Saturday, November 15, 2014

LVAN - terr në fund të tunelit?



Shkruan: Nehat Hyseni

Nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, kaluan pesë muaj dhe kaloi edhe java e parë e muajit të gjashtë dhe akoma nuk kemi arritur që ta konstituojmë Kuvendin e Kosovës dhe as ta formojmë qeverinë e re. 

E gjithë kjo dramë është duke ndodhur në "Kosovën e lirë", 15 vjet pas regjimit dhe policisë së Serbisë dhe pothuajse shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë. 

Por, mjerisht, akoma nuk po i dijmë kufijtë e Kosovës së Pavarur e Sovrane dhe na është bërë lëmsh truri! 
Pra, nuk po e dijmë se a janë Mitrovica e veriut, Zubin Potoku, Zveçani e Leposaviqi, Kosovë apo jo,  që përbëjnë pothuajse 1/5 e territorit të këtij vendi?  

Sepse, siç e dijmë, ato nuk kontrollohen fare nga policia e Kosovës, doganierët barten me helikopterë në pikat doganore dhe aktrojnë se gjoja po e kontrollojnë qarkullimin e mallrave e kontrabandës, që paraqet parajsë për krim të organizuar në atë pjesë të "ashtuquajtur" Kosovë.

 Kjo "parajsë" e ka vënë në gjumë të thellë të vetkënaqësisë dhe hedonizmit të pafund e përallor të klasës politike të Kosovës, që nuk prajnë së derdhuri një oqean "lotësh krokodili" për "nënën Kosovë"!

Por, kjo Kosovë e shkretë, nuk mjaftohet me kaq dhe askush normal në këtë vend nuk e din se a është Kosovë Graçanica, Kllokoti dhe qytetet tjera të banuara me serbë, jashtë Kosovës së veriut dhe 1/5 së territorit të "Kosovës së lirë, sovrane e të pavarur"? 

Sepse, në të gjitha këto pjesë kryeministër është Aleksandër Vuçiq, valutë nacionale është dinari dhe nuk e di se çka u mungon tjetër të quhen Serbi, ashtu si Vranja, Prokupla, Kurshumlia dhe qytetet e tjera të Serbisë?!

Manovrat më të mëdha në histori Ruso-Serbe që po zhvillohen aktualisht në Serbi dhe në afërsi të Kosovës nuk i trazojnë askend nga "çlirimtarët e Kosovës", ashtu si pas luftës vendosja e kufirit mbi lumin Ibër, që ishte harruar fare. 

Sepse, pasi e "çliruam" Kosovën, rendi ishte që ta plaçkisnim, uzurponim e shkretëronim si është më zi! 

Kështu, prodhuam një shtet gjysmak, me një klasë politike "patriotike" që don t'ia shkulë nga themeli çdo element shtetësie, demokracie e menaxhimi të përgjegjshëm të atdheut. 

Madje, disa "intelektual(uca" u ngutën ta shpikin edhe kombin "kosovar", sepse kombi shqiptar na qenka i stërmadh dhe shteti i Kosovës superfuqi botërore! Haj medet! 
Të lumtë na për mençurinë (çmendurinë) dhe politikanët që kemi, të cilëve nuk u pushojnë lotët duke vajtuar për Kosovën dhe për fatin e këtij mileti.

Gara se kush do e shkatërroj e shkretëroj më tepër këtë vend të bekuar, sa duket, nuk ka të ndalur.

 PDK dhe Hashim Thaçi e shkretëruan e turpëruan dhe tmerruan Kosovën shtatë vjet dhe   
Koalicioni paszgjedhor që u krijua  më 10 qershor 2014, dmth dy ditë pas zgjedhjeve, midis LDK-së, AAK-së dhe Nismës, të cilit iu bashkangjit, pas shumë hezitimesh e kushtëzimesh, dy muaj pas, dmth më 10 shtator edhe Lëvizja Vetëvendosje, që krijuan mazhorancën prej 63 deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Kosovës. 

