Friday, October 17, 2014

Shfryrje e histerisë antishqiptare të primitiivizmit serb




Shkruan: Nehat Hyseni

Ndeshja e futbollit Serbi-Shqipëri, më 14 tetor 2014 në Beograd, hodhi në sipërfaqe tërë urrejtjen nacionalshoveniste të serbëve dhe shfryerjen e tërbimit e antishqiptarizmit,  që u manifestua në mënyrën më primitive dhe më të fëlliqur në tribunat e ekipit të "Partizanit", të 40.000  tifozëve (të çmendur) serbë.

Kjo ndeshje futbollistike ishte më tepër se lojë futbolli, ashtu si edhe shumica e ndeshjeve sportive kudo në Ballkan, ku proçeset e retarduara socio-politike na e rikthejnë euforinë nacional-shoviniste, që Europa e tejakoloi qysh në shekullin e XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX. 

Kësaj radhe, kjo ndeshje futbolli ishte  e përmasave përtej shteteve respektive, Serbi-Shqipëri, meqë ekipi shqiptar ishte i përbërë përgjysmë edhe me futbollistë nga Kosova. Pra, faktikisht kjo ndeshje midis shqiptarve dhe serbëve.

Si duket, Reliktet e primitivizmit nacional-shovinist antishqiptar, janë ruajtur e kultivuar më shumë se askund tjetër, tek dy fqinjët tanë. Greqia dhe Serbia. 
Kuptohet, që të dyja këto shtete shoveniste dhe skajshmërisht antishqiptare, janë të frymëzuara dhe mbështetura nga babai i pansllavizmit dhe panortodoksizmit, BRSS-së komuniste të Stalinit, Brezhnjevit dhe të tjerëve, kurse tani nga Rusia dhe despoti apo "Hitleri i shekullit XXI", Vlladimir Putin, i cili  të nesërmen, më 15 tetor 2014, me rastin e kremtimit të 70 vjetorit të "çlirimit të Beogradit",  e vizitoi Serbinë, me një paradë ushtarake të paparë në Serbinë postjugosllave.

Aty Serbia i tregoi "muskujt", kurse Putini do shfaqet i krekosur me kompleksin e tij trupshkurtër, pothuajse të shkurtabiqit, në krahasim me nikoqirët e tij "vëllezërit" e (pa)dëgjueshëm sllavë, si "baba" i pansllavizmit.

Kjo ndeshje futbolli, pra ishte më shumê se futboll, meqë edhe pretendimet ishin të tilla. 

Më parë, Serbia ishte mësuar që shqiptarêt t'i shkelë e poshtëroj pa kufi, duke i nënçmuar më shumë se sa duke i urrejtur. Një lloj i poshtrimurrejtjes, apo urrejtjeposhtrimi.

Të ju them të drejtën, meqê kam studiuar në Sarajevë, atje ne studentët shqiptarë ndesheshim në çdo hap me nënçmime, "shiptari" , "shiftari", etj.

 Skenat më të tmerrëshme ishin në Bashçarshi, ku shqiptarët grumbulloheshin, me litarët që i hidhnin mbi qafë, disa të tjerë me sharra në dorë,  të tjerët me karrocat hamall, duke pritur punë,  në borë e shi si argat për të punuar punët më të rënda dhe më të pista e të padenja, vetëm që ta fitojnë kafshatën e gojës për familjet e tyre në Kosovë e Maqedoni,  që regjimi i Titos ua kishte siguruar me "vëllazërim bashkimin".

Poashtu edhe në studimet e mia postdiplomike tê magjistraturës në Beograd, skenat afër përmendores së Vuk Karaxhiqit, ku grumbullohej turma e pafund e shqiptarve për të shitur fuqinë e tyre fizike për të sharruar dru pë zotërinjtë serbë, për ta futur qymyrin nëpër poddumet dhe depot serbe, apo pêr të kryer ndonjë punë tjetër të rëndë fizike apo të pistê, që nuk denjonin "zotërinjtë serbë" t'i kryenin vet, meqë ato i kryenin "shërbëtorët shqiptarë".
 
Mund të duket paradoksale, por ne studentët shqiptarê më tepër e duronim dhe toleronim urrejtjen dhe shovenizmin ndaj shqiptarve, e shumë më pak poshtërimin. 

