Friday, December 12, 2014

Hapja e dosieve, sfidë e madhe!





Shkruan: Nehat Hyseni 

Çështja e hapjes së dosjeve, për ta ndriçuar aktivitetin dhe performansën e protagonistëve të politikbërjes gjatë kohës së socializmit, paraqet sfidë në vete për të gjitha vendet ish-socialiste, si për vendet që i takonin orbitës sovjetike dhe Paktit të Varshavës, ashtu edhe për vendet jashtë saj. 

 Edhepse ka kaluar pothuajse një çerek shekulli nga rënia e regjimit socialist-komunist, asnjëri nga ato shtet nuk ia doli deri në fund zbardhjes së të kaluarës dhe hapjen e dosieve. 

Maqedonia kishte nxjerrur Ligjin e lustracionit kohë më parë, kishte formuar komisionin përkatës, por, ashtu si edhe shumica e shteve ish-socialiste, nuk ia doli kësaj çështjeje deri në fund. 

Madje, kishte aq shumë deformime dhe devijime, sa që ky komision filloi të shërbej më shumë si vegël në shërbim të partive politike, për nevoja të supremacionit aktual dhe dominimit të skenës politike, e shumë pak për zbardhjen e të kaluarës komprometuese e kriminale të ndonjërit prej tyre.

Situatën e rëndon edhe më shumë ngatërrimi me problemet dhe marëdhëniet e komplikuara e problematike nacionale, që i hedhin shumë më tepër mjegull dosieve problematike dhe performansës kriminare të akëcilit akter politik në të kaluarën.

Mos të harrojmë se rrënimi i Murit të Berlinit në fund të vitit 1989 paralajmëroi rënien zinxhirore të diktaturave komuniste. 

Por, rënia e tyre ishte e ndryshme dhe dallonte radikalisht nga vendi në vend, për nga "revolucionariteti" i rënies dhe euforia shkatërruese që i kishte përfshirë.

 Rumania e pësoi keq, duke ekzekutuar diktatorin Nikolla Çaushesku me bashkëshorten, pa gjyq dhe duke inskenuar atmosferë lufte qytetare. 

Ngjajshëm ishte situata edhe në Shqipëri, edhepse këtu nuk pati ekzekutime të kryediktatorit Enver Hoxha, meqë ai kishte vdekur kohë më parë, kurse pasuesi i tij, Ramiz Alia u tregua "fleksibil". Kështu, masat e revoltuara e revolucionare, u mjaftuan me rrënimin e shtatores gjigante të diktatorit.

Sa më i egër që kishte qenë ish regjimi, aq më e fuqishme ishte edhe rënia e tij. Kurse, në Çeki, Sllovaki, Hungari, Bullgari, rënia ishte më e butë.

 Ish BRSS dhe vendet e ish Jugosllavisë shpërthyen në luftë të egër ndëretnike e separatiste dhe u copëtuan si shtete federale që ishin, në shumë shtete nacionale.

 Polonia gjithashtu shënoi rënie radikale, shkatërrimtare, por nuk u shpërbë si shtet.

Pra, e kuara e ish vendeve socialiste dhe rënia e regjimit socialist e mjegullon shumë mundësinë për gjykimin e së kaluarës komuniste dhe hapjen e dosieve.

Aktualisht në Shqipëri deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda ka nisur aktivitetin për paraqitjen e nismës për nxjerrjen e Ligjit për hapjen e dosieve, në Kuvendin e Shqipërisë, duke e thyer bojkotimin aktual të PD në punën e Parlamentit.

 Ajo tani shikohet si disidente e PD-së dhe gjasat pêr sukses janë minimale.

Pra, kjo është pak a shumë situata reale reth hapjes së dosieve në ish vendet socialiste.

Por, si është puna me hapjen e sosieve në Kosovë?

Në Kosovë çështja e hapjes së dosieve për ish-funksionarët kriminelë, është edhe më e mjegulluar. 
Sepse, e para e punës, Kosova gjatë kohës së socializmit, Kosova ka qenë e okupuar nga Serbia dhe  Jugosllavia dhe pushtetin real e kanë ushtruar serbët dhe malazët, kurse shqiptarët ishin bashkëpunëtorë, pa marrë parasysh postet formale tē tyre, megjithatë pushtetin real e ushtronin të tjerët.

Pastaj, pas largimit të regjimit serb nga Kosova në vitin 1999, Serbia e mori me vete tërë dokumentacionin shtetërorë, natyrisht edhe dosiet policore. Prandaj, dosiet tani gjenden në Beograd.

Problem tjetër paraqet fakti se dosiet i kanë hartuar organet antishqiptare të UDB-së famëkeqe.
 Kjo e zvogëlon dhe e bënë të dyshimtë dhe jokredibile vërtetësinë dhe paanësinë e tyre.

Prandaj, hapja e dosieve për periudhën socialiste të keqpërdoruesve të pushtetit, duket tejet sfiduese dhe mision pothuajse i pamundur.

Por, 15 vjet pas çlirimit të Kosovës dhe shtatë vjet pavarësi, tani janë aktuale problemet reth aktiviteteve kriminale gjatë luftës së vitit 1999 dhe pas saj dhe formimi i Gjykatës Speciale, që do të merret me to. 

Pritet që së shpejti Kuvendi i Kosovës të miratoj Ligjin për formimin e saj dhe hapjen e rrugës pë hetimin dhe gjykimin e tyre.

No comments:

Post a Comment