Sunday, September 7, 2014

Pse Presidentja duhet të jep dorëheqje ose të shkarkohet nga Kuvendi i Kosovës?



Shkruan: Nehat Hyseni

 Presidenca e Republikës së Kosovës, në situatën aktuale të ngërçit të stërzgjatur politik në Kosovë, flet me fjalorin e Kryeministrit në ikje dhe kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, lidhur me vlerësimin se takimi midis partive politike duhet thirrur atëherë kur  "cenohet rendi kushtetues i Kosovës". 

Këtë vlerësim të Thaçit e mori si të mirëqenë edhe Presidentja Jahjaga dhe paralajmëroi kyçjen e saj në zgjidhjen e ngërçit aktual politik, që edhe pas tre muajsh pas zgjedhjeve, akoma nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit dhe nuk janë formuar institucionet demokratike dhe qeveria e re, konform rezultateve të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014.

Presidentja Jahjaga vepron sipas diktatit të kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit edhe për arësyen se ajo në një mënyrë, postin e presidentes ia ka borxh PDK-sē dhe Hashim Thaçit personalisht, për shkak të angazhimit politik në marrëveshjen e njohur midis partive politike, ku PDK dhe Hashim Thaçi kishin rol të madh, madje vendimtar. 
Nga ajo marrëveshje "famoze" midis liderit të PDK-së, Hashim Thaçit, kryetarit të AKR-së Behgjet Pacollit dhe kryetarit të LDK-së Isa Mustafës, doli edhe "Presidentja e zarfit". 
Prandaj, ndoshta këtu qëndron sekreti i animit aq eksplicit të Presidentes për PDK-në.

Mirëpo, nuk duhet harruar se Presidentja ka për obligim dhe kompetencë e përgjegjësi e saj është të jetë  garancë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe e unitetit të popullit.
 Prandaj, ajo nuk do të guxonte kurrësesi të anoj kah asnjë parti politike. Përkundrazi, ajo është e obliguar që ta garantoj funksionimin dhe unitetin e shtetit.
Sikur të kishte vullnet politik dhe po të donte ta ushtronte këtë kompetencë të veten të garancës së zbatimit të Kushtetutës dhe unitetit të popullit të Kosovës, ajo do i ftonte subjektet politike qysh pas zgjedhjeve të 8 qershorit, atëherë kur filluan të shfaqen dilemat reth fituesit midis PDK-së dhe Koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma. 

Por, në vend që të ishte në krye të detyrës, zonja Presidente e Kosovës preferoi "vetëshkarkimin" e vet dhe transferimin e kompetencave në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, që i komplikoi edhe më tepër gjërat me animin eksplicit të Presidentes dhe të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, z. Enver Hasani, kah PDK dhe Hashim Thaçi.
 Mjerisht, Presidentja Jahjaga, në vend që të dëshmonte paanësi midis palëve pretendente për qeverisjen e Kosovës në mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2014-2018, ajo si duket zgjodhi të kundërtën, duke e stërzgjatur ngërçin politik në vend!

Andaj, mendoj se Presidentja Jahjaga duhet të jep dorëheqje, apo edhe të shkarkohet nga posti i Presidentes me shumicë të kualifikuar votash në mbledhjen e 12 shtatorit, që është cilësuar si vazhdim i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës të 17 korrikut 2014. 

Dorëheqja, apo shkarkimi i Presidentes do të hapte rrugë që eventualisht, siç propozoi Akademik Nexhat Daci, t'i jepet ky post PDK-së, meqë edhe ashtu ajo ishte nën dirigjimin dhe diktatin e plotë të PDK-së dhe Hashim Thaçit. 
Kështu do të çohej në vend  dhe do të korrigjohej padrejtësia e papresedan në botën demokratike dhe panaryrshmëria e zgjedhjes së Presidentit "nga zarfi". 

Njëkohësisht, supozojmë se do të kënaqej edhe PDK-ja me këtë post dhe do të zgjidhej ngërçi politik aktual, duke mos shkaktuar tronditje më të mëdha sociale e politike në situatën e brishtë të "qetësisë relative" në Kosovë, duke mos rrezikuar dhe provokuar shpërthimin e pakënaqësive dhe "bombës sociale", që mund të ketë pasoja të paparashikueshme për vendin.


No comments:

Post a Comment