Thursday, September 4, 2014

Sa më keq për Kosovën, aq më mirë për Partinë?!



Shkruan: Nehat Hyseni

Pritjet tona nga seanca dëgjimore e Kushtetueses janë për pezullimin e bllokadës institucionale të Kosovës me pezullimin e Vendimit të saj të përkohshëm, me të cilin e vendos gjendjen "zero" dhe pezullimii i zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar dhe dy nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.
Andaj, ashtu si shumica e qytetarëve të Kosovës, edhe unë me shumë interesim e përcolla sot, më 21 gusht, seancën  dëgjimore të Kushtetueses lidhur  me kërkesën e PDK-së për anulimin e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovë të 17 korrikut 2014, si dhe kërkesën e koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosja, për anulimin e kërkesës së PDK-së.
Kjo seancë dëgjimore ishte organizuar mirë dhe ishte efikase në procedim dhe zgjati shkurt, gjithsej një orë e njëzet minuta.

Paraqitja e argumentave nga ana e përfaqësuesit të PDK-së nga deputeti Arsim Bajrami, edhepse ai është profesor universitar i shkencave juridike, që ka për detyrë qê t'ua mësoj parimet themelore të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe të demokracisë parlamentare  të Republikës së Kosovës studentëve, juristëve të ardhshëm. Megjithatë ishte e zbehtë, madje kontradiktor. 
Në mungesë të dëshmimit të kapaciteteve të tia juridike nga lëmi i njohjes së Kushtetutës, edhepse ka qenë pjesëmarrës aktiv në hartimin e saj, apo për shkak të detyrimit për mbrojtjen e interesave partiake, ai në vend që të paraqitej si një ekspert juridik, gjatë seancës dëgjimore, ai iu qas paraqitjes së argumenteve me gjuhë politike, në vend të argumentave juridikë e Kushtetues, për anulimin e mbledhjes konstituive të 17 korrikut. 
Z. Bajrami nuk mundi ta dalloj qartë mbrojtjen e kauzës dhe interesave të PDK-së pranë Kushtetueses, meqë qasja e tij politike problemit i ngjante më tepër diskutimit politik në Parlament, e më pak ballafaqimit në Gjykatë.

Për këtë arsye edhe kryetari i Kushtetueses, z. Enver Hasani intervenoi duke sugjeruar që "të flitet me një fjalor juridik, kushtetues e jo politik".

Deputeti Bajrami pretendonte në obligimin për dëgjueshmëri të verbër të deputetëve ndaj partisë, duke ngatërruar fare konceptet dhe nocionet elementare të demokracisë paarlamentare. Duke insistuar se, meqë sistemi i ynë zgjedhor është proporcional, atëherë mandatet i takojnë partisë, duke aluduar në PDK-në dhe duke hedhur poshtë kushtetutshmërinë e Koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma. 
Ngatërrimi i nocionit elementar të të kuptuarit të termit "shumicë" në parlament me përpjekjet e tia qesharake për ta relativizuar dominimin e shumicës së rivalëve të PDK-së, me kalkulimin diletantesk se kinse nuk e paskan të qartë se për cilën shumicë është fjala, për shumicën relative, që e ka fituar PDK me 30%, ose 37 deputetë, që i bie më pak se 1/3 nga 120 deputetë që ka Kuvendi i Kosovës, apo është fjala për "shumicën absolute", dmth për mbi 50% ose 61 deputetë, apo për shumicën e"kualifikuar" dmth 2/3 ose 81 deputetë?! 
Ndërkaq, deputetja Vjosa Osmani nga LDK paraqiti një mbrojtje të mirëpërgatitur, me një qasje me fjalor korrekt juridik e kushtetues, duke i shtruar problemet në mënyrë brilante dhe duke arsyetuar qartë gabimet dhe arsyet se pse duhej hedhur poshtë kërkesa e PDK-së për anulimin e mbledhjes konstituive të 17 korrikut, duke e demaskuar atë si pretendim jokushtetues të PDK-së për anulimin e zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar dhe dy nënkryetarëve të Kuvendit. 
Por, edhe zonjës Osmani i shpëtoi nga goja një gaf profesional, meqë Gjykatën Kushtetuese e numëroi si pjesë të pushtetit gjyqësor, duke aluduar se nuk duhet të ndërhyj në pushtetin legjislativ! 
Sepse, Kushtetuesja nuk është pjesë e asnjë pushteti tek ne, pra as e pushtetit gjyqësor. 
Argumentat që i paraqiti z. Osmani  mendoj  se janë të mjaftueshme që Kushtetuesja ta hedhë poshtë kërkesën e PDK-së për anulimin e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës të 17 korrikut.

