Tuesday, September 15, 2015

ASOCIACIONI I NXITUAR I PRESHEVËS, SKANDAL I DËMSHËM POLITIK!



Shkruan: Nehat Hyseni

Të shtunën, më 12 shtator 2015, në sallën e Kuvendit Komunal në Preshevë, PDSH e Ragmi Mustafës, kryetar aktual i komunës së Preshevës, PD e Nagip Arifit, kryetar i komunës së Bujanocit dhe Jonuz Musliut, kryetar i Kuvendit Komunal në Bujanoc dhe kryetar i KNSH, u "shpall" formimi i Asociacionit të komunave shqitare në Serbi (AKSH), nga Kuvendi i këshilltarve shqiptarë të komunës së Preshevës dhe Bujanocit.

 Mbledhja u kryesua nga Jonuz Musliu, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarve në Serbi, si pandan i "Zajednicës", apo i Asociacionit të Komunave (me shumicë) Serbe në Kosovë.

 Mjerisht, nuk kishte marrëveshje dhe dakordim për bashkërendim të aktiviteteve dhe veprimeve për këtë ngjarje kaq të rëndësishme, madje "historike", siç e cilësuan disa media shqiptare.
 Madje, u mor vesh se për këtë nuk kishte gadishmëri dhe as vullnet minimal për bashkëpunim, nga mazhoranca aktuale e pushtetit lokal në Preshevë dhe Bujanoc.

Prandaj, në atë mbledhje nuk morën pjesë pothuajse gjysma e këshilltarve shqiptarë, dmth këshilltarët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) të Riza Halimit, si dhe këshilltarët e Unionit Demokratik të Shqiptarve (UDSH), të Rahmi Zylfiut, që kishin shtruar si kusht për pjesëmarrje në mbledhje: shqyrtimin e dhënies së "Mirënjohjes" ("Zahvallnicës") famëkeqe kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga ana e Ragmi Mustafës.
 Ky akt makabër kishte irrituar skajshmërisht edhe të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë; ishin mbajtur shumë emisione televizive për këtë temë dhe ishin dhënë shumë deklarata nga parti e liderë shqiptarë si dhe nga analistë të ndryshëm politikë dhe nga shoqëria civile, të cilët ishin shokuar dhe irrituar skajshmërisht nga ky gjest i z. Mustafa,  i pamenduar mirë dhe I papranueshëm për shqiptarët. 

Prandaj, këshilltarët e PVD-së dhe të UDSH-së kishin paraqitur kërkesën për interpelancë të z.Ragmi Mustafa, si person egoist, që synon të "mos e ndajë lavdinë" me të tjerët.

Si kërkesë e dytë e këshilltarve të opozitës (PVD-UDSH), ishte shqyrtimi i papërgjegjësisë së Kuvendit Komunal, si dhe të kryetarit të komunës së Preshevës, z. Ragmi Mustafa, me pranimin e zvogëlimit të numrit të banorëve të Preshevës, nga 35.000 që ishin me regjistrimet i vitit 2002, në 29.000. 
Pra, pa kurrëfarë argumento dhe kundërshtimi Ragmi Mustafa  ka pranuar zvogëlimin e numrit të banorëve të Preshevës për 6000 veta, ose për mbi 20%, duke mos kundërshtuar me argumente spatrimin etnik të Luginës së Preshevës, që po e realizon qeveria antishqiptare e Serbisë, me kryetarin e saj, Aleksandar Vuçiq.

