Sunday, November 2, 2014

Maratona shtetbllokuese e Kosovës



Shkruan: Nehat Hyseni

Kaluan pesë muaj nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014 dhe Kosova akoma nuk ka arritur ta konstituoj Kuvendin dhe ta formoj Qeverinë e re dhe institucionet tjera shtetërore.
Realisht, pështjellimi dhe ngërçi që ka marrë përmasa dhe karakteristika të krizës së thellë politike, ka një emër. Kjo është bllokadë politike e shkaktuar nga këmbëngulësia kokëfortë e Hashim Thaçit dhe partisë tij për ta (keq)qeverisur me këmbëngulje Kosovën edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2014-2018, edhepse nuk i ka numrat por i ka në dorë institucionet e kapura të Kosovës, nga njëra anë.

Kurse, nga ana tjetër, Koalicioni paszgjedhor LVAN është i vendosur për ta larguar nga pushteti dhe qeverisja e Kosovës dhe për ta çuar në opozitë Hashim Thaçin dhe partinë e tij, meqë ka shumicën parlamentare pre 63 deputetëve, kurse me  20 votat e minoritarëve ka gjithsej 83 deputetë. Mirëpo, nuk i ka institucionet, meqë ato janë në "kthetrrat" dhe "kanxhat" e fuqishme dhe të pamëshirëshme të Hashim Thaçit dhe partisë së tij.

Rrjedhimisht, pretendimet e PDK-së dhe të Hashim Thaçit personalisht, nuk kanë qenë asnjëherë dhe nuk janë as tani për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. 

Pavarësisht nga përshtypja e jashtëme që ishte krijuar. Përkundrazi, interesimi i tyre ka qenë për vazhdimin me qeverisjen e Kosovës. 

Prandaj, ata kërkonin koalicion me njërën nga partitë politike shqiptare, cilado qoftë ajo, vetëm e vetëm që t'ua mundësonte krijimin e numrave, dmth të mazhorancës qeverisëse. 

Kuptohet, doemos me dominim absolut të PDK-së dhe shefit të saj, Hashim Thaçit!

Pra, koalicioni i PDK-së me disa parti "xhuxhe", kishte në fillim 37 deputetë, kurse aktualisht i kanë mbetur 36, meqë deputeti I PD-sē Kelmendi deklaroi se nuk është pjesë e këtij koalicioni, pasi që nuk u pranua propozimi i tij për lejimin e shamive për nxënëse në shkollat publike të Kosovës. 

Prandaj, PDK-së i mungojnë hiç më pak se 25 vota për ta arritur shumicën parlamentare prej 61 deputetëve. Kuptohet, me 20 votat e deputetëve minoritarë.

Meqë kjo parti politike e ka pjekur mirë zanatin e blerjes së deputetëve nga radhët e partive të thera politike, ata u vetëshpallën "fitues" të zgjedhjeve qysh në mbrëmjen e 8 qershorit 2014! Të dehur nga fitorja e sërishme, ata ia vetësiguruan vetes triumfalizmin e përjetshëm, duke fjetur mbi "dafina".

Madje, bindja se përjetësia e pushtetit të tyre mbi Kosovën nuk u mëshef as gjatë fushatës parazgjedhore, e as atë mbrëmje të vonëshme të 8 qershorit. Pra, paralajmëronin ardhmërinë e "lumtur" të Kosovës, që mundoheshin ta shprehnin me "modestinë" e "Vozhdit" të tyre gjenial, se Zoti është në qiell sundues i amshueshëm i botës, kurse Hashim Thaçi dhe partia e tij janë sundues të amshueshëm të Kosovës në Tokë!

Hesapet e këtilla na dolën se ishin bërë "pa hanxhiun", meqë irrituan tërë spektrin politik të Kosovës. 
Kështu, më dhjetë qershor u formua Koalicioni midis LDK-së me 30 deputetë,  AAK-së me 11 dhe Nismës për Kosovën me 6 deputetë, dmth. gjithsej kishin 47 deputetë, që do i mjaftonin që së bashku me 20 votat e partive minoritare, të krijonin mazhorancën prej gjithsej 67 deputetëve.

Këtij koalicioni, pas shumë paralajmërimesh, hezitimesh, dilemash e kushtëzimesh, më 10 shtator 2014 iu bashkëngjit edhe Lëvizja Vetëvendosje me 16 deputetë, duke krijuar kështu mazhorancën prej 83 deputetësh, që paraqet shumicë të kualifikuar që mundëson ndryshime edhe të Kushtetutës dhe vendimmarrje, praktikisht për të gjitha çështjet më të rëndësishme.