Po, po, poshtërimin nuk mund ta duronim! Prandaj, në Sarajevë dhe në Beograd ndodhnin shumë shpeshë ekscese dhe konflikte e rrafje masive midis grupesh të shqiptarve dhe serbëve.

Pse ne studentët shqiptarë e duronim më lehtë urrejtjen ndaj nesh se sa nënçmimin?

Sepse, ta urresh ndokend nuk do të thotë se doemos ata duhet të jenë të këqinjë. 

Përkundrazi, ajo urrejtje mund të jetë rezultat i rivalitetit politik, kulturorë e kombëtarë dhe kombi i urryer mund të jetë më i përparuar e civilizuar, si psh. raporti midis francezëve dhe gjermanēve, serbëve e sllovenëve, serbëve e kroatëve, etj.
Por, kur ishte fjala për shqiptarët, ata kishin një paragjykim të tmerrshëm se ne jemi komb i "pacivilizuar", i "pakulturuar", "primitiv", etj. duke na konsideruar si racë më të ulët, edhepse ne studentët shqiptarë tregonim sjellje dhe sukses shumë më të lartë se serbët, edhepse studionim në gjuhë joamëtare.

Ky realitet i nënçmimit dhe poshtërimit të shqiptarve nuk ka ndryshuar fare as tani në Serbi. Anketat e bëra të opinionit serb tregojnë se në Serbi aktualisht nënçmohen dhe urrehen më së tepërmi romët, homoseksualët dhe shqiptarët. 

Derisa urrejtja racore serbe ndaj romëve "arsyetohet" në Serbi me nivelin e tyre primitivë, urrejtja ndaj homoseksualëve bëhet për arsye morale, urrejtja ndaj shqiptarve ka të bëjë me nënçmimin e tyre si komb i civilizuar, i cili, po të konsolidohej në pikëpamje shtetformuese, dmth që t'i përfshijë të gjithë shqiptarët në një shtet, atëherë do ndryshonte fare gjeopolitika e Ballkanit. 

Atëherë do sfidohej roli i Serbisë si "xhandar i Ballkanit", me mbështetjen e "vëllait të madh", Rusisë, vegël e së cilës është Serbia. Kjo u ridëshmua qartë edhe nga mikpritja ekzaltuese serbe ndaj Putinit.
Por helikopteri, apo droni i lëshuar mbi stadiumin e Partizanit në Beograd, gjatë ndeshjes futbollistike Serbi-Shqipëri, tregoi qartë se sa lehtë mund të provokohet nacionalshovinizmi dhe fashizmi serb, që paraqet njërin nga aktet më barbare të pisllëkut moral që e karakterizon këtë komb, që shikuar nga niveli paracivilizues i tyre në tribuna, dëshmon qartë se këta janë larg, madje shumë larg civilizimit dhe Europës.

Ky iracionalitet i shfryerjes banale të pisllëkut serb me këtë radt dëshmoi përveç urrejtjes shizofrenike antishqiptare, edhe frikën e tyre dhe paaftësinë për ta kuptuar realitetin e ri në Ballkan, se tani kemi dy shtete shqiptare dhe se dhjetë milion shqiptarët ishin tifozë për ekipin e tyre kombëtar. Ky realitet që përjetohet me frikën she tmerrin iracional të nacionalshovinizmit serb ka të bëjë edhe me faktin se serbët po zvogëlohet për çdo vit për reth 40.000 ( dyzet mijë), kurse shqiptarët po shtohen në mënyrë të pandalshme.
Prandaj, shqiptarët tani, në sytë e errët të nacionalshovenistëve serbë janë duke u shikuar si rrezik i Ballkanit, meqë janë duke u shtuar në mënyrë të pandalëshme dhe kanë pretendim Europën e civilizuar, janë anëtarë të NATO-s si aleancë më e fuqishme ushtarake në botë, si dhe kanë krijuar partneritet strategjik me superfuqinë botërore, SHBA-në, që paraqet "fanar" të demokracisë në botë, për dallim nga aleati i Serbisë, Rusia me pikëpamje të errëta të urrejtjes mesjetare.

No comments:

Post a Comment