Gjithashtu, këshilltarët e opozitës kishin edhe një mori çështjesh tjera, të cilat kishin shkaktuar skandale të tmerrëshme në të kaluarën e afërt, siç ishte çështja e mbështetjes së kauzës serbe për "shkëmbim territoresh" që e mbështeste dhe e kishte program partiak PDSH e Ragmi Mistafës. Dihet se këtë kauzë e lobonte dhe impononte me agresivitet kryetari i SPS-it, Ivica Daçiq, pasues i Millosheviqit, i cili këtë çështje e paraqiti edhe në njërën nga mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Çështje tjetër ishte edhe papërgjegjësia e z. Mustafa, lidhur me vendosjen e Lapidarit të UÇPMB-së, krye në veti, pa i informuar partitë politike shqiptare dhe pa konsultimin me asnjërën prej tyre, si dhe për lënien e tij të pambrojtur fare, duke e lejuar që xhandarmeria e Serbisë ta heq në mëngjesin e hershëm të 20 janarit 2013, pa kurrëfarë rrezistence të shqiptarve.

Mllefi dhe zhgënjimi i shqiptarve të Luginës ishte i madh, meqë Ragmi Mustafa nuk e realizoi as premtimin e dhënë botërisht në KTV në Prishtinë, në emisionin "Rubikon" të Adriatik Kelmendit, me çka lindën dyshime për bashkëpunim të Ragmi Mustafës me Daçiqin: si në rastin e mbështetjes së kauzës së Daçiqit për "shkëmbim territoresh dhe lobimi i tij shumëvjeçar për kauzën serbe për ndarjen e Kosovës, si dhe dështimi i qëllimshëm i Lapidarit, dyshohet se ishin, siç u pa puna, dêshtime të porositura nga Serbia! 

Mjerisht, Asociacioni I Komunave Shqiptare në Serbi është inicuar nga partitë politike shqiptare që janë në koalicion me partitë serbe: SNS-in e Vuçiqit, me SPS-in famëkeq të Daçiqit  dhe me "Sveti Sava-n, kundër partive shqiptare: PVD-sê dhe UDSH-së.

Dyshimet në sinqeritetin e tyre arritën kulmin, kur para gazetave shqiptare, madje një ditë para mbledhjes, gazetat serbe të Beogradit e publikuan "Deklaratën" e tyre për formimin e AKSH-së, kurse asnjë media, agjenci informative apo portal shqiptar, nuk e kishte atë?! Pra, ishte realitet i tmerrshëm bashkëpunimi i ngushtë i tyre me mediat serbe.

Pra, dyshimet janë të fuqishme se kjo çështje mund të jetë një grackë serbe, për ta zhbërë nevojën e realizimit të Referendumit të shqiptarve të Luginës të 1 e 2 marsit 1992, "Për Autonomi Politike e Territoriale,me të drejtë bashkimi me Kosovën", duke e komprometuar domosdoshmërinë për formimin e AKSH në koordinim me të gjitha partitë shqiptare të Luginës, me Prishtinën dhe Tiranën dhe ndërkomëtarët.

Mos të harrojmë se, Asociacioni i Komunave (me shumicë) Serbe në Kosovë është formuar nga dialogu Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e Komisioneres së lart, më parë baroneshës Catherine Ashton, murse tani nga Frederica Mogherini, në Bruksel.

 Por, pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në këtë dialog!

Kurse, në rastin e AKSH të shqiptarve në Serbi, siç e dijmë të gjithë, situata qëndron krejtësisht ndryshe.

Ekziston frika legjitime dhe dyshimi se kjo nguti, pa i bërë përgatitjet minimale, e Jonuz Musliut, Ragmi Mustafës dhe Nagip Arifit për thirrjen e ngutëshme dhe pa konsultimin dhe miratimin e opozitës shqiptare të Luginë, si dhe pa konsultimin dhe pëlqimin e Tiranës, Prishtinës dhe BE-së, është bërë, siç e përmendi deputeti Riza Halimi,  "për t'i mëshefur gabimet", skandalet politike, lëshimet dhe problemet e përmendura, duke na vënë të gjithëve para aktit të kryer, si dhe duke na servirur dhe imponuar edhe një dështim dhe skandal politik të radhës, me çka do të dëmtohej skajshmërisht pozita e shqiptarve në Luginë të Preshevës dhe përgjithësisht në Serbi, duke e shtuar edhe më tepër ekzodin dhe shpërnguljen nga trojet e tyre stërgjyshore.

No comments:

Post a Comment