Tuesday, February 10, 2015

Është koha e fundit që Lugina e Preshevës të përfshihet në Dialogun e Brukselit!





Shkruan: Nehat Hyseni 

Marrëveshja për Drejtësi, e arritur dhe nënshkruar më 9 shkurt 2015 në Bruksel, midis kryemistrit Mustafa dhe Vuçiq, me ndërmjetësimin e z. Frederica Moderini, paraqet vazhdimësi të dialogut Kosovë-Serbi, në Bruksel.
Në fakt, kjo Marrëveshje e arritur ka rëndësi të madhe për integrimin e Sistemit Gjyqësor të Veriut të Kosovës në atë të Republikës së Kosovës, si pjesë integrale dhe e pandashme të tij.

Me këtë akt të rëndësishëm i jipet fund veprimeve ekstremiste të bandave kriminale e mafioze që vepronin të papenguar në atë pjesë të Kosovës, që dikur ia kishin vënë zjarrin doganave dhe kishin penguar funksionimin e Gjykatave dhe vendosjen e rregullit dhe rendit.

Andaj, fillimi i funksionimit të Gjykatave dhe vendosja e rregullit dhe rendit atje paraqet edhe fillimin e funksionimit të mirëfilltë të shtetit të Kosovës në tërë territorin e vet.

Prandaj, si i tillë, ky akt i arrithes së kësaj Marrëveshjeje për Drejtësi, duhet përshëndetur dhe inkurajuar implementimi sa më i shpejtë dhe i suksesshëm i saj. 

Natyrisht, ky hap duhet të shërbej edhe për hapat tjerë të integrimit funksional të serbëve të Kosovës, si qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës në të gjitha lëmitë e jetës shoqërore, ekonomike, arsimore, të sigurisë,  kulturore e politike.

Por, Dialogu i Brukselit nuk mund të ketë sukses pa eliminuar defemtin themelorë që ai ngërthen në vet vete, që nga fillimet e tij, me përjashtimin e çështjes së Shqiptarve të Luginës së Preshevës dhe duke i diskriminuar ata tërësisht nga regjimi shovinist serb, pa kurrëfarë mbrojtjeje dhe përkrahjeje nga shteti amë, Republika e Kosovës. 

Përjashtimi, apo më sakt, mospërfshierja e Shqiptarve të Luginës në Diogun e Brukselit, por vetëm të Serbëve të Kosovës, me shumë të drejtë u cilësua si tradhëti kombëtare dhe si gabim makabër politik.

Andaj, është koha që ky gabim i madh dhe kjo tradhëti kombëtare duhet medoemos përmirësuar dhe korrigjuar! Kjo duhet të ndodhë sa më parë, sepse për këtë na obligon edhe Rezoluta e Kuvendint të Kosovës për Luginën e Preshevës, e miratuar më 6 maj 2013, me të cilën Republika e Kosovës obligohet për mbështetje shtetërore e institucionale për vëllezërit shqiptarë që aktualisht kanë mbetur nën Serbi.

Duke u nisur nga fakti se nismën për miratimin e kësaj Rezolute e kishte filluar Lidhja Demokratike e Kosovës, me deputetin e atëhershëm dhe kryetarin e tanishëm të Komunës së Gjilanit,  z. Lutfi Haziri, shpresat  janë shtuar se kjo padrejtësi kombëtare do të zgjidhet sa më parë.

Me përfshierjen e çështjes së të drejtave të Shqiptarve të Luginës së Preshevës në Dialogun e Brukselit si çështje të barabartë me çështjen e Serbëve të Kosovës, jo vetëm që do përmirësohej gabimi fatal që dëmtoi thellë dhe tradhëtoi kauzën kombëtare shqiptare, por dhe dobësoi pozitën negociuese të palës kosovare karshi problemit të serbëve dhe Serbisë.
Shpresojmë se Qeveria Mustafa e ka të qartë se çështja e Shqiptarve të Luginës duhet përfshirë sipas parimit të mirënjohur ndërkombëtar të reciprocitetit të plotë dhe barazisë midis serbëve të Kosovës me Shqiptarët e Luginës së Preshevës, që do e ndihmonte zgjidhje më të drejtë  afatgjate dhe parimore për të gjithë, në këtë pjesë të trazuar të Ballkanit dhe Europës.

No comments:

Post a Comment