Thursday, February 5, 2015

Jabllanoviqi u shkarkua, çka pas?





Shkruan: Nehat Hyseni

Kryeministri Isa Mustafa e shkarkoi më 3 shkurt 2015, ministrin Jabllanoviq dhe deklaroi se ai nuk është më pjesë e Qeverisë së Kosovës. 
Me këtë akt të shumëpritur, më në fund u plotësua kërkesa e popullit të Kosovës dhe u pezullua protesta e paralajmëruar për të merkuren, më 4 shkurt 2015, në orën 12:00.

Meqë protestat e 24, e sidomos ajo e27 janarit 2015 në Prishtinë, kishin qenë të dhunëshme dhe kishin shkaktuar shumë lëndime të policëve dhe protestuesve, si dhe demolim e shkatërrim të pronës publike, duke shkaktuar thyerje të  xhamave të Qeverisë në vlerë mbi 250.000 euro, si dhe të pronës private anekënd Prishtinës.

 Protesta e 4 shkurtit paralajmërohej të ishte edhe më masovike, meqë edhe diaspora shqiptare nga Gjermania dhe Zvicra kishte paralajmëruar ardhje masovike. 
Gjithashtu, druhej se në këto protesta, që supozohej dhe pritej se do ishin të dhunëshme, që mund të shkaktonin edhe viktima.

Prandaj, vendimi i Kryeministrit Mustafa u mirëprit nga opinioni kosovar si lehtësim. Kurse, protesta e 4 shkurtit u anulua.

Mirëpo, për habinë e të gjithëve, ministri Jabllanoviq deklaroi se nuk e pranon shkarkimin e tij dhe paralajmëron se Lista Srpska së shpejti do të deklarohet lidhur me hapat e mëtejmë të saj, si partnere e koalicioni qeveritar.

Prandaj, na mbetet të presim ditët e ardhëshme për të parë reagimin zyrtar të tyre.
Poqese Lista Srpska vendosë të largohet nga koalicioni qeverisës, me 9 deputetët e saj, atëherë do na mbetej vetëm një deputet serb, i cili, për dallim nga të tjerët,  e pranon Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj. 
Kurse, Lista Srpska dhe Jabllanoviqi në asnjë moment nuk e kanë pranuar Republikën e Kosovës.
 Ai, madje, as që ka dhënë e as nuk e ka nënshkruar betimin me rastin e marrjes së detyrës së ministrit!
 Përkundrazi, në zyren e tij valvitet flamuri i Serbisë dhe nuk ka asnjë simbol të Kosovës! 
Pra, bukvalisht, Jabllanoviqi nuk e dallon fare Prishtinën nga Beogradi!

 Për Jabllanoviqin, Kosova është Serbi dhe ai këtë e mbështeti edhe me rastin e vizitës së kryeministrit  të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe provokimet arrogante e primitive që ia bëri Kosovës.

Pra, aktualisht në politikë të Kosovës na janë instaluar serbët e dirigjuar direkt nga Beogradi, që realisht nuk kanë lidhje me problemet dhe nevojat reale të serbëve të Kosovës.
 Ata e shikojnë politikën si biznes, kurse serbët e Kosovës si instrument dhe objekt për poena politikë brenda opinionit publik të Serbisë dhe si mjet dominimi të skenës politike serbe, falë "kapitalit politik" që e fitojnë nga dominimi dhe dirigjimi i "piunave" të tyre politikë në Kosovë.
Lista Srpska dhe Jabllanoviqi i kanë rrënjët e tyre në Beograd dhe nuk kanë as idenë për nevojat e serbëve të Kosovës këndej Ibrit.

