Saturday, February 7, 2015

Blendi Fevziu në Prishtinë na e tha të Vërtetën e Madhe!





Shkruan: Nehat Hyseni

Kosova është krijuar si një dinasti mafiozi, si përzierje e krimit të instaluar në pushtet dhe lidhjes së rrjetitit të tyre në kapjen dhe privatizimin e shtetit.

Fillimisht, në vitin 1999 proklamohej se "na çliroi UÇK" dhe se NATO dhe Amerika vetëm sa na paskan "ndihmuar" pakëz! 

Pastaj pasuan mbishkrimet dhe firmat "Mos prek: UÇK!", anekënd Kosovës, duke i dalur zot pronës së huaj.

Pra, shkoi dhe u përzu Serbia dhe Kosova u "okupua" nga UÇK. 

Madje, askush nuk na sqaroi se si ndodhi që ta kishim aq të fortë UÇK-në dhe të shpërnguleshim e dëboheshim nga soldateska e Serbsë me dhunë, mbi një milion shqiptarë?!

Pastaj, askush nuk na sqaroi se a do ktheheshin të gjithë ata pa NATO-n dhe Amerikën, apo do mbeteshin jashtë Kosovës, ashtu si pretendonte dhe kërcënohej Shesheli?

Por, ishte e qartë porosia: UÇK e çliroi Kosovën dhe Kosova dhe e tërë pasuria e pronat e saj i takojnë komandantave të saj, si pronë legjitime e tyre.

Kështu, e tërë Kosova  16 vjet pas pêrzënies së Serbisë dhe shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë  është bërë vend i padurueshëm dhe i pamundur për të jetuar. 

Ekzodi ka marrë përmasa alarmante! 

Sot askush nuk flet tjetër gjë, veç shpërnguljes dhe ikjes nga "Kosova e lirë".

Edhe ate në drejtim të Serbisë! 

E pastaj në Hungari dhe Europë! 

Popullatën e Kosovës e ka kapluar një tmerr e trishtim i paparë dhe një zhgënjim se nuk jemi për shtet e as për milet. 

Hajnia e mëshefur prapa "patriotëve" e"patriotizmave"  e dogji shpresën se "Kosova e lirë dhe e Pavarur" është vend i denjë për të jetuar. 
Politikanët dhe ish komandantët, si pronarë të vërtetë të shtetit, të gjithë qytetarët e Kosovës na kanë shpallur "apatrid", pra të "pa atdhe", se jetojmë në shtetin e tyre, në pronën e tyre, në bukën e tyre dhe nën mëshirën e vullnetin e tyre!
Sepse, ky atdhe, si duket,  nuk ka vend për të gjithë dhe nuk është i të gjithëve, meqë disa janë pronarë të shtetit, kurse i tërë populli dhe ne të vdekëshmit e zakonshëm jemi "qiraxhinjë" në shtetin dhe pronat e tyre.

 Prandaj, rrjedhimisht ne do jemi argat të tyre, kurse ata pronarë dhe patronë të shtetit.

Këtë pozitë populli i Kosovês, si duket e ka shumë vështirë ta pranoj pafundësisht. 

Prandaj, turmat e pafund të të rinjëve, fëmijëve e pleqëve kanë zgjedhur rrugën e ekzodit, si "shpëtim" nga vendlindja e tyre, "Kosova e lirë dhe e Pavarur",  e gulfatur dhe e mbytur nga kjo gjendje e pashpresë.

Dhe tani populli i Kosovës "shpëtimin" e kërkon tek armiku shekullorë: te Serbia! 

Ky është paradoksi më i madh i kohës aktuale në të cilën jetojmë, meqë askush nuk ka mundur as që ta merr me mend se sa keq do e katandisim Kosovën nga keqqeverisja dhe nga mungesa e sensit dhe vullnetit normal, pra them normal e jo "patriotik", sepse "patriotizmi" makabër, si parullë prapa të cilës mëshifet krimi, zhvatja she keqqeverisja e shtetit në emër të "meritave", që krijoi meritokracinë absolute si pronare e shtetit dhe sunduese diktatoriale e mafioze të shtetit.

