Saturday, January 3, 2015

Qenan Shaipi, figurë e ndritur kombëtare!


Shkruan: Nehat Hyseni

Qenan Shaipi është i lindur në Preshevë, nga babai Tefiku dhe nëna Sheribane, dhe humbi jetën tragjikisht, si viktimë e regjimit komunist, më 12 mars 1976 në Kankun të Meksikës, gjatë vizitës së  Kryetarit të RSFJ-së, Josip Broz Titos, në rethana të dyshimta dhe të pasqaruara.

 Ai i vuri themelet e Radiotelevizionit të Prishtinës dhe qëndroi stoik në krye të Lidhjes së Studentëve të Kosovës në vitet më të stuhishme e revolucionare të lëvizjeve studentore, që i prinin denjësisht ndryshimeve radikale shoqërore e politike, duke themeluar Universitetin e Prishtinës dhe arritjen e kulmit të mëvetësimit të Kosovës nga Serbia me miratimin e Amendamenteve kushtetuese, me të cilët Kosova u bë Element Konstituiv i Federatës Jugosllave, si dhe fitoi Kushtetutën, në vend të Statutit që e kishte deri atëherë.

Roli i Qenan Shaipit në Kosovën e atëherëshme ishte tejet i madh. 

Ndoshta edhe ky ishte "shpërblimi" i regjimit Jugosllav, i cili ia mori jetën në Kankun të Meksikës, gjatë vizitës së Josip Broz Titos, në delegacionin e të cilit ishte edhe Qenan Shaipi. 

 Akoma sot e kësaj dite nuk u sqarua se si ndodhi vdekja e papritur e këtij djaloshi të ri, 29 vjeçarit Qenan Shaipi, por dyshimet mbeten se kokën ia mori regjimi i atëhershëm i Titos, sepse ishte tepër e qartë se ky djalosh gjenial i pengonte planet e politikës antishqiptare në Kosovë.
 Andaj, sa duket, e gjetën terrenin e përshtatshëm në Meksikën e largët, për ta likuiduar fizikisht.
Qenan Shaipi vdiq i ri. Por, jeta e tij e shkurtër dhe brilante ishte e stërmbushur me obligime e përgjegjësi të larta shoqërore e politike, të cilat i kreu me përgjegjësi dhe përkushtim të lartë dhe devotshmëri kombëtare.

Kontributi i tij ishte i madh edhe në vendlindjen e tij të dashur, në Preshevë, ku Qenani bëri përvojat e para të punës, si ing. i ndërtimtarisë, ku konstruktoi dhe mbikëqyri realizimin e ndërtimit të një ure të rëndësishme, mbi lumin  
e njërit nga fshatrat e mëdha të Preshevës. 
Kjo urë ishte shpëtimtare për vendasit dhe zhduku barrierat dhe pengesat shekullore që pengonin nxënësit për të shkuar në shkollë, si dhe fshatarët në Preshevë.

Kjo vepër monumentale e Qenanit sot paraqet një monument lapidari dinjitoz të kontributit të palodhshëm të tij për popullin e vet.

Edhepse jeta e Qenan Shaipit ishte tejet e shkurtër, meqë u ndërpre në lulen e rinisë, nga dora e pashpirt e regjimit komunist, megjithatë, Lista e veprave dhe kontributeve të Qenan Shaipit për çështjen kombëtare është tejet e gjatë, do të thoja e pafund!

Presheva dhe mbarë Shqiptaria ndjehen krenarë që lindën dhe rritën një  figurë kaq të ndritur, nga familja me tradita të larta intelektuale e kombëtare. 

Stërgjyshi i tij, Osman Efendiu ishte Avokat në Perandorinë Osmane dhe kreu detyra me përgjegjësi të lartë në Vilajetin e Kosovës, në Sanxhakun e pestë, dmth. në Sanxhakun e Prishtinës, ku bënte pjesë Kazaja e Preshevës. Literatura e pasur nga lëmi i Të drejtës Ndërkombëtare Detare dhe punimet e shumta kërkimore-shkencore nga lëmi i Drejtësisë, që e la pas, paraqesin thesar të çmuar shkencës dhe dijes.

Gjyshi i Qenan Shaipit, Shaip Efendiu, ishte Gjykatës i Lartë në Perandorinë Osmane dhe shërbeu në Kazanë e Preshevës. 

Ai u detyrua të shpërngulet urgjentisht për Turqi bashkë me djalin e madh, Osmanin, duke i shpëtuar në sekondat e fundit kapjes dhe ekzekutimit nga pushteti antishqiptar, i Serbisë. 

