve të tij si drejtor, Ai ishte i pari që e fillonte ditën e punës dhe i fundit e mbaronte orarin e punës, duke u angazhuar maksimalisht dhe duke iu përkushtuar mbarëvajtjes së punës në këtë institucion të dijes e edukimit, me tërë qenien e tij njerëzore.
Periudha e udhëheqjes së tij si drejtor, paraqet periudhë të ndritur të sukseseve, përkundrejtë sfidave e priblemeve të mëdha me të cilët ballafaqohej arsimi shqip, si dhe shqiptarët në Preshevë dhe Luginë.

Urojmë që ta shijoj me kënaqësi pensionimin, si dhe pensionin e merituar, si rezultat i punës së tij të palodhëshme dhe kontributit të madh që dha, me të cilin krenohemi të gjithë!

Profesorit dhe drejtorit të nderuar, Abdurrahman Zylfiut i urojmë jetë të gjatë dhe të lumtur, duke  mirëpritur kontributin e tij edhe më të madh arsimit shqip në Luginë dhe çështjes kombëtare, falë përvojës së Tij të madhe dhe "lirimit" nga obligimet dhe angazhimi i përditshëm dhe i lodhshëm në punë.
Urime dhe suksese!!!

No comments:

Post a Comment