Vetëm tani mund ta kuptojmë ekzodin shqiptar nga Shqipëria në vitet '90-ta, edhe ate pikërisht në ditët më të vështira të degradimit të Kosovës nga regjimi fashist i Millosheviqit, duke krijuar kështu edhe një barrierë të pakapërcyeshme mirëkuptimi midis shqiptarve "këndej" dhe "andej" kufirit.

Derisa ne shqiptarët "këndej kufirit" vuanim nga regjimi serb dhe ba mohoheshin të drejtat elementare kombëtare me tanke dhe me makinerinë vrastare të soldateskës së tërbuar antishqiptare, shqiptarët e Shqipërisë, dmth "andej gardhit", iknin pikërisht nga regjimi 45 vjeçar i tyre. 
Pra, ata iknin nga pasojat makabre që u kishte krijuar regjimi i Enver Hoxhës, i cili ishte shqiptar!
Prandaj, neve nuk na hynte assesi në tru dhe mendje se si ka mundësi që njerëzit të ikin nga vetvetja, nga regjimi që kishin ndërtuar dhe udhëhequr vet shqiptarët, me udhëheqësa shqiptar dhe me prijësin e tyre Enver Hoxhën në krye?! 
Të cilin gjatë kohë ne shqiptarët "këndej gardhit" e hymnizonim dhe glorifikonim se Perëndi!

Dhe tani, në vitin 2015, na u deshtën 16 vjet pa Serbinë në Kosovë, për t'ia parë "hynerin" vetes. 
Pra, për ta parë se deri ku e si mund të shkoj shtet dërtimi ynë në liri dhe pavarësi, pa Serbinë.

Mjerisht, zhgënjimi është i madh, madje i pafund! 
Mbase, i barabartë me zhgënjimin e shqiptarve të Shqipërisë me regjimin e egër komunist të Enver Hoxhës?
Por, më trishton fakti se akoma nuk jemi mbushur mend ne si popull. 
Jo, jo! Nuk jemi mbushur me d akoma. Së paku jo aq sa e kërkon koha!
Ky zhgënjim i imi mu shtua dhe përforcua edhe më tepër nga vizita e opiniostit shqiptar, Blendi Fevziut, dje, më 6 shkurt 2015 në sallën e madhe të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, lidhur me dy figurat shqiptare: Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën, për të cilët ai ka shkruajtur dy libra.

Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja dhe as që kam mundur të besoj, sidomos sot, se aq shumë enverista e marksista-leninista ka Kosova sot! 
Madje aq agresivë që janë. Nuk kam mundur të besoj se në çfarë atmosfere të mendjes së "ndotur" akoma jetojmë! 
Niveli ishte zhgënjyes. Madje tmerrues!
Derisa Blendi Fevziu sqaronte në mënyrë brilante se as Ahmet Zogu, që ishte "autoritarist e pragnatik", e as Enver Hoxha që ishte stalinist dhe "diktator", nuk e kushin hallin e shqiptarve, të Shqipërisë dhe Kosovës, por e kishin hallin e pushtetit të tyre dhe sundimit, pasi që eliminonin të gjithë kundërshtarët që u dilnin përpara, madje edhe bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë dhe të afërmit e familjarët e tyre.

Sepse, qëllimi i tyre suprem ishte pushteti, e jo shteti dhe populli i tyre!
Pra, këtë të vërtetë të madhe arriti ta thotë Blendi Fevziu dje në Prishtinë! 
Madje në momentin më dramatik të Kosovës, kur Kosova po zbrazet meqë populli është zhgënjyer pikërisht nga ata që në emër të "patriotizmit" u pasuruan dhe e shkretuan këtë vend, duke e bërë popullin të trishtuar dhe të pashpresë pafundësisht!

Nuk e di se sa është i vërtetë fakti që këto ditë e lexova në shtypu  ditor se 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës paskan pasuri sa një milion qytetarë të saj. 
Poqese kjo del e vërtetë, atëherë koment nuk duhet. Gjithçka është e qartë!
Pra, se në emër të pushtetit dhe pasurimit të pushtetarëve, do e humbim edhe shtetin, "Kosovën e lirë dhe të Pavarur", edhe miletin (popullin). 

No comments:

Post a Comment