Por, dora e zezë e regjimit gjakatar serbomadh, tre vjet më vonë, e gjeti dhe likuidoi Shaip Efendinë së bashku me djalin e tij Osmanin, në Diari Bekir, në Anadoll të Turqisë.

 Pra, Qenan Shaipi nuk i shpëtoi likuidimit të regjimit Jugosllav, ashtu si gjyshi i tij i madh Shaip Efendiu dhe xhaxhai Osmani.

Kurse, Profesor Ibrahim Kelmendi, xhaxhai i Qenanit, ishte figurë e lartë e kauzës kombëtare shqiptare. Ai ishte Komandant i Forcave të Armatosura të Kosovës Lindore, në ballë të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare gjatë vitit 1944 në vijën e frontit 25 kilometërsh, "Te Udha e Frengit" ( Hekurudha), nga Bujanoci e deri në fshatin Vaksincë të Kumanovës. 

Kështu, Presheva i përballoi me sukses sulmet e parreshtura dhe luftimet ashpra, për jetë a vdekje kundër Ushtrisë Jugosllave dhe qëndroi stoike dhe e patundur, duke e mbajtur Frontin madje dy ditë të plota  pas kapitulimit të Gjilanit, më 16 nëntor 1944, kurse Presheva u dorëzua më 18 nëntor 1944.
 Gjatë kohë në socializëm kremtohej 18 nëntori si ditë e "çlirimit" të Preshevës. Kurse, Shkolla fillore Qendrore e Preshevës mbante emrin "18 Nëntori". 
Vetëm pas tridhjetë e sa vitesh pas Luftës së Dytë Botërore, kjo Shkollë e "korrigjoi" emrin ( lexo: historinë) në Shkolla Fillore "15 Nëntori", duke e " çliruar" Preshevën një ditë para Gjilanit. 
Me këtë ish regjimi komunist e "pastroi" turpin e paaftësisë dhe pamundësisë për ta thyer rrezistencën heroike të preshevarëve për t'i dalur Zot dhe të mbrojtur vendin e vet.

Sot kjo Shkollë fillore Qendrore e Preshevës, që përfshinë edhe katër shkolla si paralele të ndara të saj, mbanë me dinjitet dhe krenari emrin e "Profesor Ibrahim Kelmendi" dhe është e njohur anembanë Shqiptarisë për rezultatet kulminante në lëmin e edukimit, arsimimit e dijes. 
Nismën për ndërrimin e emrit komunist "15 Nëntori" e udhëhoqi me vendosmëri të palëkundur, deri në realizimin definitiv të saj, vëllau i vogël i Qenan Shaipit, juristi i diplomuar, Feti Shaipi.
 Ai i ka botuar edhe tri vepra shkencore të Profesor Ibrahim Kelmendit, duke i kontribuar kështu zbardhjes dhe afirmimit të veprës dhe jetës heroike të këtij intelektuali të lartë dhe luftëtari e kolosi të kauzës kombëtare shqiptare.
Por, për Qenan Shaipin edhe sot e kësaj dite nuk u përfundua dhe botua libri i filluar para dy vitesh. 

Detyra dhe barra kryesore i mbetet djalit të Qenanit, Agonit, të bijes Zanës dhe bashkëshortes Sebahates. 
Por ama, argat të kësaj pune do ishim me shumë krenari, vullnet e devotshmëri,të gjithë ne. 

Punën kolosale, që moti e ka kryer me përgjegjësi e përkushtim të lartë, profesor Nezir Selmani dhe i tërë materiali, reth 600 faqe është në dorëshkrim, dmth i shkruar me laps, me dorë. 

Merreni me mend se çfarë pune kolosale ka bërë ky zotëri! Por, ato duhet shtypur në kompjuter. 

Ma thotë mendja se kjo punë duhet kryer nga Agoni. Kështu që, kur të del në shtypje elektronike, ai material bëhet "i gjallë" dhe so kishim mundësi që të gjithë ne të interesuarit ta kishim dhe të japim kontributin tonë, secili sipas mundësive, aftësive, njohurive e informatave që do kontribuonim.

Uroj që ky vit të jetë vit i realizimit të këtij Projekti që ka filluar moti kohë. 
Andaj, Agon, të lutem: Na prij!!!

Pra, historia e lavdishme kombëtare e familjes së Qenan Shaipit është e gjatë, e lavdishme dhe krenarë që jemi pjesë e saj ne si familje, por edhe mbarë Lugina e Preshevës, Kosova, Maqedonia dhe mbarë Shqiptaria.

Lavdi jetës dhe veprës heroike të Qenan Shaipit!!!

Me respekt e krenari,
Nipi i Qenan Shaipit
Mr. Nehat Hyseni

No comments:

Post a Comment