Por, meqë PDK dhe Hashim Thaçi personalisht ishin të vendosur që me asnjë çmim të mos e lëshojnë fronin e pushtetit, ata ishin parapërgatitur me kohë për këtë, duke vendosur militantë partiakë në institucionet kyçe të Kosovës. 

Në Gjykatën Kushtetuese kishin kryetarin e saj Enver Hasanin, si dhe shefen e shtetit të Republikës së Kosovës, Presidenten Atifete Jahjaga. Kështu, ishte krijuar një "triumvirat", të cilit më vonë iu bashkëngjitë edhe militantja tjetër e kësaj partie, deputetja më e moshuar e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, Flora Brocina, të dalur nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014.

Pra, Hashim Thaçi u sigurua se i kishte në dorën e tij të fuqishme dhe në karakterin e tij të pamëshirshëm, të gjitha levat e domosdoshme, që do i mjaftonin për ta bllokuar formin e institucioneve të reja dhe konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re, duke e vënë Kosovën para ultimatumit të pamëshirshëm: Ose do ta qeverisin ata Kosovën, o ndryshe nuk bënë!

Kështu filloi "maratona" e bllokadës së shtetit të Kosovës. Pikërisht nga ata të cilët pretendonin se "e çliruan" atë?! 

Edhepse akoma nuk i është e qartë këtij populli kokëshkretë se çka dreqin bënë aeroplanat e NATO-s, që madhe edhe krevatin dhe dhomën e gjumit ia bombarduan Millosheviqit në zemër të shretit të tij në Beograd, si dhe të gjitha kazermat e Ushtrisë Serbe në Serbi e Kosovë, duke i detyruar të flejnë jashtë!
Sido që të jetë, si duket do jetë tejet vështirë të çrrënjoset bindja, mentaliteti dhe praktika e performansa qeverisëse se Kosova është pronë e tyre, se u takon vetëm atyre dhe se ky popull ka "nderin dhe fatin" që të jetë rob i tyre.
 Kurse, ata janë të gjykuar të jenë sundimtarë të përjetshëm të saj!

Logjika e tillë e mbrapshtë, në kushtet e kapjes së pushtetit, drejtësisë, institucioneve dhe shtetit ka imponuar "perandorinë" e kësaj bote nga kjo "kastë" politike.
Mjerisht, Koalicioni LVAN deri më tani  nuk arriti të gjejë zgjidhje për "çlirimin" e Kosovës nga këta "çlirimtarë" të vetëquajtur. 

Natyrisht, LVAN-in do ta fajësonin për paaftësi dhe padituri vetëm ata të cilët nuk i dijnë përmasat reale të fuqisë së pushtetit të qeverisjes së deritanishme. Por, gjithashtu edhe motivimin hamletian të Qeverisë Thaçi: "To bee, or not to bee"!!!

Sepse, të gjitha interesat e tyre janë të lidhura me pushtetin, që kanë krijuar logjikën mesjetare të kohës së sulltan Sylejmanit të Madhërishëm: "O do sundosh, o do persekutohesh!!!"
Prandaj, nuk ka asnjë dilemë se synimet dhe pretendimet këmbëngulëse të PDK-së nuk janë tek posti i Kryeparlamentarit. Jo, jo! Sepse, aty pare nuk ka. 

Paret dhe pushteti real janë në Qeveri, e cila menaxhon me "kasën" ( buxhetin) e shtetit. Ky fakt determinon luftën politike aktualisht në Kosovë.

 Por, njëkohësisht edhe paraqet vështirësi dhe sfidë reale për Bllokun LVAN reth ndarjes së posteve midis tyre.

 Sepse, me marrëveshjen LAN të 10 qershorit, për postin e kryeministrit ishte caktuar Ramush Haradinaj i AAK-së, si dhe për postin e kryeparlamentarit Isa Mustafa i LDK-së. 
Luhatja eventuale nga kjo marrëveshje, sipas llogaritjeve të PDK-së dhe Hashim Thaçit, do e prishte Koalicionin LVAN.

 Së paku ashtu presin ata. Se a do të ndodhë realisht kështu, kjo mbetet të shihet. 

Por, unë mendoj se, megjithatë LVAN ka forca, difuri dhe mbi të gjitha vullnet e vendosmëri që t'i qëndroj deri në fund betejave dhe sfidave që e presin atë në betejën e vështirë, por madhështore, që do ia kthej shpresat këtij populli të shumëvuajtur se "ka dritë në fund të tunelit" dhe se rrugëdalja do të gjëndet për largimin e kësaj keqqeverisje dhe këtij keqmenaxhimi të Kosovës!


No comments:

Post a Comment