Saturday, February 14, 2015

Demagogjia "patriotike" e garës aktuale për pushtet




Shkruan: Nehat Hyseni

Deklarat  e opozitës se Kosova është duke shkuar drejtë shpërthimit të "bombës sociale" dhe pakënaqësive shoqërore e politike, meqë "Trepça duhet shpëtuar nga Serbia dhe avokatët e saj në Kosovë", mendoj se duhet vështruar, ashtu si edhe deklarimet tjera, si pretendim të përfitimit politik të tyre nga rethanat dhe situatat e vështira dhe sfidat në të cilat aktualisht ndodhet shoqëria kosovare.

Aspekti i parë i "brengës për fatin e Kosovës", paraqet anën triviale, do të thoja demagogjike të politikanëve kosovarë në përgjithësi, të cilët zakonisht nuk mund ta dallojnë, apo qëllimisht pretendojnë ta plasojnë shqetësimin dhe hidhërimin e vet që nuk janë vet në pozitë, dmth në pushtet, që  e përjetojnë  rëndë të qenit pa pushtet, privilegje, mundësi korrupsioni  dhe pasurimi të pafund, nga gjendja dhe shqetësimet reale në të cilët vërtetë gjendemi.

Gjithësesi, përjetimi i gjendjes së këtillë të  të qenit pa privilegje e beneficione, shpeshë tek ne pretendohet të plasohet si alarm për gjendjen "apokaliptike" dhe për "kijametin" që na pret. 

Pra, partitë politike opozitare shërbehen me mjete të papastra dhe diskutabile të frikësimit demagogjik të popullit, për të krijuar ndjenjë dëshprimi dhe pakënaqësie ndaj pozitës qeverisëse.

Ky skenar dhe kjo logjikë e mbrapështë u pa shumë qartë, sidomos me rastin e ngërçit politik pas zgjedhjeve të jashtëzakonëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, që fillimisht paraqiti zhgënjim të rëndë për shkak të fitores së "befasishme" dhe krejtësisht të papritur të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Hashim Thaçit personalisht. 

Madje, edhe vet Hashim Thaçi u befasua tepër nga kjo  "mrekulli"e fitores së papritur.

Por, sa duket, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, Isa Mustafa, e sidomos votuesit tradicionalë të kësaj partie, u zhgënjyen thellë nga kjo disfatë e papritur nga "luani" (lexo: PDK) i dobësuar nga formimi i fraksionit "Nisma për Kosovën", me disidentët e rrebeluat Fatmir Limën e Jakup Krasniqin. 

Përvoja e hidhur vetanake e LDK-së nga përçarja në Kuvendin e "karrigave" dhe formimi i fraksionit LDD, kishte krijuar bindje të plotë tek "baballarët" e kësaj partie se e njejta gjë do i ndodhë edhe PDK-së.

Prandaj, ata "të armatosur" me përvojën e tyre politike postrugoviane, filluan të paraqesin shenja të qarta të arrogancës, mendjemadhësisë dhe ndjenjës së "gjithëdijëshmëve", të cilët e ngulfatën frymën kreative dhe përtëritëse, që edhe ashtu mezi  frymonte brenda saj. 

Rrjedhojë e kësaj fryme  e prepotence irrituese ishte kokëfortësia këmbëngulëse dhe mosgadishmëria për hyrje në koalicion me ndonjërën nga partitë politike, që realisht i kushtoi humbjen e zgjedhjeve.
 Pra, LDK kishte humbur fare ndjenjën e realitetit politik nga arroganca e "meritokracisë" së vet politike, që do të "faturohet" qartë në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.

 Por, njohësit e mirë të rethanave brenda kësaj partie këmbëngulin se fatura e vërtetë politike do të paguhet në zgjedhjet brendapartiake të saj, të cilat duhet të ndodhin në vitin 2015 dhe zor se mund të shtyhen më gjatë.
Kjo parti përjetoi dy humbje radhazi për gjysmë viti: njërën në zgjedhjet lokale të fundvitit 2013, kur kryetari Isa Mustafa dhe LDK humbën bastionin katërmbëdhjetvjeçar të qeverisjes së komunës së Prishtinës, duke u mundur në balotazh nga koalicioni i heshtur, por shumë arrogant, joparimor dhe inatçor: "i të gjithëve kundër LDK-së!", duke ia kaluar qeverisjen e Komunës së Prishtinës Lëvizjes Vetëvendosje dhe Shpend Ahmetit.

Kurse, me prishjen e Koalicionit LVAN, që ndodhi pas gjashtë muajsh qëndrese dhe dështoi veç tjerash edhe nga ambiciet e tepruara dhe kokëfortësia e tepruar e AAK-së, e cila me vetëm  9% të votave të fituara e donte me këmbëngulje postin e kryeministrit dhe formimin e Qeverisë nga koalicioni PDK-LDK, menjëherë filluan protestat. 

Fillimisht ato u nisën në Gjakovë, lidhur me deklaratën fyese të ministrit për kthim nga Lista Srpska, Jabllanoviqi, e pastaj eskaluan në dhunë më 24 e 27 janar 2015 në rrugët e Prishtinës, të prira nga Lëvizja Vetëvendosje dhe të mbështetura edhe nga AAK dhe Nisma, pra nga opozita aktuale.

Meqë aktualisht opozita në Kuvendin e Kosovës është e pakët në numër dhe numrin gjithsej 33 nga 120 deputetë, dmth diçka më shumë se çerekun  e saj, ajo vështirë se gjen mundësi për të imponuar qëndrimet e veta. 

Prandaj, ata më me ëndje preferojnë rrugën dhe dhunën!

Madje, nuk ka rëndësi se për çka protestohet. 

Për ata është me rëndësi vetëm fakti që të gjejnë arsye dhe tema për të protestuar. 

Pas shkarkimit të Jabllanoviqit më 3 shkurt 2015 nga Kryeministri Mustafa, protesta e paralajmëruar e 4 shkurtit u anulua.

Por, grevat për rritje të rrogave në sektorin publik, sidomos në arsim dhe shëndetësi, që zhvilloheshin paralelisht me protestat, pothuajse e paralizuan arsimin dhe shëndetësinë e Kosovës.

Tani po merret si pretekst për kundërshtime e protesta tema e Trepçës dhe pretendohet të imponohet bindja se Qeveria po ia falë Trepçën Serbisë, kurse opozita po e mbronë atë. 

Madje, duke u kërcënuar se poqese opozita nuk ia del që ta mbrojë atë në Kuvend, do ta ftoj popullin në rrugë për ta mbrojtur atë.

Kjo sjellje dyfytyrëshe e opozitës paraqet një qasje kontraverze të saj, meqë e njejta nuk votoi për ta shpëtuar Trepçën nga falimentimi.  

Po të mos ishin votat e mjaftueshme të mazhorancës qeverisëse, opozita do ia vente dryrin dhe do e falimentonte e mbyllte Trepçën qysh më 3 shkurt 2015.
 Kështu, tre mijë punëtorët e saj, që  marrin rrogë mesatare 650 euro në muaj, do mbeteshin rrugëve si të papunë, kurse Trepça do të pushonte së ekzistuari.

Por, opozita e verbuar pas pushtetit, vështirë e ka t'i shohë hallet e miletit dhe punëtorëve, duke u treguar skajshmërisht demagogjike dhe e papërgjegjëshme në pretendimet e saj për protagonizëm politik dhe  
në synimin e paskrupulltë për pushtet e privilegje.

No comments:

Post a Comment