Monday, December 1, 2014

Mbi moralin e munguar politik dhe prishjen e Bllokut LVAN




Shkruan: Nehat Hyseni

Prishja e koalicionit LDK-VV-AAK-Nisma, ose Bllokut LVAN, i rrënoi shpresat  e shumiës konsiderueshme të popullit për një Kosovë ndryshe.
Ambiciet egocentrike të disa liderëve të Bllokut LVAN ishin "kali i trojës" brenda tij, të cilin, sa duket, e njihte mirë dhe e pêrcillte me shumë kujdes e profesionalizëm politik, Hashim Thaçi dhe kompania e tij politike, PDK, i mbështetur fuqishëm nga Gjykata Kushtetuese, Presidenca dhe nga mosha e deputetes Flora Brovina, për ta bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës pothuajse gjashtë muaj, deri në zmbrapsjen e rrezistencës dhe shpërbërjen definitive të Bllokut LVAN.

Tani ka filluar "fushata e shpjegimit" nga AAK, Lëvizja Vetvendosje dhe Nisma, mbi shkaqet e dështimit të Bllokut, në stilin "e kam ditë".

 Ashtu thotë Ramush Haradinaj, i cili sulmohet edhe nga Albin Kurti për gadishmërinë e dështuar të AAK-së për koalicion qeverisës me PDK-në, njësoj siç bëri edhe LDK.

 Por, derisa Albin Kurti me plotë të drejtë e mbushë gojën plotë, duke e quajtur këtë tradhëti, Ramush Haradinaj përpiqet ta sqaroj rënien e Bllokut me argumente të çuditëshme. Por, ai nuk mund ta quaj tradhëti koalicionin PDK-LDK, meqë edhe vet e kishte pretenduar bashkëqeverisjen me PDK-në. 
Prandaj, fajësia për "tradhëtinë" e tillë bien njësoj mbi AAK-në dhe LDK-në. 

Madje, Ramush Haradinaj ishte i pari i cili u nxitua dhe e deklaroi prishjen e Bllokut LVAN në një tubim në Obiliq, duke shprehur gadishmëri për marrjen e postit të kryeministrit.  Por, megjithatë, fajet ia hedh LDK-së dhe kryetarit të saj, Isa Mustafës për të njejtën gjë që edhe vet e kishte pretenduar fuqishëm. 

Pra, askush nuk mund ta mohoj faktin se fajtorë dhe përgjegjës për këtë "tradhëti", dmth për prishjen e Bllokut LVAN, janë njësoj Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa!

Vend për shitje të moralit politik politik nga asnjëri prej tyre nuk ka. Aq më pak për AAK-në.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosja dhe Nisma janë fituesit moral të Bllokut dhe ata mund të shesin me të drejtë moral politik. Sepse, ata ishin parimorë.
Madje, Lëvizja Vetëvendosja ishte parti e tretë me 16 deputetë dhe asaj do i takonte e drejta e paraqitjes së kandidatit të kryemnistrit, para AAK-së, që ka pesë deputetë më pak.

Ndoshta ky fakt, e pengoi më së shumti Bllokun LVAN të argumentoj dhe ta bind opinionin se udhëhiqet nga parimet dhe morali politik, e jo nga aspiratat karrieriste të liderëve të tyre politik. 
Këtë të drejtë e kanë humbur definitivisht para popullit dhe anëtarësisë së tyre, si AAK, poashtu dhe LDK.

Sa do të mund ta kapitalizojnë këtë përparësi morale  nga prishja e Bllokut në të ardhmen Albin Kurti dhe Fatmir Limaj, kjo mbetet të shihet. Por, pa dyshim se humbësi më i madh nga prishja e këtij Blloku, mund të konsiderohet  se është AAK dhe Ramush Haradinaj. 
Madje, humbja e tyre është e dyfishtë, meqë janë humbës moral meqë të parët deklaruan gadishmërinë për koalicion me PDK-në, dhe njëkohësisht e humbën mundësinë për këtë, meqë u sfiduan nga "shpejtësia befasuese" e LDK-së dhe Isa Mustafës në këtë drejtim. 

Prandaj, LDK dhe Isa Mustafa mund të cilësohen si humbësit moral, meqë realisht janë njëri nga fajtorët për prishjen e Bllokut LVAN, por janë fitues të koalicionit me PDK-në dhe të postit të kryeministrit.

Përmasat reale të zhgënjimit të një pjese të anëtarësisë, por dhe të disa anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së nga prishja e Bllokut LANV dhe nga marrëveshja për koalicion me PDK-në, mbase akoma nuk dihen. 
Por, dridhja" nga "termeti" i tillë politik, u hetua në të gjitha nivelet e organizimit të saj politik.

Sa do t'i kushtoj kjo fitore LDK-së, natyrisht se do e tregoj koha. Se a do jetë kjo "fitore historike", apo "fitore e Pirros", nga rreziku i  ndarjes së krahut politik brenda saj, duke formuar fraksionin e ri politik "LDD-2" nga Vjosa Osmani dhe të tjerët, të prirë nga "disidenti" dhe aktori kryesor i "Kuvendit të karrigave" të LDK-së, Fatmir Sejdiu dhe formimit të "LDD-së", do ta shohim.
Reagimi i deritanishëm rezultoi me "plasaritje" që u manifestuan me votimin kundër koalicionit të tillë të 7 anëtarëve të KP, midis të cilëve radhitet edhe Vjosa Osmani, si deputete që mori më së shumti vota, pas kryetarit Isa Mustafa, në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014.

Gjithësesi, akoma është heret dhe nuk duhet ngutur në dhënien e parashikimeve të nxituara për të ardhmen e spektrit politik kosovar dhe për fituesit dhe humbësit real nga prishja e Bllokut LVAN. 

Sepse, zgjedhje të rregullta në Kosovë nuk do të ket para nëntorit të vitit 2017 (zgjedhjet lokale), kurse ato parlamentare në vitin 2018, dmth edhe tre vjetë tē plota. Deri atëherë do të kaloj shumë ujë nën urën e skenës politike të Republikës së Kosovës dhe do shihen efektet dhe pasojat reale të saj. 

Por, megjithatë, PDK dhe Hashim Thaçi janë  fituesit e padiskutueshëm politik, por pjesërisht ndoshta e dhe moral, që nga humbësit në maratonën e pretendimit për t'i hequr nga pushteti dhe (keq)qeverisja, ata mbetën në skenën politike kosovare në mandatin 2014-2018.

Mjerisht, mbeti shija e keqe nga mungesa e moralit të spektrit politik kosovar, e sidomos e atyre që në emër të tij formuan Bllokun LVAN dhe ngjallën shpresat tek ne për një qeverisje dhe të ardhme  më
 të mirë. 
Mjerisht, ata kësaj here dështuan, edhe atë në mënyrë jodinjitoze, e së bashku me ata edhe ëndrrat tona për një Kosovë ndryshe.

Zhgënjimet, sidomos të të rinjëve, janë të thella, që manifestohen me skenat trishtuese të braktisjes masovike të Kosovës, në kërkim të një jete më të mirë dhe më dinjitoze, shumica prej të cilëve përfundoj në kampe të ndryshme gjithandej nëpër Europë, në kushte jonjerëzore.
Andaj, ky duhet të jetë alarm për këndellje të klasës politike dhe shoqërisë kosovare, që të këndellemi sa më parë dhe ta kthejmë besimin dhe shpresën se edhe këtu mund të punohet dhe jetohet mirë dhe se askund në botë nuk mund të jetë më mirë se në vendlindje.


No comments:

Post a Comment