Friday, February 13, 2015

Zhgënjimi i madh




Shkruan: Nehat Hyseni 

Ngjarjet politike e sociale, por edhe ato të sigurisë kombëtare e shtetërore, kohëve të fundit kanë marrë përmasa dramatike në Prishtinë  dhe gjithandej në Kosovë.
Për të qenë ironia edhe më e madhe, kriza aktuale e Kosovës, të cilën e karakterizon një grumbullim i pashembulltë i energjisë negative dhe potencialit të paparë të mllefit të masave popullore, sa që doemos duhet gjetur "ventila" për shfryerjen e "bombës sociale", se përndryshe, ka rrezik se mund të na plasë në dorë e do e bëjë kërdinë!

Tani çdokush në Kosovë pyet: Vallë, pse bash tani, 16 vjet pas përzënies së Serbisë nga Kosova dhe në vigjilie të kremtimit të shtatëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kemi këtë nivel pakënaqësie të popullit dhe këtë ekzod alarmamant?

A thua tani e kemi situatën më të keqe se në qershor të vitit 1999, kur me entuziazëm dhe me gëzim e mall të të papërmbajtur ktheheshim në kolonat e pafund të refugjatëve nga kampet e Maqedonisë, Shqipërisë e nga vendet tjera, edhepse në shtëpi të djegura dhe pa kurrëfarë kushtesh për jetesë. 

Madje, shumica kthehej në oborret e veta, pranë shtëpive të djegura, pa kulm mbi kokë, i kalonin netët nën qiellin e hapur, pa kushte elementare për jetë.

A jemi ne po ata njerëz të '99 që na përzuri me dhunë Serbia dhe me vullnet të madh e padurim ktheheshim në shtëpitë e djegura, apo jo? 

A jemi ne po ata  njerëz që në shtëpitë dhe në tokën e djegur ktheheshim me vendosmëri dhe optimizëm të madh për ta ndëtuar ardhmërinë, duke i sfiduar përpjekjet makabre të makinerisë vastare të ushtrisë serbe dhe të hordhive e bandave paramilitare e çetnikëve të Arkanit e Sheshelit, të cilët i shpërngulën me dhunë e masakra mbi një milion shqiptarë nga Kosova dhe menduan se e kryen misioninin e tyre të shndërrimit të Kosovës në tokë serbe.
Por, këtë Serbia nuk e arriti falë shpresës dhe optimizmit të popullit të Kosovës se me ndihmën e NATO-s dhe Amerikës e mbarë botës demokratike, do ia dalim për ta ndërtuar të ardhmen tonë më të lumtur.

Atëherë ia dolëm. Makineria vrastare e soldateskës serbe u mposgtë dhe u dëbua  me disfatë dhe poshtërim, e dëmkosur si agresore dhe pushtuese në Kosovë. 
Shqiptarët e Kosovës filluan ta shijojnë lirinë dhe ta ndërtojnë ardhmërinë. Madje, shumica duke filluar nga e para.

Pastaj, më 17 shkurt 2008 u shpall Pavarësia e Kosovës dhe gëzimi, hareja dhe optimizmi nuk kishin fund!
 Sepse, më në fund u arritën objektivat tona shekullore për liri e pavarësi!

Mirëpo, tani kur intensivisht janë duke u bërë përgatitjet për kremtimin e shtatë vjetorit të Pavarësisë, kemi situatë dramatike të shpërnguljes masive të shqiptarëve jashtë Kosovës, si dhe kishim protestat më të dhunëshme në rrugët e Prishtinës në historinë e pasluftës.

Andaj, me të drejtë njerëzit pyesin: Vallë, pse po ndodhë e gjithë kjo pakënaqësi dhe i gjithë ky zhgënjim i popullit të Kosovës?

Natyrisht se përgjigjen secili qytetar i Kosovës e ka në këtë pyetje, sepse është duke e përjetuar rëndë situatën aktuale. 

Por, gjithësesi se emërues i përbashkët për të gjitha këto është gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale në vend dhe ajo çka është më e rëndë: zhgënjimi i thellë dhe humbja e shpresave se do ndryshoj diçka për të mirë.

 Dhe, si duket, kjo humbje shprese dhe ky zhgënjim i madh dhe i thellë i popullit, realisht paraqet dimenzionin më dramatik të krizës aktuale në Kosovë.

No comments:

Post a Comment