Edhe zonja Albulena Baxhiu, delutete e VV paraqiti argumente shtesë në favor të Koalucionit paszgjedhor. 
Gjithashtu edhe Ardian Gjini me pyetjet e shtruara, me fjalor të thjeshtë e të kuptueshëm sqaroi dhe demaskoi pretendimet e PDK-së dhe deputetit Arsim Bajrami.

Si përfundim, mendoj se dëmi më i madh që i është bërë Koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe Kosovës, tani më ka ndodhur me Vendimin e përkohshëm të Kushtetueses para një muaji, me të cilën u  bllokua dhe u paralizua plotësisht formimi i institucioneve dhe Qeverisë së re. Sepse, me atë vendim, Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, z. Isa Mustafa u detyruar  që në shenjë respektimi, ta lëshoj zyren e kryetarit dhe të mos e ushtroj postin. 
Kështu u bllokua funksionimi i mëtejmë i Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve, forumeve punuese dhe Qeverisë së re.
Po të ishte e interesuar Kushtetuesja, që disa e quajnë "filial" të PDK-së, për shkak të afrisë së madhe të kryetarit të saj, z. Enver Hasani me këtë parti,që të mos i bllokoj proceset, ajo nuk do ta nxirrte Vendimin e përkohshëm, që ishte famëkeq dhe bllokues, por do të merrte vendim definitiv brenda 3-4 ditësh, e kurrësesi jo të presim kaq gjatë, mbi një muaj të bllokuar për fajin e saj!
Se kjo zhagitje nga Kushtetuesja ishte e panevojëshme dhe e qëllimshme, flet fakti se në ndërkohë z. Hasani shkoi në pushime verore, duke lënë vendin e tij të bllokuar dhe të paralizuar institucionalisht.
 Pra, pa diskutim se ky ishte një "shërbim" i Kushtetueses dhe Enver Hasanit  ndaj PDK-së dhe Hashim Thaçit.

Tani shtrohet pyetja se çfarë vendimi mund të nxjerrë Kushtetuesja?

Përgjigja është se çfarëdo vendimi që të nxjerrë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas seancës dëgjimore të 21 gushtit 2014, nuk do ta dëmtonte Kosovën më tepër se zhagitja e deritanishme. 
Kushtetuesja mund ta zhagisë edhe ndonjë ditë vendimin, duke e shtuar dëmin e bërë deri më tani, por kurrësesi nuk do të mundet që PDK-në  me 1/3, ose me 37 deputetë, ta caktoj edhe për mandatin e tretë, sepse atë mund ta bëjnë vetëm deputetët dhe koalicioni  LDK-AAK-Nisma  me (pa) Lëvizjen Vetëvendosje, që i kanë 83 deputetë ose mbi 2/3 e deputetëve të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, të dalur nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014.

Urojmë që Kushtetuesja ta nxjerrë sa më parë vendimin definitiv, cilidoqoftë ai, realisht pak rëndësi ka, vetëm e vetëm që të mos e vazhdoj lojën e mëtejme të obstruksioneve kalkulanteske dhe t'i zhbllokojë proceset e formimit dhe funksionimit normal të institucioneve demokratike dhe Qeverisë së re të Kosovës.Shkruan: Nehat Hyseni