Kjo mazhorancë shqiptare kishte domethënie dhe rëndësi të madhe  për arsye se i jipte fund qeverisjes së pakicës shqiptare të PDK-së me minoritetet dhe diskriminimit e rrezikimit real të shtetzhbërjes së Kosovës dhe antishqiptarizmit që krijoi tradhëtinë më të madhe në Dialogun e Brukselit dhe Marrëveshjen monstruoze Kosovë - Serbi të 19 prillit 2013 të nënshkruar nga Thaçi e Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

 Me këtë akt makabër, Hashim Thaçi e zhbëri shtetin, sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe e tradhëtoi Luginën e Preshevës duke e shitur në Beuksel për interesa të tij personale e partiake të kompanisë së tij antikombëtare.


Prandaj, firmimi i Koalicionit LVAN i ngjalli shpresat tek shumica e shqiptarve, duke e shikuar atë si shpresë dhe mundësi e vetme reale për t'i dhënë fund keqqeverisjes dhe antishqiptarizmit të Qeverisë Thaçi. 

Pra, shikohej si "dritë në fund të tunelit" dhe shpresë e fundit për këtë popull të shumëvuajtur.

Mirëpo, Thaçi na doli "kapuç me mëngë" dhe dëshmoi se siç nuk qitet në shpinë maca, ashtu edhe Hashim Thaçi dhe partia (kompania) e tij nuk mund të hiqen kollaj nga pushteti. 

Sepse, ishin përgatitur me kohē për ta kapur shtetin dhe institucionet aq fortë, sa që kanë filluar të na bindin se kishin hedhur themelet për krijimin e një Enver Hoxhe të ri, apo të një Putini fuqiplotë në Kosovë. 

Kushtetuesja, Presidenca dhe deputetja më e moshuar e kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, sikur ishin garancë e palëkundëshme për këtë. 

Pra, Hashim Thaçi ishte i bindur se kishte krijuar të gjitha premisat e domosdoshne për ta rrënuar parimin themelor të demokracisë parlamentare me anë të institucioneve të komanduara shtetërore nga ai personalisht, për t'i siguruar vetes mandat të përjetshëm në qeverisjen e Kosovês, ashtu si Titoja dhe Enver Hoxha dikur dhe Vlladimir Putini sot!
 LVAN gjatë kohës u dëshmua se nuk ishte në nivelin e nevojave politike të kohës, as profesionalisht, as moralisht, e as politikisht. 
Sepse, tendencat karrieriste brenda saj, sa duket rrezikojnë realisht zhbërjen dhe trënimin  e saj, si "kulla prej letre", meqë janë duke rënë në kurthin e Hashim Thaçit, duke rrezikuar të devijojnë të bëhen edhe më radikal se vet Thaçi, duke rrëshqitur në kurthin e (vetë)bindjes së tyre se: " Kosova jam unë!"

Prandaj edhe dëshprimi trishtues i popullit të Kosovës është legjitim. 
Sepse, jemi lodhur me eksperimentime dhe tendenca të ripërsëritjes së historisë trishtuese të krijimit të kulteve të personalitetit dhe "baballarëve" të kombit. 
Këtij populli dhe këtij vendi i duhet ndryshimi i
mentalitetit (keq)qeverisës, e kurrësesi rokadë personalitetesh dhe garë e papërgjegjësisë, keqmenaxhimit, korrupsionit e diktaturës në emër të "meritave" që klasa jonë politike në mënyrë patologjike dhe shizofrenike mendon se i ka dhe se kjo ua jep atyre të drejtën ta zhvatin e katandisin pafundësisht këtë nënqiell të Ballkanit dhe këtë popull të shumëvuajtur, i cili pati fatin historik të çlirohet nga armiqtë e vet shekullorë, duke i falemnderuar miqëve tanë ndërkombëtarë, në krye me SHBA-në.
 Mbase ka ardhur koha që tani të çlirohemi nga vetëvetja dhe t'i sigurojmë vetes vendin e merituar në familjen e popujve të përparuar e të civilizuar, si dhe shtetin e shoqërinë e bazuar në vlera të mirëfillta të demokracisë parlamentare.
Urojmë që e ardhmja të dëshmoj se liderët politik e dojnë Kosovën për t'i shërbyer popullit të vet, e jo për ta sunduar, shfrytëzuar e robëruar!







No comments:

Post a Comment