Friday, July 31, 2015

Gjykata Speciale do e spastroj moralisht luftën e Kosovës për liri e pavarësi






Shkruan: Nehat Hyseni

Të gjitha dilemave reth miratimit të amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, me të cilët do i hapej rruga formimit të Gjykatës Speciale për gjykimin e krimeve të kryera nga UÇK në vitet 1999-2000, u erdhi fundi me deklaratat e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, se do të votohet "pro" formimit të saj edhe nga pjesa e deputetëve aë votuan "kundër" në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, të 26 qershorit 2015.

Kjo shtyerje e deritanishme e miratimit të formimit të Gjykatës Speciale ndodhi me "fajin" e PDK.

 Madje, dyshohet se kjo gjë ndodhi me fajin e vet Hashim Thaçit, me qëllim të shitjes sa më të shtrenjtë dhe më të volitshëm të dhënies së "vizës" për formimin e saj. 

Sepse, shumica e deputetëve të PDK-së, por edhe të AAK-së, Nismës, madje edhe disa nga Lëvizja Vetëvendosja, dyshohet se do të gjykohen nga kjo Gjykatë.
Prandaj, është e kuptueshme, edhpse është jo e arsyeshme, që ata ta kushtëzojnë votën e tyre "për". 
Kuptohet, duke e arsyetuar këtë me patriotizma e populizma nga më të ndryshmit.
 Me demek, se këta "patrotë", nuk votojnë për humbjen e sovranitetit gjyqësor të Kosovës, si dhe me një mori broçkullash e populizmash bajate të tyre, duke u vetëmashtruar se "ia hodhën" popullit të Kosovës dhe ndërkombëtarve, dmth BE-së dhe SHBA- së. 

Kjo situatë i ngjanë shumë batutës kur dhelprës iu ishte kallë bishti, ajo kishte menduar se "u kallë dynjaja".

Prandaj, askush me mendje të shëndoshë sot nuk i beson dokrrave dhe marifeteve e mashtrimeve të frenuesve të formimit të Gjykatës Speciale, qofshin ata deputetë të Kuvendit të Kosovës, ose jo, sepse êshtë e qartë se ata këtë po e bëjnë për ta shpëtuar veten nga "shpata e drejtësisë europiane", me qëllim të mëshefjes së krimeve të panumërta të tyre dhe krijimit të pasurisë milionëshe të arritur në mënyrë të paligjëshme, mafioze e kriminale, duke e kapur shtetin e Republikës së Kosovës dhe institucionet e tij. 

Tragjedikomedia më e madhe e tyre qëndron në faktin se ata akoma mendojnë dhe veprojnë sikur Kosova janë ata vet dhe rrjedhimisht, poqese i "nderojmë dhe mbrojmë" ata, atëherë kemi "nderuar dhe mbrojtur tërë Kosovën"! 

Pra, askush nuk dyshon se të akuzuarit dhe "viktimat" e para të Gjykatës Speciale do jenë deputetët e përmendur të Kuvendit të Kosovës dhe shokët e tyre.
 Gjithashtu, shpresojmë se ata duhet ta kenë kuptuar tani se nuk ka nevojë fare që ata ta mbrojnë sovranitetin e Kosovës nga miqtë tanë ndërkombëtarë. që na sollën lirinë dhe Pavarësinë. 

Përkundrazi, Kosova duhet mbrojtur e çliruar nga këta deputetë me shokët e tyre, të cilët u vetëquajtën "çlirimtarë", e në emër të kësaj i dhanë vetes të drejtë që të kryejnë krime makabre, ta privatizojnë shtetin dhe të identifikohen me shtetin si pronë e tyre që sipas tyre, legjitimohe me "meritat e luftës".

Prandaj, nuk kemi iluzione se formimi i Gjykatës Speciale do t'i gjykoj e denoj të gjitha krimet në Kosovë, ashtu si këtë nuk e bëri UNMIK-u e as EULEX-i më parë.

Por, megjithatë na mban shpresa se diçka, sadopak. në dënimin e krimit dhe vendosjes së drejtësisë, Gjykata Speciale, që sipas të gjitha gjasave, gjatë filimit të gushtit 2015 do të votohet me shumicë të kualifikuar prej 2/3, dmth nga 81 deputetë, dhe do i hapë rrugën "spastrimit moral" të luftës së drejtë e patriotike, për liri e pavarësi të UÇK-së dhe mbarë popullit të Kosovës, duke hapur kështu mundësi dhe horizonte të reja drejtë avancimit dhe përparimit të Republikës së Kosovës, si dhe duke i hapur shtigje e bashkëpunimit dhe bashkëngjitjes familjes së madhe të demokracisë dhe mirëqenies europiane.

No comments:

Post a Comment