Pretendimet dhe kërcnimet e shpeshtuara të PDK-së dhe nënkryetarit të saj, Hajredin Kuçit, si dhe të kryetarit Hashim Thaç dhe të tjerëvei, se PDK me çdo kusht duhet të jetë pjesë e qeverisjes së ardhëshme të Kosovës, në mandatin 2014-2018, meqë pretendon se është fituese e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, biejnë ndesh me sugjerimet dhe rekomandimet që vijnë nga miqtë tanë ndërkombëtarë, në rend të parë nga Brukseli dhe nga SHBA.
Gjëja më e thjeshtë dhe më normale, e qartë dhe e kuptueshme per të gjithë në botën demokratike është se qeveria formohet nga shumica e deputetëve dhe s'ka se si bëhet ndryshe!
Kjo gjë, që tek ne komplikohet pa nevojë, është aq e thjeshtë për vendet e zhvilluara demokratike, sa që atje  nuk do diskutohej fare, meqë bëhet fjalë për matematikë aq të thjeshtë, sa nuk ka ku të shkoj më tepër.
Pra, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka gjithsej 120 deputetë dhe shumica e thjeshtë, apo shumica absolute formohet me 61 deputetë.
Prandaj, ai subjekt politik apo parti politike që e siguron, së paku, këtë shumicë (mazhorancë) minimale, fiton të drejtën e formimit të Qeverisë së re, meqë ka mundësi vendimmarrjeje në bazë të shumicës së siguruar.
Sistemet politike demokratike kudo në botë funksionojnë nga vendimmarrja e shumicës, për dallim nga vendet autokratike, jodemokratike e diktatoriale, ku shoqëria menaxhohet e qeveriset nga pakica autoritare, pa e përfillur fare vullnetin politik dhe interesat e shumicës së shoqërisë apo shtetit përkatës.

Kurse, tek ne janë duke u bërë akrobacione të ndryshme politike, kinse për të "sqaruar" diçka që i është e qartë të gjithëve, por sa duket nuk i është e qartë vetëm pushtetmbajtësve aktualë, të cilët kurrësesi nuk po mund ta kuptojnë se nuk e kanë dhe nuk mund ta kenë kurrësesi shumicën e nevojëshme për ta qeverisur Kosovën edhe në mandatin e tretë.
Sepse, koalicioni  i PDK-së me pesë parti të vogla, në zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare ka arritur të fitoj vetëm 37 deputetë, që do të thotë se ka arritur të ket më pak se 1/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që ka gjithsej 120 deputetë, kurse 1/3 i bie të jenë 40 deputetë.
Sigurisht se bëhet fjalë për një keqinterpretim të rezultateve të zgjedhjeve të 8 qershorit, meqë ngatërrohen nocionet.
Për çudi, ky ngatërrim nuk vjen nga analfabetët dhe personat që nuk i njohin proceset demokratike të zhvillimit të shoqërisë, por, përkundrazi, ato vijnë nga persona të shkolluar, madje me tituj akademikë, profesora universitarë dhe pedagogë që merren me drejtësi, si vokacion të tyre, detyrë e të cilëve është t'ua mësojnë studentëve ligjshmëritë e zhvillimit të shoqërisë dhe organizimit të funksionimit të shtetit të së drejtës e demokracisë.
Fitohet përshtypja se ata janë ngatërruar dhe u është mjegulluar vetëdia e tyre njerëzore dhe ndërgjegja morale nga interesat grupore e personale që derivojnë nga përkatësia e tyre partiake.
Interesat partiake janë bërë jo vetëm udhërrëfim i “shenjtë” për ata, por edhe mision i tyre "profesional", për të sqaruar e komentuar gjithçka në frymën dhe nga prizmi i interesave të partisë politike që i përkasin. 
Prandaj, ata nuk ngurrojnë fare që ta mjegullojnë opinionin publik të Kosovës me sqarimet e tyre çoroditëse në misionin e tyre të apologjetëve partiakë.
 
Andaj, Kërcnimi me shpallje të zgjedhjeve të reja, nga kushdoqoftë, poqese mbeten jashtë koalicioneve qeverisëse, paraqet akt vrastar ndaj ekonomisë kosovare dhe mirëqenies së popullit të Republikës së Kosovës.

