Sunday, September 20, 2015

LUGINA E PRESHEVËS SI "ÇAMËRI E DYTË" NË BALLKAN!




Shkruan: Nehat Hyseni 

Gjendja e shqiptarve në Luginë të Preshevës, që nga koha e "çlirimit" të Kosovës nga Serbia në vitin 1999, është bërë akoma më e padurueshme dhe po zbrazen e boshatisen me shpejtësi të madhe këto troje stërgjyshore të banuara me shqiptarë me mija vite.

Mjerisht, kjo pjesë e Shqiptarisë ka mbetur pa kujdesin minimal të Kosovës dhe Shqipërisë, duke u lënë pamëshirshëm në duar të regjimeve antishqiptare e fashiste të Serbisë, kurse dy shtetet shqiptare kujdesen me përkushtim fanatik për pozitën e serbëve në Kosovë, duke u siguruar atyre, pa fije turpi, nivele të papara të të drejtave të tyre, mbi të gjitha standardet europiane e botërore. 

Si pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj neglizhence makabre të pushtetmbajtësve dhe elitave politike të dy shteteve shqiptare, Medvegja pothuajse ka mbetur pa shqiptarë, kurse Bujanoci dhe Presheva janë duke bërë hapa shumë  të shpejtë, madje galopantë drejtë spastrimit etnik të tyre nga shqiptarët.
Shkollat lajmërojnë për përgjysmim të numrit të nxënësve në këtë periudhë, kurse në shumicën e  fshatrave të malësisë (Karadakut) të Preshevës dhe Bujanocit, nuk dëgjohet më zili shkollorë!

Ndërkaq, këto ditë, Ministria e Arsimit i dërgoi reth 106.000 libra për 6000 nxënësit shqiptarë të shkollave fillore të Luginës. 
Mirëpo, këto libra nuk kanë arritur në duartë e nxënësve dhe arsimtarve, meqë gjenden në terminalin doganor dhe në pritje të dhënies së lejes nga Ministria e Arsimit e Serbisë, e cila aktualisht ka marrë nga një ekzemplar dhe është në fazën e formimit të një komisioni për studimin e përmbajtjes së tyre. 

Pra, si duket, ky "proces" do të zgjasë tepër shumë, ndoshta deri në përfundim të vitit shkollor, duke dështuar ta arrijnë në duartë e nxënësve. 

Pastaj, meqë planprogramet mësimore të Serbisë nuk përputhen me ato të Serbisë, edhe poqese arrijnë disi, pas kësaj "odisejade" të "rrugës institucionale", siç shprehet Ministri Arsim Bajrami, është e sigurtë se nuk do shfrytëzohen si tekste mësimore në shkollë, por vetëm si "tekste private shtëpiake" të tyre, por jo edhe si tekste zyrtare, në bazë të të cilëve do zhvillohej mësimi.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës heshtë, për të lënë përshtypjen se gjithçka është në rregull dhe se ajo e ka kryer obligimin e saj?!
Kurse, serbët e Kosovës mësojnë sipas planprogrameve mësimore të Serbisë, dmth nxënësit serbë nga Graçanica, Zubin Potoku, etj. mësojnë sikur nxënësit e Kragujevcit, Pozharevxit, Nishit, etj., e jo si ata në Prishtinë, Gjilan, etj. Edhe nxënësit shqiptarë të Luginës mësojnë sikur serbët e Serbisë dhe Kosovës dhe nuk realizohet e zbatohet kurrëfarë reciprociteti.

Mjerisht, elitat politike të Kosovës dhe Shqipërisë janë dhënë pas etheve për pasurim dhe korrupsionit, kurse çështjes kombëtare nuk lanë kohë dhe as vullnet minimal që t'i qasen me përkushtmin e duhur.
Kështu, më 12 shtator 2015, një pjesë e spektrit të komprometuar politik të shqiptarve të Luginës, "shpallën" formimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare të Luginës, pa u konsultuar e dakorduar me partitē politike të shqiptarve të Luginës, e as me Prishtinën dhe Tiranên, si dhe me ndërkombëtarët, duke e dëmtuar rënd çështjen e shqiptarve të Luginës për interesa të Serbisë. Ky grup dashakeq nuk ngurroi ta mbështesë fuqishëm kauzën serbe të pasuesit të Millosheviqit, kryetarit aktual të SPS-it, Ivica Daçiqit, për "shkëmbim territoresh" dhe pêr ndarjen e Kosovës. 

Madje, janë shfaqur dyshime legjitime se edhe vendosja e papërgatitur e Lapidarit dhe mosmbrojtja e tij, ishin të sponzoruzuara nga Serbia dhe të realizuara nga "biznespolitikanët" e Luginës, të cilët politikbërjen e kanë biznes, në kuptimin negativ të fjalës. Sepse, si Ragmi Mustafa në Preshevë, ashtu edhe Nagip Arifi dhe Jonuz Musliu në Bujanoc, dhe bizneset në emër të familjarëve të tyre, shpërblehen nga Serbia me grante, kredi të buta dhe me forma të ndryshme të favoreve shtetërore ndaj tyre. 

Prandaj, në Luginë të gjitha bizneset tjera janë dobësuar skajshmërisht, përveç firmave të përmendura të liderëve politik aktualë të Luginës, që vazhdimisht krijojnë skandale dhe dështime politike të shqiptarve të Luginës, në favor të Serbisë dhe interesave antishqiptare të saj.

Në komunën e Medvegjës, një ditë pas shpalljes së AKSH-së në Preshevë, u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale. 
Qeveria e Serbisë e pengoi ardhjen e votuesve nga Kosova në kufirin në Mutivodë, duke zvogëluar kështu numrin e votuesve shqiptarë në vetëm 25%, nga reth 35%, sa synohej. Sepse, aktualisht në Medvegjë jetojnë vetëm 10% e shqiptarve, kurse 90% e tyre jetojnë në Kosovë dhe gjithandej në Europë dhe në botë.
Mos të harrojmë se çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës nuk mund të zgjidhet pa angazhimin e fuqishëm dhe të vendosur të Kosovës dhe Shqipërisë, ashtu si po ndodhë me serbët e Kosovës, interesat e të cilëve po mbrohen në Dialogun e Brukseit, madje pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës.
Ekziston një bindje dëshpruese tek shqiptarët e Luginës se Qeveria e Kosovës është e preokupuar vetëm me çështjen e serbëve të Kosovës, për të blerë  mbështetjen dhe mosndëshkimin e BE-së dhe SHBA-së për korrupsionin dhe kriminalizimin e politikbërjes shqiptare në Ballkan, dmth në Kosovë dhe Shqipëri, duke u bërë kështu ndihmës dhe përshpejtues të boshatisjes së Luginës nga shqiptarët dhe krijimin e "Çamërisë së dytë" në gjeografinë shqiptare në Ballkan.

No comments:

Post a Comment