Monday, September 8, 2014

Kosova midis "meritokracisë" dhe demokracisë



Shkruan: Nehat Hyseni

Ngërçi politik aktual reth bllokimit të  Kuvendit të Kosovës dhe formimit të institucioneve demokratike e qeverisë së re, definitivisht i ka hedhur në sipërfaqe anët e errëta të politikbërjes kosovare me aromë kundërmuese antidemokratike e antishtetërore, që kompromiton rëndë aftësinë e saj shtetformuese e demokratike!
Kësaj radhe, të trimëruar nga "nami i meritokracisë" dhe megalomanisë makabre të stilit: "lirinë ua solla unë!", apo "shteti jam unë!", që buron nga mendësia neokomuniste e stilit "O kush e nisi luftën ma's pari...", kanë vendosur që definitivisht, poqese u jepet mundësia, ta ngulfasin shtetbërjen dhe demokracinë në Kosovë, duke e bllokuar pafundêsisht ecurinë e shëndetshme e demokratike të shtetit të Republikës së Kosovës.

Si duket, këtu votimet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014 synohet të shpallen " të pavlefshme", meqë "populli i paditur" votoi, kurse tani politikanët e "ditur" i komentojnë rezultatet e votimit sipas tekeve të veta.
 Madje, shkojnë aq larg sa që dojnë të shpikin ligje të reja të demokracisë, sikur ne të jetonim dikund në vasionë, larg botës demokratike.
 Ashtu si i shfrytëzojmë të arriturat shkencore e teknoligjike botërore, edhe ne shqiptarët duhet t'i shfrytëzojmë edhe të arriturat demokratike dhe shtetformuese të botës bashkëkohore!

Pra, asnjë kushtetutë europiane nuk parasheh se kryetari i kuvendit duhet të propozohet dhe doemos të zgjidhet nga partia që ka fituar shumicën relative. 

Sepse, partia e tillë vetëm fiton të drejtën e propozimit, kurse zgjedhja bëhet me shumicë absolute.
 Prandaj, të gjitha kushtetutat e botës demokratike parashohin të drejtën edhe të propozuesit të dytë, të tretë... etj. me qëllim të krijimit të mazhorancës qeveritare.

Pra, kështu është në shtetet demokratike që janë formuar shekuj më parë, kurse tani Kosova, si shteti më i ri në Europë, për hirë të interesave të caktuara partiake e grupore, don ta "zbuloj përsëri Amerikën", duke vendosur rregulla krejtësisht të reja e çoroditëse, që ia zënë frymën këtij shteti të brishtë, popullata e të cilit frymon si në "kafaz të mbyllur", pa të drejtë lëvizjeje të lirë dhe pa viza kudo në BE.
Kjo logjikë e mbrapshtë politike shtetformuese rrezikon realisht komprometimin e shqiptarve në përgjithësi, e sidomos kosovarëve në veçanti për aftësinë e tyre të dyshimtë të organizimit të shtetit modern e demokratik.
Prandaj, është koha e fundit që subjektet politike dhe populli i Kosovës të vetdijësohemi se rrugë tjetër pos asaj demokratike, nuk duhet ndjekur dhe nuk ka për ne!

Model i shtetndërtimit duhet të na shërbej SHBA dhe BE, ku vota e popullit është supreme dhe demokracia funksionon sipas shumicës, duke përjashtuar forma korruptive të demokracisë popullore me marrëveshje politike të liderëve politik.
Korrupsioni si mendësi dhe si parim makabër i funksionimit të shtetit të brishtë kosovar, ku interesi individual dhe grupor deformon dhe ngulfatë demokracinë e mirëfilltë, duhet të merr fund në mbledhjen e 12 shtatorit 2014, duke u respektuar parimi bazë dhe fundamental i demokracisë parlamentare, dmth. parimi i shumicës absolute prej 61 deputetëve. 
Definitivisht, rrugëdalje tjetër nuk ka! 
Ose do i respektojmë rregullat e demokracisë, ose do i kthehemi parimit autokratik e mesjetar, ku vendosin "baballarët" e pagabueshëm te kombit, sepse populli i (pa) ditur mund të "gaboj".

No comments:

Post a Comment