Pangopësia me pushtet dhe apetitet megalomane për ta (keq)qeverisur edhe për një mandat Kosovën, janë të kobëshme dhe nuk ia duan aspak të mirën këtij populli të sfilitur nga skamja, papunësia e mjerimi, si dhe Republikës së Kosovës, e cila edhe ashtu është katandisur mozomakeq, meqë është i vetmi shtet i izoluar dhe getoizuar në Europë.
Sepse, zgjedhjet eventuale të jashtëzakonëshme do të mund të organizoheshin, në rastin më të mirë, dikund kah nëntori-dhjetori 2014. Kurse, konstituimi i Kuvendit të Kosovës, institucioneve dhe formimi i Qeverisë së re, zor se do të mund të bëhej para shkurtit-marsit 2015. Kështu, do të shtyhej formimi i Gjykatës Speciale kah fundi i qershorit 2015.
Natyrisht se këtyre vonesave të konstituimit të institucioneve shtetërore dhe zhagitjes së proceseve demokratike, duhet shtuar edhe koston e lartë financiare dhe dëmtimin e ekonomisë kosovare, që edhe ashtu po ballafaqohet me probleme dhe sfida të mëdha.

Pra, disa liderë dhe parti politike të Kosovës, si duket janë verbuar tmerrësisht nga interesat e tyre të ngushta partiake, sa që janë të prirur që t'i shkaktojnë dëme të pariparueshme shtetit të tyre Republikës së Kosovës, duke e përkeqësuar edhe më tepër gjendjen edhe ashtu të rëndë të ballafaqimit me probleme e sfida të shumëta reth zhvillimit ekonomik, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit të organzuar dhe ekstremizmit, përpjekjet për dalje nga getoizimi ndërkombëtar dhe liberalizimi i vizave, integrimin në struktura euro-atlantike dhe përafrimi me BE-në, etj.
Konsideroj se, e mira për Kosovën duhet të jetë pikësynim i pretendimeve dhe performansës së partive politike, e kurrësesi e kundërta, si është duke ndodhur aktualisht, që të dëmtohet shteti dhe shoqëria kosovare për hirë të interesave të caktuara partiake.
Sepse, shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilën po e trumpeton PDK poqese nuk plotësohen kërkesat e tyre pë të qenë pjesë e Qeverisë në mandatin 2014-2018, do t’imundësonte Qeverisë në dorëheqje të Hashim Thaçit që tëvazhdoj ta qeverisë vendin edhe për një kohë disamuajshe, deri sat ë përfundoj konstituimi i Qeverisë së re.
Ndoshta ky do të  mund të ishte interesi i PDK-së dhe i partive të vogla me të cilat ajo është në koalicion, por kurrësesi nuk do të ishte interes i Kosovës! Ose, thënë më troç: do të ishte e mira e PDK-së, por e keqja e Kosovës.
Prandaj, i vetmi akt patriotik që e kërkojmë me ngulm nga klasa politike e Kosovës është domosdoshmëria që të mbledhin mend dhe të veprojnë ashtu si vepron dhe na sugjeron bota e përparuar demokratike, që ta zgjedhim qeverinë e re dhe t'i përvjelim mëngët për t'i hyrë punës, për t'i riparuar dëmet nga keqmenaxhimi dhe gabimet e së kaluarës dhe t'ia kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur këtij shtetit më të ri në Europë, dhe njërit ndër më të rinjtë në botë.
Sfidat janë të mëdha dhe ato kërkojnë angazhim dhe mobilizim maksimal nga të gjitha subjektet e partitë politike, performansa e të cilave duhet të matet dhe vlerësohet në bazë të kontributit real që i japin shoqërisë dhe shtetit, e kurrësesi me benefitet dhe përfitimet grupore e personale që i arrijnë në bazë të (keq) qeverisjes dhe (keq) menaxhimit që ato realizojnë, duke krijuar kështu shtetin e varfër e të sfilitur, me poltikanë super të pasur dhe milionerë.


No comments:

Post a Comment