Tuesday, December 2, 2014

Çka presin kosovarët dhe shqiptarët e Luginës nga Qeveria e re e Kosovës?




Shkruan: Nehat Hyseni


Qeveria e udhëhequr nga kryeministri i LDK-së, sa i përket çështjes së bisedimeve apo dialogut me Serbinë në Bruksel, nuk presim se do t'i ndryshoj shumë.

Përkundrazi, meqë kjo Qeveri përbëhet nga koalicioni me PDK-në, që ka vendosur këtë dialog dhe është nënshkruese e Marrëveshjes famëkeqe të 19 prillit 2013, realisht askush nuk pret ndonjë ndryshim radikal.

Qytetarët e Republikës së Kosovës, e sidomos shqiptarët, sipas të gjitha gjasave, do të vazhdojnë të zhgënjehen me lajmet aspak të mira, që do të vazhdojnë t'u vijnë nga Brukseli.

Asociacioni i komunave serbe dhe intstitucionalizimi i të ashtuquajturës "Republika Srpska" të Kosovës, mjerisht, do të jetë realitet i trishtuar që e pret Republikën e Kosovës, duke e sfiduar procesin shtetformues me "bosnjizimin" dhe paralizimin e funksionalizimit dhe funksionimit normal të këtij shteti më të ri në Europë.
 Zymtësia e të ardhmes sfiduese dhe të paperspektivë që u mbollë nga qasja e papërgjëshme dhe kapituluese e ekipit nekociator të Kosovës në Bruksel, paraqesin zhgënjim të thellë dhe humbje e shpresave për një të ardhme më të mirë. 

Në popull thonë se "shpresa vdes e fundit". 
Për shumicën e shqiptarve kudo që janë, Koalicioni LVAN paraqiste një fije shprese se diçka e mirë do të ndodhë me marrjen e përgjegjësisë për bisedimet Kosovë-Serbi, nga Lëvizja Vetëvendosja, me prishjen e Bllokut, LVAN, u shuan.

 Sepse, VV premtonte so do të vendos normalitet në këto bisedime, duke respektuar parimin e reciprocitetit të serbëve të Kosovës me shqiptarët në Serbi. 
Pra, që të vendoset kriteri krahasimtar midis asaj që Qeveria e Serbisë u siguron shqiptarve atje, që do shërbente si pikë referimi, masë dhe obligim i Qeverisë së Kosovës për serbët këtu në Kosovë.

Mjerisht, prishja e LVAN i zhgënjeu shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe shpresat se qasjes antishqiptare në Dialogun e Brukselit do t'i jipet fund, tmerrësisht u shuan.

Na mbetet të presim mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 8 dhjetor 2014, për të parë se kush do t'i udhëheq negociatat e Brukselit. 

Poqese i mbetet PDK-së, kjo do t'i zhgënjente thellë shqiptarët në Serbi. Mbase jo vetëm ata?!

Por, poqese këtë Dialog e merr LDK, atëherë ringjallen sadopak shpresat dhe pritshmërit se diçka pozitive në këtë drejtim mund të ndodhë.
 Sepse, mos të harrojmë se deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ishte propozues i Rezolutës për shqiptarët e Luginës, që u miratua më 6 qershor 2013 dhe paraqet dokumentin e parë dhe unik, në historinë e shtetit të Republikës së Kosovës dhe obligimin e tij për kujdesin vëllazëror e institucional për shqiptarët në Serbi, ashtu si Serbia kujdeset për serbët në Kosovë. 
Pra, presim që politika diskriminuese e Republikës së Kosovës ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës, me taksat kufitare, kuotat diskriminuese dhe marrëzirat tjera që e karakterizojnë periudhën e kaluar, të zëvendësohen me kujdesin vëllazëror për atë pjesë të Shqiptarisë.
 Fillimisht, presim që së shpejti të hapet Zyra në Prishtinë dhe në Gjilan, për kujdesin institucional të Kosovës për shqiptarët e shpërngulur të  Luginës së Preshevës, që jetojnë në Kosovë. 

Gjithashtu, presim që të hapet në Luginë Zyra e Kosovës, si dhe Konsullata shqiptare, që do të shërbenin si përkujdesje institucionale e dy shteteve shqiptare në Ballkan, Kosovës dhe Shqipërisë, për vëllezërit e tyre në Serbi, që vlerësohet se janë aktualisht minoriteti më i diskriminuar në Europë!

Pritjet tona janë që Qeveria LDK-PDK do ta ndërpresë zhgënjimin e shqiptarve të Kosovës, ekzodi i të cilëve ka marrë hov të paparë, duke na rikujtuar skenat e tmerrëshme të ekzodit gjatë kohës së regjimit antishqiptar të Millosheviqit.
Masat ndëshkuese që po i merr Qeveria në ikje e Kosovës, duke angazhuar policinë për ndalimin e ikjes nga Kosova dhe kthimin e tyre. Por, këto masa janë afatshkurtëra. 
Vetëm një politikë e përgjegjëshme zhvillimore, që do ta kthejë zhgënjimin në shpresë dhe besim për një të ardhme më të mirë, do të ishte shpëtim nga kjo situatë e palakmueshme në të cilën aktualisht gjendet Kosova dhe Lugina e Preshevës.

Shqetësimi se me liberalizimin e vizave, procesi i ekzodit do të merr përmasa edhe më dramatike,  obligon Qeverinë e re që t'i qaset me prioritet eliminimit të kësaj dukurie negative dhe të gjenden zgjidhje për zvogëlimin dhe ndaljen definitive të saj, duke krijuar kushte  dhe rethana për një jetë më të mirë dhe më të dinjitetëshme për të gjithë.

No comments:

Post a Comment