Monday, July 13, 2015

A DO TË KET SULME TERRORISTE TË ISIS-it NË BALLKAN?



Shkruan: Nehat Hyseni

Në gazetën ditore ""Bota sot" të 12 korrikut 2015, u botua artikulli me këtë titull:

"Historiania ruse: Në gusht do të shpërthejnë sulmet terroriste në Ballkan"!

Pastaj thuhet se "historiania ruse, Elena Guskova, ka paralajmëruar se në muajin gusht Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina do të sulmohen nga terroristët, sulme që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes nga kryengritjet e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës"!?

Aktualisht, opinioni shqiptar në përgjithësi, e sidomos ai kosovar, është "bombarduar", madje edhe është trishtuar deri në palcë nga informacione, parashikime dhe ngjarje e tentativa të ndryshme terroriste të pjesëtarve të ISIS-it në Kosovë, deri tek tentativa e helmimit të ujit të liqenit të Badovcit, nga i cili furnizohet me ujë të pijshëm gjysma e Prishtinës!

Sidomos ky rasti i fundit është aq i tmerrshëm, sa që vështirë e kemi të besojmë se këta fanatikë fetarë mund të shkojnë aq larg, sa që të synojnë vrasjen në masë të popullit të Kosovës me helmimin e  burimeve të furnizimit me ujë?!

E veçanta e kësaj situate pothuajse alarmante të pasigurisë në Kosovë, Maqedoni, në Luginë të Preshevës, në Mal të Zi dhe në Shqipëri, qëndron në faktin se Serbia dhe Rusia gjithënjë po paraqiten me kinse "informacione" paraprake mbi aktivitetet e ndryshme terroriste, siç ishte rasti i 9 e 10 majit 2015 në Kumanovë, që ishte "parajmëruar" nga shërbimi i sigurisë i Serbisë, se "Maqedonia do të sulmohet nga terroristët shqiptarë", një muaj para se të ndodhëte sulmi i policisë dhe ushtrisë maqedone mbi shqiptarët në lagjen Kodra e Trimave, në qendër të Kumanovës, që është e banuar kryesisht me shqiptarë.

Kurse, tani na paraqitet në media kjo farë "historiane ruse", e cila paralajmëron se "në gusht të këtij viti do ketë akte terroriste nga pjesëtarët e ISIS-it në Serbi, numri të cilëve, sipas saj, "aktualisht kalon mbi një mijë", të cilët na qenkan "të gatshëm të hidhen në sulm në Serbi dhe në B e H, "në momentin e plasjes së kryengritjeve të shqiptarve në Ballkan"?! 

Pra, Rusia dhe Serbia, si armiqtë më të mëdhenjë të shqiptarëve, asnjëherë nuk i pushuan aktivitetet e tyre të tërbuara antishqiptare, duke e keqpërdorur faktin se shumica e tyre janë myslimanë dhe i përkasin fesë islame. 
Prandaj, ato synojnë ta shfrytëzojnë këtë element, për t'i luftuar shqiptarët dhe ardhmërinë e tyre në trojet e veta stërgjyshore në Ballkan. 

Dikur, e sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX, i dëbonin duke i quajtur turq, kurse tani dojmë ta shfrytëzojnë maksimalisht konfliktin në Lindjen e Mesme dhe luftën makabre të ISIS-it, për ta mjegulluar dhe penguar perspektivën europiane të shqiptarve në përgjithësi!

No comments:

Post a Comment