Wednesday, July 1, 2015

Përpjekjet e Gjermanisë dhe SHBA-së për ta shpëtuar Kosovën nga vetvetja





Shkruan: Nehat Hyseni

Vizita e fundit e Kryeministrit të Kosovës, Akademik Isa Mustafës në Gjermani paraqet nivelin më të lartë të nderimeve që i është bërë ndonjëherë Kosovës në histori, nga ky shtet, që është me ekonomi më të  fuqishme në Europë dhe ndër pesë ekonomitë më të fuqishme në botë.

Kancelarja Angela Merkel, kjo zonjë që po e udhëheq në mandatin e tretë Gjermaninë, është cilësuar si zonja më e fuqishme në botë, organizoi pritje të nivelit më të lartë protokolar që I bëhet një burrështeti, për Z. Mustafa, duke ia bërë të qartë Serbisë, Rusisë dhe të tjerëve sa fuqishëm e mbështetë Kosovën ky shtet me ekonomi gjigante, si financuese më e madhe e Unionit Europian.
Kjo vizitë u realizua në kohën kritike për Kosovën, kur Kuvendi i Kosovës nuk i votoi amendamentet për ndryshimin e Mushtetutës, me të cilën do i hapej rruga themelimit të Gjykatës speciale. 

Prandaj, zonja Merkel sugjeroi që kjo të bëhet sa më parë, si dhe të përparoj procesi I negociatave me Serbinë në Bruksel.

Mos të harrojmë se në të njejtën kohë në Kosovë po qëndron  edhe Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, për të na bindur se duhet bërë çmos që të pengohen tendencat  e shtetzhbërjes që rrezikojnë ta çojnë Kosovën në ambis, me refuzimin e Gjykatës Speciale.

Duhet cekur se Kancelarja Merkel ka qenë mbështetëse e fuqishme e z. Mustafa për zgjedhjen e tij kryeministër, duke ia ditur vlerat e tija akademike e shkencore. që aq shumë i duhen Kosovës.

Mos ta harrojmë skandalin e para disa viteve të Qeverisë Thaçi, lidhur me arrestimin dhe deportimin e dy agjentëve të Shërbimit sekret të Gjermanisë, që operonin në Kosovë. 

Ky gjest i pamatur dhe makabër, i kishte ftohur maksimalisht marrëdhëniet e Kosovës me Gjermaninë, duke i shkaktuar dëme të pariparueshme Kosovës.

Prandaj, mund të konkludojmë se kjo vizitë e Kryeministrit Mustafa Gjermanisë, ishte historike dhe tejet e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, në kohën kur një pjese të klasës politike të Kosovës i janë verbuar sytë dhe janë kthyer kundër miqëve tanë strategjik SHBA dhe BE-së, për interesa të tyre meskine në luftën e tyre të paskrupullt për pushtet, pasurim të paligjshëm dhe për privilegje të pamerituara politike, ekonomike e shoqërore.

Pra, ka ardhur koha kur Gjermania, SHBA dhe miqtë e tjerë tanë. ndërkombëtarë po bëjnë përpjekje për ta shpëtuar Kosovën nga një pjesë e kosovarëve, që e kanë kapur peng shtetin e Kosovës, në emër të "meritave" të tyre të Luftës apo të paqes, duke e vënë së fundmi para rrezikut real që të rrezikohet seriozisht  Pavarësia dhe Sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës.







No comments:

Post a Comment