Tuesday, October 7, 2014

KOMPROMISI I (PA) RREZIKSHËM



Shkruan: Nehat Hyseni

Nga takimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga me liderët e partive politike, realisht do duhej pritur një kompromis, meqë kaluan katër muaj nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit dhe vendi akoma është pa kryeparlamentar dhe Qeveri.

 Alternativë e mospranimit të kompromisit ndaj kërkesave decidive dhe këmbëngulëse të PDK-së, që kanë karakter ultimatumi ndaj shtetit dhe popullit të Republikës së Kosovës, poqese pranohet nga VLAN dhe Presidentja, do të krijonte presedan në praktikën juridiko-politike të shtetndërtimit dhe demokracisë në të ardhmen, meqë do ta largojë Kosovën nga binarët normal të shtetndërtimit perëndimorë, meqë është duke i shkelur parimet elementare të demokracisë parlamentare, që aplikohen si parime universale gjithandej në botën me demokraci të zhvilluar dhe të konsoliduar ndër shekuj. 

Ndërkaq, elita e atyre shteteve perëndimore, në krye me SHBA-në dhe BE-në, të mos harrojmë se na sollën lirinë dhe Pavarësinë!

Aktualisht Kosova është vënë para një sfide të rrezikëshme të komprometimit dhe turpërimit para tyre, meqë ka krijuar, nga ekspertët e vet, Kushtetutën më të çuditëshme dhe më analfabete në botë!
Edhepse komisioni për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës përbëhej nga juristë "eminentë", shumica e të cilëve ishin dhe janë profesorë universitarë dhe edukojnë juristët dhe gjykatësit e ardhshëm të këtij vendi, ata vet kanë rënë keqas në provinin elementar, duke mos ditur as t'i kopjojnë zgjidhjet kushtetuese, duke pasur para vetes kushtetutat e krejtë dynjasë!
Dikush e tha me pezëm se sigurisht do e kishim një Kushtetutë shumë më dinjitoze dhe funksionale edhe sikur t'i kishim pasur hartuesit joprofesional, qofshin ata edhe këpucëtarë apo rrobaqepës, mekanikë...?
Sepse, të caktohet në Kushtetutë se fitues i zgjedhjeve na qenka fituesi i shumicës relative dhe se atij po i takojka e drejta ekskluzive për propozim të kryeparlamentarit dhe askujt tjetër, edhe poqese nuk ka shumicën absolute, kjo vërtetë nuk don koment!
Po, allahile, ku e gjetën këta të uruar alamet jurista tanë, në cilën kushtetutë, apo prakrikë parlamentare një formulim të tillë?

Apo ndoshta kjo është shpikje origjinale e rregullave të reja të demokracisë parlamentare "Made in Kosova"?
Mjerisht, jemi bërë gaz i botës para miqëve tanë ndërkombëtarë, kurse armiqëve ua kemi vërtetuar shpifjet e tyre dashakeqe për paaftësin tonë të ndërtimit të shtetit modern, demokratik, efikas e funksional.
Konsultimet tek Presidentja na kanë sjellur në një situatë ku, ose duhet pranuar kompromisi i PDK-së, duke ua votuar kryeparlamentarin, ose të vazhdohet ngërçi politik dhe të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare?

Mirëpo, megjithatë, druaj se as zgjedhjet parlamentare nuk do të krijonin stabilitet, meqë me mosrespektim të mazhorancës që do e krijonte, prap do të vinim në situatën e sotme. 
Sepse, kjo do i ngjante situatës së mospranimit të rregullave të lojës. 
Kështu do të silleshim në një reth të pafund, vicioz të vendnumërimit. 
Ose, poqese shprehemi me fjalor sportiv, sikur të mos pranohej fitorja e atij që jep më shumë gola në futboll, apo i poenave, nogdauna dhe pikëve në boks, etj.
Duhet pasur kujdes që në këto rethana Loku VLAN të veproj me taktikë, gjakëftohësi e profesionalizëm dhe (ndoshta) ta votoj kryeparlamentarin nga PDK, kurse më vonë ta shkarkoj dhe të hapë rrugë për ndryshimin e Kushtetutës dhe heqjen e barrierave që mundësuan ngërçin politik aktual.
Si mundësi tjetër po përmendet edhe dorëheqja e Presidentes dhe zgjedhja e Isa Mustafës në atë post?! 
Natyrisht se kjo mundësi e daljes nga ngërçi politik është në vullnetin dhe të drejtën e vet Presidentes.
Sido që të jetë puna, neve nuk na mbetet tjetër pos të presim se cila zgjidhje do të rezultoj nga takimi me Presidenten. 
 Por, zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare nuk besoj se janë opsion dhe mundësi reale, meqë në skenë do të dalin miqtë tanë ndëkombëtarë dhe me "zarfin" e tyre do e përfundojnë këtë tragjikomedi, e cila u stërzgjat dhe me pasojat e rënda që i solli shtetit, ekonomisë dhe shoqërisë së këtij vendi, gjithnjë e më pak po i ngjet komedisë, e shumë më tepër tragjedisë.



No comments:

Post a Comment