 Madje as që dojnë t'ia dijnë fare për këtë dhe as që u intereson fati i serbëve në gjashtë komunat serbe Kosovës në enklava, dmth jashtë atyre katër komunave të Veriut të Kosovës.
Ashtu si "plaçkitësit patriotik", mafiozët dhe kriminelët si Veselinoviqi dhe të tjerët, që u pasuruan nga gjendja e serbëve në Kosovë, tani Partia Përparimtare Serbe (SNS) e kryeministrit aktual, Aleksandar Viçiq, me anë të Listës Srpska dhe Jabllanoviqave, që realisht paraqesin politikanë primitivë dhe pa edukatë e kulturë elementare dhe mendojnë se detyrë e tyre është vetëm urrejtja dhe fyerja e shqiptarve, ata synojnë ta fitojnë pushtetin në Serbi, në emër të "patriotizmit serbomadh".

Pra, serbët e Kosovës janë të intsrumentalizuar në garën për pushtet në Serbi dhe janë peng i tyre.

Prandaj, ata i shpërfillin serbët vendorë, të cilët janë thellësisht të interesuar për t'u integruar në shoqërinë kosovare, ashtu si kanë jetuar në fqinjësi të mirë me shqiptarët dhe shumica prej tyre e flasin bukur gjuhën shqipe.

Detyrë e jona e rëndësishme është që t'i mbështesim këta, duke u ofruar kushte për integrim sa më të suksesshëm dhe t'u zvogëlohet hapsira e ndikimit të mafiozëve dhe kriminelëve nga Lista Srpska, të dirigjuar nga Beogradi, për ta destabilizuar Kosovën.

Rasti i Jabllanoviqit i hodhi në shesh të "palarat" dhe qëllimet maksbre të politikës aktuale të Serbisë në Kosovë.

Tani shtrohet pyetja: Çka pas shkarkimit të Jabllanoviqit?

Sa i përket shqiptarve të Kosovës, ata edhe më tutje do ta vazhdojnë ekzodin e tyre drejt armikut tonë, Serbisë, pastaj kampeve të Hungarisë dhe  Europës.

 Ky problem nuk u zgjidhë me shkarkimin e tij, e as nuk u përmirësua gjendja e trishtueshme ekonomike e sociale në vend. 
Për çdo natë nisen mbi 30 autobusë, me 1000-1500 veta largohen nga Kosova. Kurse, për tre muajt e fundit llogaritet se kanë ikur mbi 100.000, dhe intensiteti i shpërnguljes, sa vjen e shtohet, i papenguar nga askush, as nga Qeveria e Kosovës e as nga Serbia. 

Kështu, Serbia tani po e realizon misionin e zbrazjes së Kosovës të filluar në vitin 1999, kur dëboi me dhunë nga Kosova reth një milion shqiptarë.
 Por, derisa atëherë shqiptarët u kthyen, kurse këta tani zor se do kthehen, meqë po shkojnë vullnetarisht dhe janë duke paguar para të majme për të ikur nga vendlindja e tyre.

Gjithashtu, pritet që edhe grevat e arsimtarve dhe të shëndetësisë,  të vazhdojnë për rritjen e pagave. Paradoksi i skenës së këtillë politike na bënë vendin më të çuditshëm në rajon.

 Sepse, derisa në vitet e '90-ta, Arsimi dhe Shëndetësia kosovare ishin shtyllë e rrezistencës stoike dhe patriotizmit, tani janë paraqitur si "grykës" të mëdhenjë, duke kërkuar pagat më të larta në rajon! Sic!!!

Pra, përveç satisfaksionit shpirtëror të nënave dhe popullit të Kosovës nga shkarkimi i Jabllanoviqit, shoqërisë kosovare do i mbesin problemet e saj shoqërore e ekonomike.

Ndërkaq, pritet reagimi i Listës Srpska se a do të jetë akoma pjesë e koalicionit qeveritarë, apo jo. 

Realisht, ky problem fare pak çon peshë, meqë edhe ashtu ata ishin si "Kali i Trojës" dhe asgjë e mirë nuk pritej prej tyre për serbët e Kosovës e as për Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, që edhe ashtu ata nuk i pranonin.

No comments:

Post a Comment