Tuesday, November 4, 2014

"Rrethimi i Kalasë"




Shkruan: Nehat Hyseni 

Taktika e PDK-së dhe Hashim Thaçit kundrejt Koalicionit paszgjedhor LVAN i ngjetë shumë taktikës ushtarake që dikur e aplikonte ushtria osmane për ta thyer rrezistencën e mbrojtjes së shqiptarve nga pushtimi turko-osman.
Sidomos ishin mbreslënëse tentativat e sulltan Mehmetit Pushtuesit, në vitin 1474 dhe sidomos ai i vitit 1478 për pushtimin e Kalasë së Shkodrës.

 Meqë sulmet për ta pushtuar kalanë rezultuan me shumë viktima dhe pa sukses, ai vendosi që ta mbaj të rethuar Kalanë edhe gjatë dimrit, deri sa u thyen nga etja dhe uria mbrojtësit dhe u vetëdorëzuan.

Maratona e pritjes së formimit të institucioneve, Konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re, që u imponua nga performansa shtetbllokuese e PDK-së së Hashim Thaçit me institucionet e kapura shtetërore, Kushtetuesen dhe Presidenten, e pastaj edhe të deputetes më të moshuar të legjislaturës së re, deputetes Flora Brovina. 

Pra, tani PDK dhe Hashim Thaçi e kanë bllokuar shtetin e Republikës së Kosovës dhe meqë janë duke qeverisur vendin, ata janë duke bërë të gjitha makinacionet dhe të pabërat  për ta penguar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e vënë para ultimatumit këtë vend: O do e qeverisin PDK dhe Hashim Thaçi Kosovën, ose do mbetet Kosova e bllokuar nga ata!
Nga katandisja e Kosovës nga Thaçi & Company shpresojnë, sa duket, ashtu si shpresonte sulltani osman në vetëdorëzimin e shqiptarve dikur, ashtu këta shpresojnë sot se do e detyrojnë Koalicionin LVAN të thyhet nga mbrenda. 

Shpresat e tyre janë se  bllokimi i gjatë i Kosovës do të jep doemos rezultat, duke pritur që të shpërbëhet LVAN, apo edhe të depërtohet  brenda "kalasë" së LDK, duke lansuar tezën se Ramush Haradinaj nuk duhet të bëhet kryeministër, por se këtë post duhet ta ushtroj Isa Mustafa i LDK-së, meqë kjo është partia më e madhe e Koalicionit LVAN, me 30, nga 63 deputetë që i ka gjithsej ky Koalicion.

Pra, strategjia e PDK-së është që ta thyej me një veprim LDK-në dhe LVAN-in, me tezën se Isa Mustafa doemos duhet bërë Kryeministër, duke u futur në koalicion me PDK-në. 

Llogaritë e tilla mbështeten aktualisht, edhepse si zëra të vetmuar, nga disa aktivistë të LDK-së, që të mirëinformuarit e dijnë se ata ishin kundërshtarë të Isa Mustafës. 

Tani ata, me bekimin dhe ndihmesën e pakursyer të Hashim Thaçit, janë duke derdhur "lotë të krokodilit", kinse për interesa të LDK-së, meqë synojnë që Isa Mustafën ta bëjnë Kryeministër. 

Në opinion është duke u plasuar si kërkesë "për ridizajnimin e koalicionit LVAN".

Natyrisht, ky presion është ndërsyer nga Hashim Thaçi, por është i ndihmuar nga mbrenda LDK-së nga kundërshtarët e Isa Mustafës, si puna e Fatmir Sejdiut dhe mbështetësve të tij, që janë duke e pritur momentin e duhur. 
Ky koordinim i veprimeve të Hashim Thaçit me diverzantët brendapërbrenda LDK-së llogaritet se do jep efekte spektakolare, duke e shkatërruar Koalcionin LVAN dhe LDK-në, me"një të rame, dy të vrame", duke na rishpallur fituesin real të qeverisjes me vendin për mandatin 2014-2018 nga Kryeministri formal  i LDK-së dhe nga pushteti i hekurtë i PDK-së dhe Hashim Thaçit. 

Ashtu si ishte dikur koalicioni PDK-LDK dhe  tandemi Thaçi-Sejdiu.
Rezultatet e tandemit të tillë janë ndier gjatë kohë në Kosovë, meqë i mundësuan pozitën e "sulltanit" Hashim Thaçit dhe atë të servilizmit të padinjitetshëm të Fatmir Sejdiut. 

Kuptohet se pasojat e tilla nuk mund të përfundonin ndryshe, pos që sipas këshillave të Thaçit dhe grykësisë makabre të Sejdiut, t'ia jepnin grushtin vdekjeprurës partisë më të madhe në Kosovë, të Presidentit historik të Kosovës, vizionarit Dr. Ibrahim Rugovës.

Ajo që i trimëron aktualisht koalicionet e nëntokës LDK-iste me misionarët sekret të Hashim Thaçit, si duket, mund të konsistoj në vetëbesimin e tyre se kanë gjetur "formulën magjike" të suksesit të pretenduar të tyre!

Disa nga këta misionarë janë duke vepruar nga jashtë, si puna e disa PDK-istave që moti kohë kanë deklaruar me "profeci" koalicionin PDK-LDK, duke llogaritur edhe në "masonerinë" politike të ndërkombëtarëve, të cilët janë jetësisht të interesuar që ta mbyllin kapakun e "Kutisë së Pandorës" që ka filluar të shpërthej me megakorrupsionin në EULEX, që do i hapte rrugë zbardhjes së skandaleve të aleancës së mafiozëve ndërkombëtarë me ata vendorë, që ia kanë nxirë dinjitetin dhe perspektivën këtij vendi dhe këtij populli të shumëvuajtur!

Pra, Kosova aktualisht gjendet para sfidave të mëdha midis luftimit të së keqes që snellë keqqeverisja e vendit, nga njëra anë dhe mobilizimit dhe vendosmërisë për ta çuar deri në fund vendosmrinë për çrrënjosjen e së keqes, keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit të këtij vendi.

No comments:

Post a Comment