Tuesday, July 14, 2015

"Republika e tretë" e Albin Kurtit


Shkruan: Nehat Hyseni


Diskursi politik i imponuar nga ish lideri i Lëvizjes Vetëvevendosje, Albin Kurti, duke i numëruar Republikat, na duket i pazakontë dhe i huazuar nga fjalori politik i Francës së shekullit XVIII dhe XIX.

Kurse, tani bën llogaritë se Kosova paska "konzumuar" dy Republika dhe në radhë na qenka "Republika e tretë"!

Me demek, dy të parat na qenkan të dështuara, sepse na qenkan "gjysmake", kurse kjo e treta do duhej të ishte "e vërteta". 

Sepse, do udhëhiqej nga Albin Kurti!

Pra, kjo Republikë e tretë, meqë do udhëhiqej nga Lëvizja Vetëvendosje do e korrigjonte Marrëveshjen famëkeqe tê 19 prillit 2013, midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar nga Thaçi e Daçiqi, me ndërmjetësimin e Komisioneres së lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton, në Bruksel.

Kjo Marrëveshje, si dhe në përgjithësi Dialogu i Brukselit, tani më është vlerësuar si gabim i madh dhe dështim i plotë i Qeverisë Thaçi, madje duke u cilësuar si "tradhëti ordinere kombëtare", që kishte për qëllim shpëtimin e Thaçit nga akuzat e Dick Martyt, duke lëshuar pé dhe duke u instrumentaluzuar në shërbim të interesave për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe duke e lënë Kosovën si vendin e vetëm të getoizuar dhe të izoluar në Europë, pa liberalizim vizash dhe lëvizjeje të lirë për kosovarët në Europë.

 Kosova gjithësesi ka nevojë për ndryshim të qasjes ndaj Dialogut të Brukselit!

 Kthesa radikale patjetër duhet të ndodhë, duke u zhvendosur vënë ky Dialog nga interesat private të kryenegociatorit, në interesin e përgjithshëm kosovarë dhe gjithëshqiptar.

Pra, duhet patjetër që në Dialogun e Brukselit të shtrohet edhe çështja e Shqiptarve të Luginës së Preshevës, si çështje ekuivalente dhe plotësisht e barabartë me çështjen e serbëve të Kosovës, sipas parimit të reciprocitetit!

Mjerisht, Qeveria Thaçi kishte qasje antishqiptare në Dialogun e Brukselit, meqë nuk e inkuadroi çështjen e shqiptarve të Luginës aty.

 Madje, kjo çështje nuk u përmend fare, në asnjë rast të vetëm! 

Ai u mor vetëm me serbët e Kosovës, duke u shndërruar në vegël dhe instrument të interesave serbe në Kosovë, si dhe në hapjen e rrugës së Serbisë drejtë anëtarësimit në BE. 

Kështu, falë angazhimit të devotshëm dhe fanatik të Thaçit për interesat serbe në Dialogun e Brukselit, Serbia arriti ta nerr ftesën për anëtarsim në BE, kurse Kosova mbeti aty ku ishte: e izoluar mozomakeq dhe e getoizuar nga Europa!

Prandaj, duhet bërë doemos kthesa radikale në Dialogun e Brukselit.

 Se a do të arrij ta bëjë këtë Qeveria Mustafa, mbetet të shihet. Por, gjithësesi, duhet punuar, e jo numëruar "republikat" për interesa politike dhe partiake.
 Ky Dialog duhet vënë nên kontroll të Parlamentit, e jo siç ishte deri më tani në vullnetin politik të Qeverisë dhe Kryeministrit.

Dialogu i Brukselit nuk i solli asgjë të mirë Kosovës, kurse Luginën e Preshevës e tradhëtoi.

 Prandaj, duhet korrigjuar kjo tradhëti dhe çështja e Luginës të shtrohet si e barabartë me atë të serbëve të Kosovës në Dialogun e Brukselit, si dhe të mos lejohet kurrësesi dhe me asnjë kusht që Asociacioni i komunave me shumicë serbe t'i jep të drejtë Serbisë për bashkëqeverisje në Kosovë, kurse të drejtave kombëtare serbevt'i jep karakter territorial me status suzereniteti me Serbinë, dmth të pranimit të sovranitetit të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Në fakt, ky ishte degradimi i Sovranitetit të Kosovës që u realuzua pas Bisedave të Vjenës, të cilat i pati bojkotuar Thaçi, me arsyetimin se nuk mjaftonte Pakoja e Ahtisarit. 

Kurse, pastaj Thaçi e pranoi Serbinë të bashkëqeverisë në Kosovë në Dialogun e Brukselit, ku ai ishte Kryenegociator nga pala kosovare.

Prandaj, në këtë drejtim, mendoj se Albin Kurti ka plotësisht të drejtë dhe për Kosovën dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës është krejtësisht e parëndësishme se si do quhej vënia e Dialogut në binarë kombëtar, si "Republikë e tretë", apo si "Qeveria Mustafa", etj. 

Me rëndësi është që të përmirësohen gabimet dhe dëmet e së kaluarës dhe të ecet përpara drejtë ardhmërisë dhe mirëqenies kombëtare.






No comments:

Post a Comment